I nomiuniari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve.
Kurti ka thënë përmes një statusi në Facebook se nëse koha shëron plagët për të gjallët, kjo nuk ndodh me të pagjeturit.
Lexoni të plotë postimin e tij:
30 gushti, Dita e Ndërkombëtare e të Pagjeturve
“Kalimi i kohës nuk është shërues për familjet e të pagjeturve. Vetëm përgjigjet mund t’ju ndihmojnë atyre që të shikojnë drejt ardhmërisë dhe të parandalojnë që ankthi i tyre të shndërrohet në urrejtje të përhershme.” – nga deklarata e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Komisionin e Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Varshavë, 23 nëntor 2004
Tetëmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë edhe 1658 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Mungojnë njerëzit që janë e vërteta e një shteti. Mungon e vërteta për ta. Janë të gjallë apo të vdekur? Nëse janë vrarë, a ndodhen në ndonjë varrezë masive apo trupat e tyre janë djegur nëpër shkritore?
Dikur, disa herë gjatë vitit, ktheheshin nga Serbia dhjetëra thasë me numra që përmbanin nga një grumbull jo të plotë të eshtrave. Shumë familje kosovare u detyruan t’i hapin sërish varret e më të dashurve të tyre për të varrosur edhe eshtrat e një gjymtyre të tyre që u kthye më vonë.
Dikur moti kjo. Sepse sot ka ngecur gjithçka sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është zhvilluar duke harruar edhe historinë që e (për)jetuam. Nëse nisim dhe rrëmojmë të kaluarën atëherë do të dalin krime të mëdha dhe të tmerrshme. Kjo do t’ia dobësonte pozicionin Serbisë karshi Kosovës, të cilën ajo ende nuk e njeh si të pavarur.
Në qershor të vitit 1999, me rastin e tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, afër 6.000 shqiptarë u morën peng dhe u dërguan në Serbi. Mbi 2.050 përfunduan në burgje zyrtare. U liruan në grupe të vogla përgjatë tri vjetëve të ardhshme. Të tjerët u shpallën të zhdukur.
Jo vetëm personat e rrëmbyer, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Familjet e të zhdukurve janë në ankth ose madje edhe të traumatizuara.
Përherë ka qenë shumë rëndë për to që të shohin zhvarrosjet nëpër Serbi dhe se si kufomat mbesin në duart e kriminelëve që i kanë vrarë ata. Përkundër gjithë kësaj, familjarët e të pagjeturve asnjëherë nuk e kanë ndalur angazhimin. Edhe atëherë kur arrestoheshin nga policia për shkak të ‘prishjes së rendit e qetësisë publike’! Edhe atëherë kur dihej se suksesi i aktivizmit të nënave ishte veçse ca thasë të kthyer nga Serbia me eshtrat e djemve të tyre! Ato përherë kanë kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi nga autoritetet për të arritur tek e vërteta për më të dashurit e tyre.
Por, çështja e pengjeve të pagjetura gjithsesi tejkalon dimensionin e problemit të familjeve të tyre, dhe është problem i Kosovës. Të pagjeturit të gjithëve na mungojnë, e me këto fjalë shpreh dhembshurinë dhe pikëllimin e të gjithë neve për të gjithë ata që s’janë me neve sot, por shpreh edhe respektin tonë për dinjitetin e tyre individual. Për ne këta njerëz nuk janë numra por individë; çështja e tyre nuk është statistikë por është problem humanitar dhe kombëtar.
836 shqiptarë janë gjetur vetëm nëpër varrezat masive në Batajnicë afër Beogradit kurse dhjetëra të tjerë janë nxjerrë nga lumejtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj. Çështja e të zhdukurve e bën të pamundur përfundimin e konfliktit, pajtimin dhe një fillim të ri të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë dhe të popujve të këtyre dy vendeve. Lufta shkatërroi jetërat e shumë njerëzve por ndërtoi kujtime të hidhura të pashlyeshme. Drejtësia restauruese është e domosdoshme e për të janë të nevojshme gjykata të pavarura në Kosovë e Serbi, shumë vullnet politik e njerëzor, gjetje dhe mobilizim i dëshmive dhe dëshmitarëve, kompenzim për viktimat. Nëse koha shëron plagët shpirtërore të të gjallëve për të vdekurit ajo i rrit ato kur bëhet fjalë për personat e pagjetur.
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...