Kurti: Kosova është në rënditjen më të lartë ndonjëherë në luftimin e korrupsionit

15:31 | 31 Janar 2023
A. B.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një raport të “Tranparency International” ku Kosova shënon progres në luftimin e korrupsionit.

Kurti në një reagim në Facebook ka thënë se qeveria e tij do të vazhdoj të qeverisë mirë e ndershëm.

“Luftimi i korrupsionit ishte ndër kërkesat kryesore të qytetarëve dhe prioriteti yni.

Për gati një dekadë Kosova ishte e ngujuar mes pozitave 105/104 nga viti 2012 deri në vitin 2020.

Për vetëm dy vite të qeverisjes sonë jemi përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishim në 2020 në vendin 84 në vitin 2022.

Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vite Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë kurse me qeverinë tonë në dy vitet e fundit jemi në shpejtësinë e 20.

Ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri.

Kjo është shpejtësia me të cilën mund ecim e duhet të ecim drejt së ardhmes kur qeverisim pastër, me dije e me integritet.

E unë jam i bindur, që populli ynë e shteti ynë ka potencial më shumë se kaq.

Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara që duke e pasuruar veten na e vjedhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë.

Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona.

Bashkë do të avancojmë demokracinë, rrisim mirëqenien, përmirësojmë imazhin dhe fuqizojmë Republikën tonë” shkruan Kurti në reagim. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme