Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpalosur të arriturat për mbështetjen e komuniteteve joshumicë.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se në vitin e dytë të qeverisjes është një Fond të veçantë për komunitetet joshumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove, shkruan Arbresh.info.
“Përmes tij financuam 259 grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete. Një vit më herët mbështetëm 123 projekte për biznese të vogla dhe ndërmarrëse nga radhët e të gjitha komuniteteve.”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, theksoi se këtë vit është lansuar masa e veçantë të punësimit për 2,000 punëkërkues që jetojnë në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut.
“Atje tashmë kemi hapur Zyre të Punësimit dhe Zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve. Te këto të fundit, së fundmi janë regjistruar mbi 50 biznese të reja.”, shtoi Kurti.
Kurti bëri të ditur se komunitet joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë.
“Ato gjithashtu përbëjnë 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosova Generation Unlimited”, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.”, ka shtuar ai.
Në kuadër të Programit të Stabilizimit të Komuniteteve, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme përmes së cilave janë siguruar 543 vende të reja të punës, prej tyre 328 me orar të plotë, pjesa tjetër me orar të pjesshëm.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Kurti njofton se janë ndërtuar ose rinovuar 116 shtëpi, për të siguruar kështu kthim të qëndrueshëm për komunitetet joshumicë.
“E përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi ndarë edhe 3 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive bashkë me 4 milionë tjera gjatë viteve 2021-2024 për projekte infrastrukturore prej të cilave përfitojnë veçanërisht pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në komuna të vendit tonë.”, ka shkruar ai.
Kryeministri ndër të tjera përmendi edhe themelimin e Grupit ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.
“Të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin që lëmë pas tregojnë se numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës.”, shtoi ai.
Kurti tha se për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, në tre vjet të qeverisjes janë ndarë gati gjysmë milion euro.
“Sepse për të pasur sa më shumë studentë të suksesshëm nga këto komunitete në universitete, investimi në ta dhe mbështetja për ta duhet të jetë e hershme. E për të qenë nesër profesionistë të suksesshëm, mbështetja duhet të vazhdojë edhe gjatë studimeve. Andaj, në vitin akademik 2022/2023 ndamë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1,000 euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian.”, theksoi ai.
Ndërsa në vitin akademik 2023/2024, shefi i qeverisë theksoi se po mbështesin me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem.
“Ndërkohë që në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, që aktualisht është në fazën e dytë të zbatimit, kemi përkrahur 3,000 të rijn nga komunitetet joshumicë dhe OJQ në përfitimin e aftësive të buta dhe në menaxhim të projekteve.”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti ndër të tjera theksoi se që nga shkurti i vitit të kaluar kemi rifilluar procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut duke ofruar kështu më shumë mundësi të reja të punësimit mbajtësve të këtyre diplomave.
“Gjithashtu kemi krijuar bazë ligjore për fillimin e verifikimit të diplomave të shkollave të mesme që japin mësim në gjuhën serbe.”, tha Kurti.
Shefi i qeverisë tha se që nga viti i kaluar ka filluar për herë të parë me transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, krahas respektimit të ligjit për përdorim të gjuhëve në komunikata për media dhe njoftimet nga Zyra e Kryeministrit.
“Në fund të vitit të kaluar miratuam Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, dokument që u hartua dhe miratua për herë të parë e që ndër të tjera parasheh integrimin më të qëndrueshëm dhe përfaqësimin më proporcional në jetën institucionale të komuniteteve joshumicë.”, shtoi mes të tjerash kreu i ekzekutivit.
“Republika është e të gjithë qytetarëve. Qeveria jonë është për të gjithë qytetarët.”, përfundoi ai./Arbresh.info/
1 mijë ditë luftë Rusi – Ukrainë, Osmani: Fitorja e Ukrainës...
Shtyhet vendimi i zbatimit të dënimit të Donald Trumpit
Borell: Thirrjet për një luftë bërthamore, të papërgjegjshme
Nagavci: 444 investime në përmirësimin e infrastrukturës në ...
Zinxhiri i Edit kthehet në temë diskutimi: A është ari dhe s...
Debat i ashpër mes Lelës dhe Leos