Kurti kthehet te Kushtetuta e Kaçanikut për të parë se si e trajtonte ajo territorin e Kosovës

08:58 | 7 Shtator 2018
M. A.

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, ka kujtuar Kushtetutën e Kaçanikut, në 28-vjetorin e saj, duke treguar si e ka trajtuar ajo çështjen e kufijve të Kosovës, që së fundmi ka nxitur debat pas deklaratave të presidentit Hashim Thaçi se me Serbinë do të negociojë korrigjimin e kufijve.

Kurti ka thënë se shumë specialistë të së drejtës kushtetuese vlerësojnë se ajo kushtetutë ishte më e përparuar se Kushtetuta aktuale e Kosovës.

“Para 28 vitesh, më 7 shtator 1990, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut. Ishte kjo Kushtetuta e Republikës së Parë të Kosovës, e Republikës së 2 Korrikut, e republikës-për-rezistencë. Shumë specialistë të së drejtës kushtetuese edhe sot thonë se ajo kushtetutë ishte më e përparuar se kjo që kemi, në shumë aspekte, duke garantuar të drejtat kombëtare, ato të pakicave e ato individuale, të drejtat pronësore dhe mirëqenien shoqërore.

Ja përshembull se si e trajtonte çështjen e kufijve të Kosovës Kushtetuta e Kaçanikut në Nenin 8:

‘Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi.’”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka thënë se në atë kohë, shqiptarët nuk e pranonin ndarjen e Kosovës dhe kërkonin që Kuvendi e populli të merrte vendime. Ka shtuar se sot, ekziston një klikë pushtetarësh që s’pyet askënd. Kurti po ashtu ka thënë se populli ka kërkuar republikë e jo diktaturë.

“Asokohe, në kushte pushtimi e okupimi, shqiptarët nuk e ulën kokën dhe nuk e pranuan ndarjen e Kosovës. Ata kërkonin që vetëm Kuvendi dhe populli i Kosovës të merrte vendime sovrane. Ndërsa sot, në kushte lirie e pavarësie, e kemi një klikë pushtetarësh, me në krye Thaçin, Veselin e Haradinajn, që nuk e pyesin as popullin e as Kuvendin. Ata nuk e shpërfillin popullin vetëm kur e shfrytëzojnë, ndërsa Kuvendin nuk e bojkotojnë vetëm kur e manipulojnë”, ka shkruar më tej ai. “Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, teksa përkujtojmë me respekt ata që e shkruan atë nën drejtimin e Prof. Dr. Gazmend Zajmit, le të kujtojmë po ashtu se populli ynë lirinë e ka kërkuar si republikë, e jo si monarki, ku vendimet i merr një diktator a tiran”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme