Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar rreth vizitave të tij të realizuara në Bruksel dhe në Itali.
Me anë të një postimi të gjatë, ai tregoi edhe përbashkëbisedimin me mërgatën, shkruan Arbresh.info.
Kurti u shpreh se kontributi i diasporës për vendin tonë mbetet madhor përmes investimeve të tyre në Kosovë por edhe punës në programe të ndryshme të përbashkëta si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera.
Postimi i plotë:
Pas takimeve dhe drekës së ftuar nga Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Brukseli udhëtuam drejt Venecias ku u takuam me diasporën tonë, vizituam Pavijonin e Kosovës, Bienalen e Venecias dhe Pallatin Dukal, si dhe mora pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Programit Evropian të Masterit në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (EMA).
Në bashkëbisedimin me mërgatën, folëm mbi zhvillimet e më shumë se tre vite e gjysmë të mandatit tonë qeverisës, progresit që ka njohur shteti dhe sinergjia në bashkëpunimin me diasporën që sa vjen e rritet.
Kontributi i diasporës për vendin tonë mbetet madhor përmes investimeve të tyre në Kosovë por edhe punës në programe të ndryshme të përbashkëta si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera.
Bashkë edhe me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, vizituam edhe Pallatin Dukal, i cili përveç hijeshisë dhe madhështisë së tij të gjithmbarshme nën stilin Gotik, shfaqte edhe ekspozitën mbi jetën e Marco Polo, eksploruesit dhe tregtarit venecian të shekullit të XIII-të, në shënim të 700-vjetorit të vdekjes së tij. Ekspozita pasqyron larminë shumëdimensionale të veprimtarisë së tij e marrëdhëniet mes kulturave të ndryshme anembanë botës.
Vetëm 800 metra më larg e 12 minuta në këmbë, gjendet Pavijoni i Kosovës, i cili u vlerësua me Mirënjohje të Veçantë në Ceremoninë e Çmimeve të Edicionit të 60-të të Ekspozitës së Artit. “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” nga artistja Doruntinë Kastrati, me kurator Erëmirë Krasniqin dhe komisionere Hana Halilaj, është bërë pjesë e jetës vibrante artistike dhe hapësirë që duhet përjetuar e nuk duhet humbur nga vizitorët e turistët nga e gjithë bota. Nga Pavijoni vazhduam drejt “Giardini della Biennale”, në ekspozitën qendrore të Adriano Pedrosa me të titullin “Të Huaj Kudo – Stranieri Ovunque”, që shqyrton ndjesinë e përkatësisë në një botë të globalizuar. Ajo vendos theks në multikulturalizmin dhe përvojat e përjetimit si qytetarë të botës.
Qëndrimin atje, e përmbyllëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Programit Evropian të Masterit në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin (EMA), e ku në adresimin para tyre shpreha se fundi i këtij rrugëtimi akademik për ta përfshin dy momente historike: 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut; dhe herën e 20-të që studentët e programit EMA vizituan Kosovën për të mësuar më shumë mbi vendin tonë që nga çlirimi në vitin 1999./Arbresh.info/
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës