Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Sarajevë, mori pjesë, si folës kyç, në diskutimin e organizuar nga Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krugg 99, me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve rajonale me fokus të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës”.
Në adresimin e tij fillestar, ai tha se në Sarajevë ka ardhur si mik dhe partner, jo vetëm si përfaqësues i vendit tim, duke shtuar se marrëdhënia jonë është e rrënjosur në njerëzit dhe vlerat që ne ndajmë – demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe një përkushtim të palëkundur për dinjitetin e çdo individi.
“Kosova dhe Bosnja janë të lidhura jo vetëm përmes historisë së përbashkët dhe lidhjeve familjare, por edhe përmes një të kaluare të dhimbshme dhe tragjike. Kosova i ka borxh Bosnjës në shumë mënyra. Në pjesën më të madhe, pikërisht për shkak të tmerreve që përjetoi bota këtu në Bosnje dhe Hercegovinë, NATO ndërhyri në Kosovë para se të ndërhynte në Bosnje, për të ndaluar gjenocidin e Serbisë. NATO-ja ndërhyri në Bosnje dhe Hercegovinë pas Srebrenicës, pra në vitin e katërt të luftës, ndërsa në Kosovë në vitin e dytë të luftës, për shkak të Srebrenicës”, tha kryeministri.
Ai theksoi se demokracia dhe shteti ligjor janë thelbësore, që do të thotë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por as nuk duhet të jetë jashtë ligjit.
“Për qytetarët e thjeshtë, prania e shtetit ligjor do të thotë liri, ndërsa për kriminelët do të thotë e kundërta. Prania e politikanëve mbi ligjin dhe e kriminelëve jashtë ligjit është arsyeja pse ne kemi një ndikim të madh të krimit të organizuar në rajonin tonë të Ballkanit. Janë pikërisht këto struktura që nxisin tensionet në rajonin tonë dhe kërcënojnë me konflikte dhe luftëra të reja.”
Sa i përket zhvillimeve në vend dhe qeverisjes, ai tha se Kosova nuk është një vend i madh, është një shembull i mrekullueshëm që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë së bashku.
“Jetojmë në kohë kur disa fuqi dhe superfuqi duan të dëshmojnë se zhvillimi dhe rritja ekonomike nuk kanë nevojë për demokraci, nuk kanë nevojë për të drejtat e njeriut, nuk kenë nevojë për shtet ligjor, por ne kemi treguar dhe dëshmuar se është e mundur të kemi rritje ekonomike nga njëra anë dhe përparim demokratik nga ana tjetër. Ne kemi treguar gjithashtu se në ndërkohë kemi menaxhuar me sukses disa nga sfidat më të mëdha të sigurisë. Ne duam të ndërtojmë miqësi me Bosnjën dhe Hercegovinën mbi këtë bazë dhe të shkojmë bashkë drejt integrimit euroatlantik sa më shpejt të jetë e mundur. Bosnja dhe Hercegovina nga njëra anë dhe Republika e Kosovës në anën tjetër nuk janë probleme, por Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës kanë probleme dhe një problem e kanë të përbashkët, e ai problem i përbashkët është fqinji juaj lindor dhe fqinji ynë verior i cili është fqinji i njëjtë. Ne nuk mund të ndryshojmë as gjeografinë e as historinë, por së bashku do ta ndryshojmë të ardhmen tonë për të mirë”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se boshnjakët janë faktor stabiliteti në të gjitha vendet e rajonit: në Serbi, ku shumica e tyre janë në Sanxhak, në Mal të Zi, ku janë grupi i tretë më i madh, si dhe në Kosovë, ku janë pakica më e madhe pas serbëve.
“Edhe boshnjakët kudo në Ballkan, si dhe në diasporë, bashkëpunojnë shkëlqyeshëm me shqiptarët, duke kultivuar mikpritje të pakushtëzuar, bashkëjetesë shoqërore dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Pra, le të punojmë së bashku sepse mund të bëjmë më mirë dhe më shumë”, tha ai, teksa i falënderoi të pranishmit për mikpritjen dhe për diskutimin, dhe i ftoi që të vijnë e ta vizitojnë Kosovë vitin e ardhshëm duke përfituar nga mundësia e udhëtimit me letërnjoftim nga 1 janari 2025.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti e përkthyer në shqip:
Përkthim jozyrtar
Ju falënderoj, kolegë të respektuar dhe miq të dashur, për këtë pritje kaq të sinqertë dhe të ngrohtë. Është me të vërtetë një nder dhe kënaqësi të jesh në Sarajevë. Ky është një qytet që mbart peshën e historisë dhe premtimin e së ardhmes në çdo gur dhe rrugë.
Për mua personalisht, Sarajeva është më shumë se vetë qyteti – është simbol i qëndrueshmërisë, diversitetit, një qytet intelektualësh dhe artistësh, kulturës dhe trashëgimisë. Në Sarajevë, çdo cep pëshpërit një histori krijimtarie, lufte dhe triumfi.
Siç e dini, më 3 dhe 4 dhjetor, ne, liderët e Ballkanit Perëndimor, duhej të takoheshim në Neum për planin e rritjes së Bashkimit Evropian. Pas Shkupit në janar, Tiranës në shkurt dhe Kotorrit në maj, Neumi duhej të ishte takimi i katërt i planit të rritjes këtë vit. Megjithatë, samiti në Neum u anulua. Por unë nuk mund ta anuloja vizitën time në Sarajevë.
Përpara se të vazhdoj, më lejoni një përkujtim miqësor. Nëse gaboj kur shprehem, kërkoj falje paraprakisht për gabimet në gjuhën boshnjake. Në shkollën fillore kam mësuar serbokroatisht nga një profesor malazez.
Do të doja ta filloja këtë fjalim me një citim të politikanit, të burgosurit politik, filozofit dhe shkrimtarit të madh boshnjak, i cili ishte edhe presidenti i parë i Republikës së pavarur të Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviç:
Më 9 korrik 1992, në takimin e OSBE-së në Helsinki, vetëm tre muaj pas fillimit të luftës, Presidenti Izetbegoviç tha: “Bosnja nuk u krijua nga shpërbërja e Jugosllavisë. Ajo ishte një mbretëri e pavarur evropiane gjashtë shekuj më parë. E vendosur në kufirin midis dy kishave dhe orientimeve të tyre të ndryshme shpirtërore, ajo ishte tashmë e njohur në vendet fqinje, përfshirë Selinë e Shenjtë. Pastaj erdhën shekuj histori të stuhishme, rezultati i së cilës është Bosnja dhe Hercegovina si një shtet multietnik, multifetar dhe multikulturor”.
Me fjalë të tjera, Bosnja ka ekzistuar para, gjatë dhe pas Jugosllavisë dhe do të vazhdojë të ekzistojë si një shtet demokratik shumëkombësh, multifetar dhe multikulturor që i nënshtrohet ligjit ndërkombëtar.
Po vij sot në Sarajevë si mik dhe partner, jo vetëm si përfaqësues i vendit tim. Marrëdhënia jonë është e rrënjosur në njerëzit dhe vlerat që ne ndajmë – demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe një përkushtim të palëkundur për dinjitetin e çdo individi.
Sarajeva është më pak se gjashtë orë larg Prishtinës, por për të arritur këtu, delegacioni im dhe unë duhej të kalonim barrierën e kufizimeve të vizave. Ju përcjell përshëndetjet e qytetarëve të Kosovës që shohin në Bosnje një mik të cilit i është mohuar miqësia për një kohë të gjatë. Por ne ndajmë historinë dhe kemi një të ardhme të përbashkët evropiane. Prandaj ne kemi vendosur të zbatojmë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime që e arritëm së bashku në procesin e Berlinit.
Kosova dhe Bosnja janë të lidhura jo vetëm përmes historisë së përbashkët dhe lidhjeve familjare, por edhe përmes një të kaluare të dhimbshme dhe tragjike. Kosova i ka borxh Bosnjës në shumë mënyra. Në pjesën më të madhe, pikërisht për shkak të tmerreve që përjetoi bota këtu në Bosnje dhe Hercegovinë, NATO ndërhyri në Kosovë para se të ndërhynte në Bosnje, për të ndaluar gjenocidin e Serbisë.
NATO-ja ndërhyri në Bosnje dhe Hercegovinë pas Srebrenicës, pra në vitin e katërt të luftës, ndërsa në Kosovë në vitin e dytë të luftës, për shkak të Srebrenicës. E di që gjenocidi në Bosnje dhe Hercegovinë mohohet. Dje kanë kaluar pesë vjet nga deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilën dua ta citoj: “Unë dhe të gjithë anëtarët e Listës Serbe përsërisim se Reçaku është i fabrikuar”. Pra, presidenti i Serbisë e quajti të frikshëm faktin që një politikan serb në Kosovë është dënuar me dy vjet burg, sepse ka thënë se masakra në Reçak është e sajuar. Tha se ai vetë e përsërit se ishte një krim i sajuar dhe pyeti a do të na gjykojnë të gjithë për këtë. “Është e frikshme”, u tha ai gazetarëve në Shabac pesë vjet më parë dhe vazhdoi: “Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, edhe unë po e përsëris tani, në Reçak krimi është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi mbarëbotëror, hajduti dhe askushi, Walker”, tha Vuçiq.
Por të dashur miq, besoj se të gjithë jemi dakord që në vend se të zemërohet, regjimit në Beograd duhet të turpërohet.
Dhe nuk mund të mos i kujtoj me këtë rast fjalët e Richard Holbrooke në parathënien e librit të Derek Schole, i cili thotë si në vijim, citoj: “Në distancë kohore, ka shumë gjëra që mund t’i kishim bërë më mirë para, gjatë dhe pas Dejtonit. Akoma më vjen keq, për shembull, që pranova t’i lija serbët e Bosnjës të mbajnë emrin Republika Srpska për entitetin e tyre. Presidenti i Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviç, kishte të drejtë kur më tha se ishte “emër nacist”. Ne duhej të ishim përpjekur më shumë për ta ndryshuar atë, për arsye praktike dhe simbolike.”
Pra, Serbia mohon gjenocidin në Kosovë, mohon gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, mohon masakrën në Srebrenicë, edhe masakrën në Reçak, mohojnë të kaluarën e tyre kriminale dhe me këtë vërtetojnë dhe tregojnë se në fakt ata do ta përsërisnin atë që kanë bërë nëse do të kishin përsëri mundësi, prandaj është shumë e rëndësishme që ne t’i forcojmë vendet tona dhe në këtë mënyrë tu ndihmojmë atyre që të mos përsërisin krimin e vet.
Ajo që nevojitet tani është udhëheqja që pasqyron diversitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe historinë dhe kulturën e saj unike. Ata liderë tashmë ekzistojnë këtu, liderë që i kapërcejnë ndarjet dhe bashkojnë njerëzit mbi bazën e nevojave dhe të drejtave të përbashkëta: punë dhe pagë të denjë, ndjenjën e drejtësisë dhe barazisë, shkolla dhe rrugë të mira, ajër të pastër, kujdes shëndetësor dhe social.
E ardhmja e Bosnjës nuk varet nga vendimet që maten me një ekuilibër të saktë midis tre entiteteve, por nga ajo që është e mirë për të gjithë boshnjakët si qytetarë. Varet nga liderët që ndërtojnë, jo shkatërrojnë.
Sot, rruga evropiane është më e rëndësishme se kurrë. Prandaj duhet t’i përkushtohemi rritjes ekonomike, përparimit demokratik dhe zhvillimit shoqëror.
Ata që duan të shkojnë në rrugë evropiane le të bashkohen me ne, ata që nuk duan le të largohen sepse Europa është kontinenti ynë, ne duam që nga ajo të përfitojmë por edhe të japim kontributin tonë.
Demokracia dhe shteti ligjor janë thelbësore, që do të thotë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por as nuk duhet të jetë jashtë ligjit. Shumë shpesh, ata që konsiderohen mbi ligjin janë të lidhur me ata që veprojnë jashtë ligjit.
Për qytetarët e thjeshtë, prania e shtetit ligjor do të thotë liri, ndërsa për kriminelët do të thotë e kundërta. Prania e politikanëve mbi ligjin dhe e kriminelëve jashtë ligjit është arsyeja pse ne kemi një ndikim të madh të krimit të organizuar në rajonin tonë të Ballkanit. Janë pikërisht këto struktura që nxisin tensionet në rajonin tonë dhe kërcënojnë me konflikte dhe luftëra të reja.
Prandaj për ne shteti i së drejtës është baza e çdo hapi. Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, si pjesë të patjetërsueshme të demokracisë, janë parimet mbi të cilat ne e bazojmë qeverisjen tonë në Republikën e Kosovës dhe e çojmë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë, ndërtimi demokratik i shtetësisë së Kosovës bëhet në bazë të librave dhe mësimeve të Perëndimit demokratik, dhe jo sipas trajtimit të tyre.
Edhe pse kemi pasur kërcënimet dhe sulmet më të mëdha nga Serbia, në këto katër vite kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike dhe përparimin demokratik që nga shpallja e pavarësisë. Ne treguam rezultate të mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe u ngjitëm për 20 vende në listën e Transparency International të perceptimeve të korrupsionit. Ndërkaq rritja mesatare ekonomike në tre vitet e qeverisjes tonë është 6.36% e prodhimit të brendshëm bruto; Rritja e dyfishtë e eksporteve dhe përmirësimi i raportit eksport-import nga 1:9 në 1:6; papunësia ka ra nga 26% në gati 11%. Ne kemi borxhin publik më të ulët në Evropë, vetëm 17%. Rritëm buxhetin e shtetit me 50% nga viti 2021 e deri më tani pa ndryshuar politikën fiskale. E dini, kur njerëzit besojnë se nuk ka korrupsion në qeveri dhe kur kanë shpresë e janë optimistë, atëherë janë gati të shpenzojnë më shumë dhe të kursejnë më pak. Dhe kjo është mirë, është më mirë për jetën e tyre dhe për ekonominë e shtetit. Këtë fitim, këtë rritje ne e shpërndamë te njerëzit, kështu që trefishuam pagën minimale, u kujdesëm për nënat dhe fëmijët me ndihmë financiare në bazë mujore dhe dyfishuam punësimin e të rinjve.
Në katër vitet e qeverisjes sonë, rritja mesatare ekonomike në fund do të jetë mbi 6%, pa rënë nën 4% në asnjë vit. Qarkullimi i ndërrmarjeve u rrit nga 12 miliardë euro që ishte para qeverisë sonë, në 22 miliardë euro këtë vit.
Ne siguruam arsim dhe studime falas dhe investuam në rini, sport dhe kulturë. Në vitin 2030 Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare. Vazhdojmë të ndërtojmë shumë stadiume të reja në gjithë territorin e Kosovës. Kemi ndarë 250 milionë euro vetëm për organizimin e këtyre Lojërave Mesdhetare.
Ne kemi dhënë më shumë se 300 milionë euro mbështetje financiare për gati 120 mijë fermerë. Rreth 10 milionë euro për gratë në bujqësi. I kemi thjeshtuar procedurat për aplikimin për subvencione. Kemi dhënë subvencione si për naftë ashtu edhe për pleh artificial dhe për rendiment, produktivitet në korrje, përveç se për sipërfaqen e arave të fermerëve në Kosovë.
E kemi miratuar ligjin për pagat në sektorin publik dhe me këtë kemi reduktuar dallimin e pagave, e cila ka rënë nga 1:20 në 1:4.78 dhe nga korriku i vitit të ardhshëm do të jetë 1:4. Sa më pak pabarazi, aq më e madhe është lidhja në shoqëri dhe aq më e madhe është kërkesa agregate në ekonomi.
Pra, nëse pabarazia bie në një shoqëri, kohezioni i asaj shoqërie rritet, por është edhe mirë për ekonominë sepse rritet edhe kërkesa agregate.
Bruto Produkti Vendor i Kosovës këtë vit është shtatë herë më i lartë në krahasim me vitin 2000, që ishte viti i parë i çlirimit, tre herë më i lartë në krahasim me vitin 2008 kur e shpallëm pavarësinë dhe 50% më i lartë se pesë vjet më parë, pra 2019, që është viti i parë pandemik. Pra, çlirimi dhe pavarësia edhe ekonomikisht u shpaguan.
