Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kujtuar tërmetin e një viti më parë në Shqipëri, që la shumë të vdekur e të lënduar, si dhe shumë vëllezër shqiptarë pa kulm mbi kokë.
I pari i Vetëvendosjes, thotë se tronditja e tokës ishte ndjerë në gjithë qytetet e Kosovës. Por, sipas tij, më e fortë ishte tronditja prej dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, me të cilët ndau pikëllimin e gjithë Kosova dhe kombi shqiptar, raporton arbresh.info.
“Dhimbja na bëri bashkë. Qytetarët e Kosovës, ashtu si gjithë shqiptarët kudo që janë, u erdhën në ndihmë motrave e vëllezërve të dëmtuar nga tërmeti, me gjithë çka patën mundësi. Ushtria e Kosovës u nis menjëherë në mbështetje të operacioneve të kërkim shpëtimit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas Kurtit, shteti shqiptar ende nuk ka marrë fondet që i ishin premtuar nga ndërkombëtarët në konferencën e donatorëve për rindërtim.
“Sot jemi sërish bashkë në përkujtimin e viktimave dhe gjithë pasojave të tërmetit. E dimë që ende mijëra njerëz vazhdojnë të jetojnë në çadra, ashtu siç e dimë se Shqipërisë nuk i kanë ardhur fondet e premtuara nga ndërkombëtarët në konferencën e donatorëve për rindërtimin. Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dëshiroj t’i shpreh institucioneve në Republikën e Shqipërisë gatishmërinë tonë maksimale për të ndihmuar në këtë kohë kaq të vështirë. Sfidat i përballojmë më mirë, vështirësitë i kalojmë më lehtë kur jemi të bashkuar”, ka shkruar ndër të tjera Kurti./arbresh.info/
Postimi i tij i plotë:
E kujtojmë sot tërmetin e 26 nëntorit 2019, që preku qindra mijëra njerëz në Shqipëri. Tronditjen e tokës e ndjemë në gjithë qytetet e Kosovës. Por më e fortë ishte tronditja prej dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, me të cilët ndau pikëllimin e gjithë Kosova dhe kombi shqiptar. Dhimbja na bëri bashkë. Qytetarët e Kosovës, ashtu si gjithë shqiptarët kudo që janë, u erdhën në ndihmë motrave e vëllezërve të dëmtuar nga tërmeti,me gjithë çka patën mundësi. Ushtria e Kosovës u nis menjëherë në mbështetje të operacioneve të kërkim shpëtimit. Edhe deputeti ynë, Liburn Aliu, i cili ka përvojë në misione të tilla, u gjend në Thumanë, duke ndihmuar edhe personalisht për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, e historia që më ka treguar ka lënë mbresa të pashlyeshme. Aktivistët e Lëvizjes me ndihmën e shumë qytetarëve mblodhën mbi 300 ton ndihma, që i dorëzuan në Rezervat e Shtetit, në Shqipëri. U hapën shtëpitë në Kosovë e u ngritën kampe që prisnin të pastrehët, për ta lehtësuar sado pak dhimbjen e vuajtjen. Edhe sot e kësaj dite në Kosovë ka ende familje nga Shqipëria, mbetur pa strehë atje e të strehuara këtu.
Sot jemi sërish bashkë në përkujtimin e viktimave dhe gjithë pasojave të tërmetit. E dimë që ende mijëra njerëz vazhdojnë të jetojnë në çadra, ashtu siç e dimë se Shqipërisë nuk i kanë ardhur fondet e premtuara nga ndërkombëtarët në konferencën e donatorëve për rindërtimin. Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dëshiroj t’i shpreh institucioneve në Republikën e Shqipërisë gatishmërinë tonë maksimale për të ndihmuar në këtë kohë kaq të vështirë. Sfidat i përballojmë më mirë, vështirësitë i kalojmë më lehtë kur jemi të bashkuar.
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani
Parashikimi i motit për ditën e somte
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D