Google ADS

Kurti: Kosova mbetet vendi me mesataren më të lartë të vaksinimit në rajon

14:47 | 9 Nëntor 2021
Arditë Shkodra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Drejtoreshën për Evropën Juglindore nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Kristin Melson.

Në këtë takim u bisedua për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe planet e Qeverisë për “kthimin e trurit” (brain gain). Kurti e njoftoi Melson për mekanizimin që do të themelohet nga Qevria, “Fondi i Ekselencës”, për të cilin edhe kërkoi mbështetje, transmeton arbresh.info

Tutje në këtë takim u bisedua edhe për gjendjen e mirë me pandeminë në Kosovë, kryeministri Kurti njoftoi se Kosova mbetet vendi me mesataren me të lartë të vaksinimit në rajon dhe se deri tani janë administruar 1.6 milion doza të vaksinës anti-Covid.

Njoftimi i plotë:

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë ishin tema e takimit të sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe znj.Kristin Melson, Drejtoreshë për Evropën Juglindore nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Znj.Melson uroi kryeministrin për detyrën dhe fitoren e madhe të zgjedhjeve parlamentare, me një shumicë që, siç tha ajo, arrihet rrallë herë.

Kryeministri tha se ndryshimet demokratike në këtë fillim vit kanë sjellë përfitime të gjithmbarshme. Tashmë kemi stabilitet dhe legjitimitet në institucionet tona, por edhe besueshmëri të lartë qytetare, çka ka kontribuar në rritjen e investimeve, rritjen e të hyrave dhe ekonomisë dhe si rezultat edhe rritjen e punësimit.

Qytetarët duan zhvillim, por edhe drejtësi, prandaj këta indikatorë pozitiv të ekonomisë duhet të shoqërohen me indikatorë pozitiv edhe në drejtësi, e cila duhet të jetë efikase, tha ai.

U bisedua për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe planet e Qeverisë për “kthimin e trurit” (brain gain). Lidhur me këtë, kryeministri e njoftoi znj.Melson për mekanizmin, që do të themelojë Qeveria, ”Fondi i Ekselencës”, për të cilin edhe kërkoi mbështetje.

Në takimin e përbashkët me Përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, z. Arne S. Bjornstad dhe Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl, u bisedua edhe për gjendjen e mirë me pandeminë.

Në kohën kur i gjithë rajoni po përjeton një fluks të rasteve të reja, Kosova po dëshmon se ka menaxhuar mirë pandeminë, duke ruajtur edhe shëndetin e qytetarëve edhe të ekonomisë, tha kryeministri. Ai i njoftoi me situatën me pandeminë me ç ‘rast theksoi se Kosova mbetet vendi me mesataren më të lartë të vaksinimit në rajon dhe deri tash janë administruar afër 1.6 milion doza të vaksinës.

Duke folur për çështjet rajonale dhe dialogun, kryeministri tha se Republika e Kosovës është kontribuese e paqes dhe sigurisë në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin për bashkëpunim e integrim ekonomik brenda agjendës evropiane dhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian./arbresh.info/

Të ngjashme