Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar mësuesin e patriotin, Shaban Shala.
I pari i Qeverisë kosovare tha se Shala u vra më 20 janar 1963, si i burgosur politik, e viktimë e politikave diktatoriale dhe shoveniste të zbatuara nga UDB-ja dhe zyrtarët e Serbisë, që sipas tij, ushtronin dhunë mbi shqiptarët në Kosovë.
Kurti shtoi se Shala në popull do të njihej si “Shabani i flamurit, mësuesi i flijuar për gjuhën shqipe, simbolet kombëtare dhe për liri:.
“Në moshë fare të re, Shaban Shala iu bashkua Organizatës Revolucionare Nacional-Demokratike për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pasi kishte kryer Shkollën Normale në Prishtinë, Shaban Shala punoi si mësues në fshatrat Lupç i Epërm, Popovë, Murgull, Pollatë, Dabishec dhe Tugjec”, tha Kurti.
“I vetëdijshëm që për shkak të veprimtarisë së tij politike rrezikonte të arrestohej, më 1952, duke dashur të kalonte kufirin e Jugosllavisë për të dalur në Austri, Shaban Shala u arrestua në rrethin e Mariborit në Slloveni, bashkë me Shaban Zhijeqin, Ibrahim Demollin dhe Nuhi Gashin. Ai u dënua me një vit burgim në burgun e Prishtinës, në një proces gjyqësor bashkë me Xhafer Mehmetin, Fetah Batatinën, Nuhi Gashin, Jusuf Ismailin, Ibrahim Demollin, Sabit Kapitin, Shaban Zhijeqin dhe Hamit Zhitinë”, ka shkruar Kurti.
Më tej, i pari i qeverisë ka treguar edhe rrëfimet e të burgosurve të tjerë, se si gardianët e torturonin Shaban Shalën, duke e mbyllur në sënduk e duke e mbajtur të lidhur 24 orë të shtrirë mbi një dërrasë me gozhda, duke i futur gjilpëra mes thonjve, duke i lëshuar hekur të skuqur në zjarr mbi shuplakë të dorës e duke i futur minj të mëdhenj në qeli.
“Pas lirimit nga burgu, për t’u kuruar nga pasojat e torturave në burg, Shaban Shalës iu desh të shtrihej në spitalin e Nishit dhe Beogradit. Më 28 shkurt 1956, Shaban Shala u burgos për herë të dytë, tani në burgun e Gjilanit, pasi u arrestua bashkë me Ali Pecin nga Mitrovica dhe Emrush Lluçkun nga Përlepnica e Gjilanit. Pa ndonjë provë reale për akuzë, Shaban Shala u lirua nga gjykata e Gjilanit katër muaj më vonë, më 16 qershor 1956”, potencoi Kurti.
“Më 28 nëntor 1960 dhe 1961, bashkë me shokët e organizatës dhe me gruan e tij Sadijen, Shabani qepi flamuj me shqiponjë dykrerëshe mbi beze të kuqe dhe i vendosi në publik, ndonëse atë kohë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar”, shkroi Kurti.
Kurti, tutje tha se më 27 shtator 1962, Shaban Shala u arrestua përsëri dhe u burgos në burgun e Prishtinës.
“Ai u dënua me 2 vite burgim, por gjatë katër muajve pasues, Shaban Shala u torturua jashtëzakonisht shumë, sa që më 20 janar 1963, duke mos pranuar të fliste përkundër mundimeve dhe maltretimeve, ai vdiq nga torturat. Natën e 20 janarit 1963, një e burgosur politike në një qeli tjetër të burgut të Prishtinës, Hyrije Hana nga Gjakova, kujton se si kur gardianët e morën dhunshëm Shaban Shalën duke e lidhur dhe zvarritur, ai thërriste me zë të lartë: ‘Rroftë Shqipëria, poshtë tradhtarët e kombit, poshtë klika e Titos’”, shkroi Kurti./arbresh.info/
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030