Kurti kujton betejën e Rahovecit: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen

20:56 | 17 Korrik 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Betejën e Korrikut të vitit 1998 në qytetin e Rahovecit dhe në Fortesë.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës po mbronte popullatën civile nga depërtimi i forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec, shkruan Arbresh.info.

“ “Gjatë luftimeve në rrugë, civilët shqiptarë ishin lidhur në shtylla elektrike si mburoja njerëzore për forcat serbe. Dy persona raportohet se u panë të varur në shtylla elektrike, disa të tjerë u masakruan duke ua prerë fytin dhe hequr sytë, ndërsa disa të tjerë raportohet se u shkelën nga automjetet e blinduara dhe tanket”, thuhet mes tjerash në Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 23 shtator 1998. Në këtë opinion, flitet edhe për ekzekutime brenda dhe rreth teqes dhe xhamisë në Rahovec, ku forcat policore serbe kishin shtënë në një grup refugjatësh, përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrarë shumë prej tyre.”, ka shkruar mes të tjerash Kurti.

Kryeministri tha se forcat ushtarake serbe kanë vrarë 150 civilë shqiptarë.

“Prijësin fetar 78 vjeçar, Sheh Myhedinin, i cili u kishte ofruar civilëve strehim në teqe, policia serbe e qëlloi nga afër për vdekje.  Forcat policore e ushtarake serbe vranë 150 civilë shqiptarë. Shumë nga ta u varrosën në dy gropa të mëdha, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimeve.”, shtoi ai.

Ai tha se Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e rënë në betejën e lavdishme të Rahovecit! Lavdi!”, tha ai./Arbresh.info/

Të ngjashme