Të hyrat tatimore në Kosovë këtë vit janë më të larta për 60% krahasuar me vitin 2019, 75% krahasuar me vitin 2020, pandemia, kur nuk kishim vaksina, dhe 40% krahasuar me vitin 2021, viti i parë i mandatit tonë.
Kemi kryer restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë 100 ndërhyrje në objekte, duke bërë kështu dy herë më shumë për trashëgiminë kulturore në krahasim me 20 vitet e mëparshme.
Organizuam ankand të suksesshëm të energjisë diellore dhe tani kemi përgatitur organizimin për një ankand të energjisë së erës. Ne kemi investuar në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes së mjedisit. Deri në fund të kësaj dekade, Kosova ka nevojë për shtatë miliardë euro investime në rreth 50 projekte që kanë të bëjnë me energjinë, mbrojtjen e mjedisit dhe transportin dhe ky do të jetë një investim nga buxheti ynë edhe nga sektori privat.
Rinovuam klinikat shtetërore dhe dyfishuam buxhetin për shëndetësi dhe mbrojtje. Po investojmë në mbrojtje – por, nëse më pyesni mua, mendoj se duhet të investojmë shumë më tepër para në njerëz dhe më pak në ushtri. Por atëherë lind pyetja, pse investojmë në ushtri? Sepse ne ende kemi liderë në Ballkan që përpiqen për ndarje dhe ekspansion territorial. Ata investojnë në ushtri për këto arsye dhe ne jemi të detyruar të shpenzojmë në mbrojtje. Problemi është pra, mentaliteti hegjemonist ekspansionist i fqinjit tonë verior.
Por prapë jam optimist në kuptimin që sot nuk ka më nacionalizëm të masës, si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorit. Sikur dikush të sillte një kamion me kallashnikov 30 vjet më parë, në shumë fshatra do ta kishin zbrazur për gjysmë ore. Por sot ju denoncojnë në polici. Pra, nëse të kapin me kallashnikov, të denoncojnë në polici dhe mendoj se ky është një progres shumë i mirë që kemi arritur. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm, sepse agresioni rus kundër Ukrainës përfaqëson një shkelje brutale të sovranitetit të një shteti të pavarur, një akt që na kujton momentet më të errëta të historisë evropiane. Kjo përpjekje e pamëshirshme për të shkatërruar identitetin dhe integritetin territorial ukrainas është reflektuar edhe në politikat separatiste në Ballkan. Ashtu si pushtimi rus është një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Evropë, edhe aspiratat secesioniste brenda tij përbëjnë një sfidë serioze për mbijetesën e një shoqërie demokratike. Është koha që të gjithë, në Kosovë, në Bosnje e Hercegovinë e më gjerë, të dënojnë politika të tilla që nxisin ndarje, dhunë dhe urrejtje, sepse heshtja përballë agresionit dhe separatizmit çon vetëm në konflikte dhe tragjedi të reja.
Sot siguria e vendit tim, Republikës së Kosovës, bëhet në sigurinë e kufijve tanë. Projekti i Serbisë së Madhe, që sot quhet Bota Serbe, nuk ka kufij sepse nuk i do dhe nuk mund t’i ketë. Prandaj, më së shumti duhet të ruajmë kufirin më të gjatë që kemi, pikërisht atë me Serbinë.
Serbia deklaron se Bosnja dhe Hercegovina mund të jetë një shtet i përkohshëm, ndoshta do të shpërbëhet, por më besoni, unë që i njoh shumë mirë, ata e thonë këtë nga frika se do të shpërbëhen vetë. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Serbia ka frikë se i ka ardhur radha asaj të shpërbëhet. E tash, sa here ta përmendin Republika Sërpskën në Beograd, të jeni të sigurt se ata e përmendin Republikën Srpska shumë më shpesh sesa mendojmë ne, për të mos përmendur Vojvodinën. Jemi dëshmitarë edhe të asaj se ndonjëherë bëhen paralele mes dy vendeve tona, por kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli Opinionin Këshillimor për Kosovën në korrik 2010, në të cilin deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, dikush nga Republika Srpska menjëherë u lajmërua dhe tha se ndoshta tani duhet ta përdorin atë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por gjërat janë diametralisht të ndryshme në kuptimin që, siç shkroi Noel Malcolm në paragrafin 112 të atij Opinioni, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmblodhi argumentin e paraqitur nga shumë shtete dhe me të cilin Gjykata ra dakord që kur Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244 mbi qeverisjen e Kosovës, nëse Këshilli i Sigurimit do të donte të pengonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, do ta kishte bërë këtë në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke në vetë tekstin e Rezolutës, siç bëri në Rezolutën 787 nga viti 1992 në lidhje me Republikën Srpska. Kapitulli relevant i Rezolutës 787 paragrafi 3 thekson se Këshilli i Sigurimit rikonfirmon fuqimisht thirrjen e tij drejtuar të gjitha palëve dhe të tjerëve të interesuar që të respektojnë rreptësisht integritetin territorial të Republikës së Bosnjë e Hercegovinës dhe të konfirmojnë se çdo entitet i deklaruar në mënyrë të njëanshme, ose zgjidhje të imponuara në kundërshtim me këtë paragraf, nuk do të pranohet. Parimi i kësaj Rezolute u respektua në Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha Republikës Srpska vetëm statusin e një entiteti brenda shtetit sovran të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ndërkaq të dashur miq, kur them se duhet të jemi të kujdesshëm, nuk e kam fjalën vetëm për agresionin rus në Ukrainë dhe mundësinë e përhapjes së këtij konflikti në rajonin tonë, por edhe për faktin se Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste brenda në viti e dy muajsh. E para më 24 shtator të vitit të kaluar, kur u vra polici, rreshter Afrim Bunjaku, dhe e dyta më 29 nëntor të këtij viti, që do të thotë javën e kaluar me sulmin në kanalin Ibër-Lepenci, i cili është me rëndësi kritike dhe jetike për furnizimi me ujë dhe energji elektrike. Prandaj, sulmi në këtë kanal është sulm ndaj popullatës civile, krim i ndaluar me Konventën e Gjenevës.
Tani, ne në Kosovë, mendoj edhe gjetkë në Ballkan, nuk e kemi më atë nacionalizmin e masave, që, siç thashë, kthehet në lëndë djegëse për makinerinë luftarake të diktatorëve të ndryshëm. Por me këtë sulm terrorist në infrastrukturën kritike në Kosovë, ku popullata civile sulmohet, është një përpjekje për të rikthyer nacionalizmin te qytetarët e thjeshtë. Sepse deri më tani ata kanë hedhur granata dore në stacionet e policisë, në ndërtesat e komunave të ndryshme, por tani, ky është sulmi i parë ku kanë shënjestruar popullatën civile.
Para kësaj, më 24 shtator 2023, ata u përpoqën ta zëvendësojnë njohjen de facto reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila buron nga Marrëveshja Bazike e Brukselit të vitit të kaluar, me një ndarje de facto në terren.
Tani do të doja t’ju tregoja pak se çfarë ndodhi atë javë më 24 shtator të vitit të kaluar. Në orët e para të mëngjesit më mori në telefon ministri i Brendshëm dhe më tha se kishin vrarë një nga oficerët tanë të policisë. Ai thotë se ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit. Dhe e pyes nëse kjo ka ngjarë afër manastirit ortodoks në Banjskë. Ai thotë po. Dhe duket se ata terroristë kanë hyrë edhe në manastir. Mendimi i parë që kisha në atë moment ishte Sarajeva, 1 mars 1992, kur u publikua lajmi se një prift ortodoks serb ishte vrarë gjatë një dasme. Më vonë zbuluam se ai në fakt ishte vetëm i plagosur, jo i vrarë, por askush nuk mund ta ndalte luftën më. Ai sulm terrorist ndodhi afër manastirit ortodoks të shekullit të 14-të në Banjskë të Zveçanit. Në oborrin e manastirit hynë edhe terroristët, disa dhjetëra prej tyre, dhe krejt rastësisht aty ishin edhe rreth 40 civilë, besimtarë, të cilët po atë ditë kishin ardhur nga Novi Sadi. Jam i bindur se Serbia po e bënte një kurthë, duke shpresuar se policia jonë do të qëllojë në manastir, ta lëndonte një nga civilët atje dhe me imazhin e manastirit ortodoks të shekullit të 14-të, i cili do dukej si djathi zviceran nga plumbat e Policisë së Kosovës do të shkonte nëpër botë dhe do t’i jepte shije fetare konfliktit në Kosovë. Sepse, e dini se çfarë tha Winston Churchill, i cili – duhet ta pranoj më pëlqen më shumë sesa jam dakord me të, tha – nëse e doni një konflikt apo një luftë që nuk mbaron kurrë, kthejeni atë në një luftë fetare, atëherë ai nuk ka fund. Këtë e donte Serbia në Banjskë. Për të thënë, nga njëra anë, këtu është policia myslimane shqiptare, dhe nga ana tjetër, manastiri ortodoks serb. Kjo do të thotë se me këta njerëz që vijnë nga vitet ’90, vitet ’90 kanë mbetur ende me ne. Por policia jonë nuk ra në atë grackë, ajo krijoi një perimetër rreth manastirit, shtatë policë tonë luftuan për më shumë se një orë e gjysmë me më shumë se tetëdhjetë nga ata terroristë paramilitar dhe nuk lanë të bjerë trupi i Afrim Bunjakut në duart e terroristëve dhe nuk i lanë ata të vrasin të gjithë njësinë tonë derisa forcat tona speciale të policisë mbërritën, dhe kur forcat tona speciale arritën atje, ata nuk më patën asnjë shans. Filluan të iknin në male, dhe e dini se çfarë- lanë shokët e tyre të plagosur dhe shokët e tyre të vrarë sepse ishin mercenarë. Për mercenarët, nëse në kontratë nuk ju shkruan se sa para marrin nëse sjellin trupin e shokut ose të një shoku të plagosur, nuk do ta marrin me vete. Kjo do të thotë se nuk bëhej fjalë për asnjë lloj njerëzish që besonin në diçka tjetër përveç parave. Kjo do të thotë se Policia e Kosovës është më legjitimja për sa i përket profesionalizmit, integritetit dhe tani serbët në pjesën veriore të Kosovës kur kanë ndonjë problem lajmërohen në policinë tonë. Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike dhe nuk ekziston më ajo frika, ajo frika nga ato grupe të ndryshme kriminale, struktura paralele, nga ata dhunues që terrorizojnë njerëzit pa dallim kombësie. Prandaj, Beogradi u bë edhe më nervoz, sepse sa herë që ke sukses ata janë edhe më agresivë, pikërisht për shkak të suksesit që ke arritur. Në të kaluarën ata e kontrollonin pjesën veriore të Kosovës, tani po bëjnë aksione terroriste pikërisht sepse nuk kanë më kontroll. Terrorizmi është krim, por të mos harrojmë se terrorizmi është edhe pafuqi. Terroristët janë të pafuqishëm, prandaj terrorizojnë. Tani serbët në Kosovë janë më të lirë se më parë dhe tani kemi një proces të integrimit real në institucionet e sistemit të Kosovës. Prandaj, në këtë progres pozitiv që jemi, mund të them se derisa Millosheviqi u rrit në mitin e Kosovës katër dekada më vonë, Vuçiq po bie mbi realitetin e Kosovës.
Lufta hibride është një përpjekje e përhershme për grusht shteti. Sot, lufta hibride është shndërruar në një luftë kinetike për shkak të sulmeve në infrastrukturën tonë kritike, por në të njëjtën kohë, ne nuk kemi kërcënime të brendshme të sigurisë si më parë që nuk mund t’i menaxhojmë dhe zgjidhim vet. Problemet e sigurisë të shkaktuara nga Serbia gjithmonë janë zgjidhur me forcën e ligjeve të shtetit demokratik. Ata me terrorizëm, ne me demokraci dhe për tre vjet e gjysmë ne jemi fitues gjatë gjithë kohës. E gjithë kjo po ndodh ndërkohë që ne jemi duke e zhvilluar këtë dialog në Bruksel. Kam përshtypjen se statusi i Serbisë në shekullin e 21-të është çështja e sotme dhe këtu statusi i marrëdhënieve me Kosovën është vendimtar. Në Bruksel nuk flasim më për statusin e Kosovës, ajo gjë ka përfunduar. Kosova është një republikë demokratike, një vend i pavarur. Por ajo që po bëjmë në Bruksel është se po diskutojmë statusin e Serbisë. Jam i nderuar që jam i ftuar të kontribuoj. Pra, pyetja e sotme është se cili është statusi i Serbisë për shekullin XXI. Partnerët tanë po përpiqen të përcaktojnë statusin e Serbisë sipas statusit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Pra, statusi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën është konstituiv dhe vendimtar për statusin e ardhshëm të Serbisë. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se të gjitha njësitë përbërëse të ish-Jugosllavisë shpallën pavarësinë, përveç Serbisë. Ne të gjithë shpallëm pavarësinë. Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, dhe tani është koha që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova, por do të thosha edhe nga Bosnja e Hercegovina, nga Kroacia, nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia e Veriut. Sepse siç thotë politikani i shquar serb, Nenad Çanak: në ish-Jugosllavi kishte tetë njësi dhe tani janë 7 shtete. Ku është një? E përsëris edhe një herë, Serbia dëshiron ta ndajë Bosnjën nga frika se do të ndahet vetë edhe më shumë. Ata po flasin për një lloj bashkimi imagjinar të Republikës Srpska për të mos folur për rikthimin e një shkalle të lartë të autonomisë në Vojvodinë.
Serbia, nga ana tjetër, vazhdimisht flet për kërcënimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. Por qytetarët e Kosovës me kombësi serbe do të bëhen qytetarë evropianë para se të bëhen qytetarë të Serbisë. Ne kujdesemi për të gjithë qytetarët tanë dhe garantojmë të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Ose, siç e parashtruan juristët eminentë të Këshillit të Evropës: Kosova garanton të drejtat e pakicave përtej çdo standardi ndërkombëtar. Sipas Kushtetutës sonë, të drejtat kolektive të komuniteteve joshumicë mbrohen. Ky kapitull i Kushtetutës është i pandryshueshëm, askush nuk mund të inicojë apo miratojë një amendament që do të zvogëlonte të drejtat e parashikuara në këtë kapitull. Kushtetuta parasheh kuota për anëtarët e pakicave në të gjitha emërimet më të larta shtetërore: në të gjitha gjykatat, Gjykatën Kushtetuese, Prokurorinë e Shtetit, bordet e institucioneve të pavarura, këshillat komunalë, si dhe punësimin në sektorin publik. Kushtetuta parashikon të drejtën e vetos për përfaqësuesit e pakicave në procedurën e amendamenteve të Kushtetutës. Kushtetuta parashikon një kategori ligjesh jetike, 18 prej tyre, miratimi dhe shfuqizimi i të cilave mund të bëhet vetëm me votat përbërëse të përfaqësuesve të pakicave në Kuvend (këto janë të gjitha ligje që kanë të bëjnë me arsimin, kufijtë e vetëqeverisjes lokale, çështjet kulturore, gjuhën, festat kombëtare etj. dhe kanë statusin e ligjeve vitale). Kushtetuta parasheh një kuotë të garantuar për minoritetet në postet e zëvendëskryeministrit dhe për herë të parë në Qeverinë e Kosovës zëvendëskryeministrja është nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi. Zëvendëskryeministri i qeverisë sonë ka qenë gjithmonë serb, tani kam një ministër serb, kam tre serbë që janë zëvendësministra, kam edhe një ministër nga komuniteti turk, egjiptian etj., por zëvendëskryeministrja është nga komuniteti boshnjak, i cili në fakt është pakica më e madhe pas serbëve. Edhe diçka tjetër duhet thënë me këtë rast: gjuha serbe është gjuhë zyrtare në të gjithë Kosovën në çdo nivel të administratës, në pasaportën time diplomatike shkruan Republika e Kosovës në alfabetin cirilik, kjo nuk është dëgjuar në kohën e ish-Jugosllavisë, Republika e Kosovës shkruan në alfabetin cirilik. Nga 38 komunat që i ka Kosova, 10 janë me shumicë serbe, falë Marti Ahtisaarit, i cili ishte ndërmjetës gjatë bisedimeve në Bruksel, para se ne të shpallnim pavarësinë. Përveç kësaj, kanali i dytë i televizionit publik RTK është në gjuhën serbe 24/7, kemi një zëvendës Ombudsperson serb, kemi serb në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike, në të njëjtën kohë 17% e këshilltarëve lokalë në Kosovë janë serbë. Kadetë të policisë në dy vitet e fundit, 11% janë serbë. Diskriminim pozitiv, veprim afirmativ, garantoj si kryeministër se kjo do të respektohet kudo dhe gjatë gjithë kohës.
Këtë po e bëjmë gjithsesi në Kosovë, edhe pse 93% e popullsisë janë shqiptarë, por unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, kemi edhe 4% serbë dhe gjithashtu 3% të komuniteteve tjera joshumicë. Tani problemi që kemi është ideja se disa njerëz nuk mund të jetojnë si pakicë dhe kjo ide është jo vetëm absurde, por edhe e rrezikshme. Nuk ka popull të zgjedhur. Të gjithë jemi shumicë në një vend dhe pakicë në një tjetër. Refuzimi për ta pranuar këtë do të thotë vazhdimi i rrugës së politikës së kaluar që në mënyrë të pashmangshme na çon në konflikte dhe kthim në të kaluarën. Serbët që janë integruar në Kosovë janë serb të lirë. Liria nuk është anarki, liria jeton më së miri dhe më së shumti aty ku kemi shtet ligjor.
Serbët në Kosovë e kuptojnë se Serbia nuk i zgjidh më problemet e tyre por i përdor ata për të na krijuar probleme. Serbia e dëshiron ndarjen e Kosovës, herë ndarjen territoriale e herë ndarjen e asociacioneve ekzistuese të komunave në Kosovë në pjesë serbe dhe shqiptare. Kosova është shpallur multietnike sipas propozimit të Marti Ahtisaarit. Serbia tani po kërkon një asociacion mono-etnik të komunave me shumicë serbe.
Pra, shantazhi nga Serbia është një zgjedhje e pamundur. Ata kërkojnë ose ndarjen e territorit të Kosovës ose ndarjen e asociacionit të komunave të Kosovës. Ndarjen e territorit në pjesë shqiptare dhe serbe ose ndarjen e asociacionit të komunave në komuna shqiptare dhe serbe. Ky shantazh është i papranueshëm dhe mendoj se ata tani e kanë kuptuar që nuk duhet të zgjedhësh asnjërën nga dy opsionet e këqija. Pra, Republika Demokratike e Kosovës i thotë jo shantazhit të Serbisë, por normalizimit të marrëdhënieve përmes reciprocitetit në njohje reciproke.
Të dashur miq,
Jemi shumë të kujdesshëm, por asnjëherë nuk kemi frikë edhe pse Serbia i mbështet në mënyrë aktive këto përpjekje të dhunshme për të destabilizuar Kosovën dhe ajo u inkurajua nga agresioni rus në Ukrainë.
Ne jemi një vend normal, por marrëdhëniet jonormale që kemi me Serbinë ekzistojnë sepse Serbia nuk është një vend normal. E dini, unë kam dalë nga burgjet serbe shumë kohë më parë, në fakt nesër bëhen 23 vjet që kam dalë nga burgjet serbe, por pushteti në Serbi nuk ka dalë nga koha kur unë isha i burgosur atje. Dhe është interesante se ata nuk e respektojnë kapitullimin në Kumanovë, të nënshkruar nga gjeneralët e Millosheviqit: Svetozar Marjanoviq dhe Obrad Stevanoviq. Këta të dy, njëri gjeneral policie dhe tjetri gjeneral i ushtrisë, me gjeneralin Mike Jackson, nënshkruan kapitullimin e Serbisë më 9 qershor 1999. Forcat e NATO-s hynë në Kosovë, ndërkaq ushtria dhe policia serbe kishin 11 ditë kohë për të dalë në drejtim të Serbisë. Tani mendoj se më e pakta që mund të bëjë Beogradi zyrtar është të respektojë kapitullimin e Millosheviqit. Milosheviqi ka kapitulluar, por ata nuk e respektojnë kapitullimin e Millosheviqit, kjo do të thotë se ata duan një tjetër kapitullim. Si mund ta kuptojmë ne ndryshe këtë? Ata thonë gjatë gjithë kohës se Millosheviqi ishte një lider i madh, porse i ka bërë disa gabime. Nëse ai ishte një lider i madh dhe kapitulloi, atëherë ata duhet të paktën ta respektojnë këtë, por ata nuk e njohin atë kapitullim sepse duan të jenë dhe të tregohen Millosheviqa më të mëdhenj se vetë Millosheviqi. Këtë fenomen e shoh kudo. E shoh se si znj. Svijaroviç dhe z. Dodik duan të tregohen se janë serbë më të mëdhenj se Vuçiqi dhe rusë më të mëdhenj se Putini sikurse Vuçiq që dëshiron të tregohet se është Millosheviq më i madh se Millosheviqi. Pra, thelbi i problemit është se ata nuk e respektojnë kapitullimin e Millosheviqit. Atyre nuk u intereson aq viti 2008, kur ne shpallëm pavarësinë, por 1999, kur u liruam. Tani, kjo po ndodh në një kohë kur Rusia, e cila ka qenë gjithmonë antiperëndimore, pas agresionit në Ukrainë, është gjithashtu anti-evropiane. Prandaj sot Bashkimi Evropian është më i rëndësishëm se kurrë.
Për vite me radhë, Serbia ka vepruar si një zgjatim i interesave ruse në Ballkan, duke përdorur lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe kulturore për të destabilizuar rajonin. Nëpërmjet mbështetjes së hapur për Republikën Srpska, d.m.th., Bosnjës verilindore dhe politikat e saj secesioniste, si dhe përmes refuzimit të saj për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit kundër Ukrainës, Serbia kontribuon në mënyrë aktive në përhapjen e ndikimit rus. Duke propaganduar retorikën pro-ruse dhe varësinë energjetike nga Rusia, Beogradi bëhet një mjet kyç i Moskës në përpjekjen e saj për të bllokuar integrimin evropian dhe të fus destabilitet në rajon. Kjo politikë jo vetëm që kërcënon paqen dhe stabilitetin e Ballkanit, por cenon edhe sovranitetin e vendeve fqinje dhe të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian. Ndërkaq duke marrë pjesë në takimet e BRICS-it, Serbia mori rolin e dëshmimit se në tokën evropiane ka një jetë të mirë, madje edhe më të mirë jashtë BE-së dhe NATO-s. Pra, kjo është detyra që Serbia mori nga Kremlini, për të dëshmuar se ka një jetë më të mirë jashtë Bashkimit Evropian dhe jashtë NATO-s.
Në tre vjetët e fundit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia ka eksportuar në Rusi rreth tre miliardë e gjysmë mallra dhe shërbime, ndërsa ka importuar rreth gjashtë miliardë euro. Tani po sillet si Rusia e vogël në Ballkan sepse duan një Serbi të madhe. Ne e dimë se ky degradim është në çdo sferë të jetës në Serbi, përfshirë median dhe kulturën. Serbia para një çerek shekulli kishte dyshen Zoran Gjinxhiq – Slavko Quruvija, ndërsa tani ka kaluar në dyshen Aleksandar Vuçiq – Zhelko Mitroviq. Serbia është vendi më kiç në Evropë. Dhe nuk është për t’u habitur që partitë e gjenocidit janë në pushtet atje (SPS dhe SNS), të cilat vazhdojnë rrugën e radikalëve.
Detyra jonë është t’i drejtohemi Evropës sa më shpejt dhe në kuptimin më të plotë të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Kurse paqja e qëndrueshme evropiane në Ballkan do të arrihet kur rruga “Ilija Garašanin” në Beograd të riemërtohet në rruga “Latinka Perović”.
Të dashur miq,
Boshnjakët janë faktor stabiliteti në të gjitha vendet e rajonit: në Serbi, ku shumica e tyre janë në Sanxhak, në Mal të Zi, ku janë grupi i tretë më i madh, si dhe në Kosovë, ku janë pakica më e madhe pas serbëve. Edhe boshnjakët kudo në Ballkan, si dhe në diasporë, bashkëpunojnë shkëlqyeshëm me shqiptarët, duke kultivuar mikpritje të pakushtëzuar, bashkëjetesë shoqërore dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Pra, le të punojmë së bashku sepse mund të bëjmë më mirë dhe më shumë.
Ju faleminderit shumë!
Faleminderit shumë për këtë mikpritje dhe për të gjitha diskutimet. Askush nuk vjen në Sarajevë e për të mos u kthyer së shpejti. Pra do të ketë edhe më shumë ardhje nga ana jonë, nga Republika e Kosovës në Sarajevë, por gjithashtu edhe ju, sepse mundeni tani të vini vetëm me letërnjoftim. Ejani vitin e ardhshëm dhe aty do të keni një mik, një partner në formën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të shtetit tonë të pavarur.
Në fund, dua të theksoj se edhe pse Kosova nuk është një vend i madh, është një shembull i mrekullueshëm që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë së bashku, jetojmë në kohë kur disa fuqi dhe superfuqi duan të dëshmojnë se zhvillimi dhe rritja ekonomike nuk kanë nevojë për demokraci, nuk kanë nevojë për të drejtat e njeriut, nuk kenë nevojë për shtet ligjor, por ne kemi treguar dhe dëshmuar se është e mundur të kemi rritje ekonomike nga njëra anë dhe përparim demokratik nga ana tjetër. Ne kemi treguar gjithashtu se në ndërkohë kemi menaxhuar me sukses disa nga sfidat më të mëdha të sigurisë. Ne duam të ndërtojmë miqësi me Bosnjën dhe Hercegovinën mbi këtë bazë dhe të shkojmë bashkë drejt integrimit euroatlantik sa më shpejt të jetë e mundur. Bosnja dhe Hercegovina nga njëra anë dhe Republika e Kosovës në anën tjetër nuk janë probleme, por Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës kanë probleme dhe një problem e kanë të përbashkët, e ai problem i përbashkët është fqinji juaj lindor dhe fqinji ynë verior i cili është fqinji i njëjtë. Ne nuk mund të ndryshojmë as gjeografinë e as historinë, por së bashku do ta ndryshojmë të ardhmen tonë për të mirë./Arbresh.info
Kurti paralajmëron për sulme të reja nga Serbia: Pritet të n...
Medon Berisha flet pasi është kthyer në një titullar të padi...
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...