Google ADS

Kurti kujton masakrën e Studenicës: Ne as nuk harrojmë, as nuk falim

17:29 | 13 Prill 2024
R J

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Vasfije Krasniqin, kanë qëndruar në Studenicë të Istogut për t’iu bashkuar familjarëve të viktimave në përkujtimin e masakrës së Studenicës, ku forcat serbe 25 vjet më parë, vranë shumë gra, fëmijë e pleq. Ai tha se këto krime nuk do të harrohen kurrë, ndërsa kërkoi që drejtësia të vihet në vend.

Kurti tha se më 13 prill 1999, në fshatin Studenicë të Istogut, njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë, kryen masakër duke i vrarë 9 anëtarë të familjes Lipaj.

Kurti në këtë përvjetor bëri një përshkrim të ngjarjes të asaj periudhe. Ai tha se në pranverën e vitit 1999, mijëra banorë të fshatrave të Podgurit u strehuan në fshatin Studenicë, meqë aty ishte edhe shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Adrian Krasniqi”. Më 11 dhe 12 prill 1999, banorë të Vrellës dhe të Studenicës, sipas tij, u strehuan në lagjen e Cakutajve në fshatin Kaliqan, mes tyre edhe 50 anëtarë të familjes Lipaj që deri në mbrëmjen e 12 prillit kishin qenë të strehuar në familjen e Sali Sokol Zeqirajt në Studenicë.

Mbrëmjen e 12 prillit, mijëra banorë të zonës kalonin nëpër Kaliqan dhe shumica vazhdonin bjeshkëve me borë drejt Rozhajës, vazhdoi Kurti.

“Mëngjesin e 13 prillit 1999, baci Sali që ishte 86 vjeçar, bashkë me Sale Lipajn (64) dhe Hajrije Lipajn (62) si dhe me katër vajzat Qëndresa, Mirdona, Njomëza dhe Lindihana, u kthyen në shtëpi në Studenicë për të marrë bukë, rroba dhe barna. Aty u bashkuan me nënën e Lindihanës, Sabrijen (43) si dhe me Hatmane Mehajn nga fshati Tomoc, një grua e moshuar dhe me probleme shëndetësore. Me të arritur në shtëpinë e Sali Sokol Zeqirajt, vajzat nisën t’i bëjnë gati rrobat dhe barnat, kurse nënat Sale, Hajrije dhe Sabrije morën punët të gatuajnë bukë dhe t’i pjekin në zjarr. Por tymi i oxhakut u vërejt nga trupat ushtarake serbe që ishin pozicionuar në Kodër të Banjës, në Tomoc e Pollaqer, e të cilët i njoftuan njësitet policore dhe paraushtarake që ishin pozicionuar në malet e Studenicës, nën Kodër të Madhe, në malin te livadhi i Cakutve dhe te Pishat”, tregoi Kurti.

Atë paradite, sipas tij, policë dhe paramilitarë e rrethuan shtëpinë e Sali Zeqirajt, të cilin e vranë bashkë me 9 anëtarë të familjes Lipaj: Nezir Lipaj (1934), Sale Lipaj (1935), Hajrije Lipaj (1937), Fatime Lipaj (1933), Sabrije Lipaj (1956), Qëndresë Lipaj (1984), Mirdonë Lipaj (1986), Lindihanë Lipaj (1986) dhe Njomëz Lipaj (1985).

Pasi që i vranë, forcat serbe, siç tha Kurti, i morën kufomat dhe i hodhën në pus, kurse mbi to hodhën eksploziv për ta shembur pusin mbi kufoma. Atë ditë, më 13 prill 1999, po ashtu në Studenicë të Istogut, siç tregoi kryeministri, u vranë edhe Sylejman Ramqaj (70), Sadik Ramqaj (72), Ali Belaj (75), Sadri Kuqaj (78), Have Kuqaj (76) dhe Sofe Hysenaj (79).

“Deri sot, për këtë masakër e për këto krime nuk ka pasur as proces gjyqësor, as aktakuzë dhe as të dënuar. Por, ky krim sikur edhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, duhen hetuar duke ndjekur gjurmët e grumbulluar faktet si dhe duke marrë dëshmi nga dëshmitarët, për të ngritur aktakuza ndaj kryerësve dhe urdhërdhënësve. Republika e Kosovës me institucionet e saj, është e vendosur në adresimin para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare të të gjitha krimeve, të të gjitha llojeve, të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Ne as nuk harrojmë, as nuk falim”, deklaroi Kurti./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme