Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kujtuar se më 19 prill 2018 u bënë pesë vjet nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, apo, marrëveshja Thaçi-Daçiq, siç njihet më shumë.
Sipas tij, nëse marrëveshja Mustafa-Vuçiq e 25 gushtit 2015 vendosi konstruksionin e “Zajednicës”, kjo marrëveshja Thaçi-Daçiq i pat vënë themelet e saj.
“Sipas kësaj marrëveshjeje e cila shërbeu si platformë e ‘Zajednicës’, serbët e Kosovës të ndarë nëpër komunat me shumicë serbe bëhen bashkë me Beogradin e nën Beogradin. Pika 1 e saj thotë se do të krijohet ‘Zajednica’, pika 2 se Kosova nuk e shpërbën dot, por vetëm ajo vetveten me 2/3, pika 4 se ajo do të ketë mbikëqyrje të plotë për zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi, planifikim urban dhe rural, dhe, pika 6 se ‘Zajednica’ do të ketë rol përfaqësues te autoritetet qendrore. Më tej, pika 9 thotë se komandanti i policisë për katër komunat në veri të Ibrit duhet të jetë serb (thua se të qenit serb është zotësi profesionale e jo identitet kombëtar), ndërkaq pika 10 parasheh ndarjen mbi baza etnike të Gjykatës së Apelit, një divizion i së cilës vendoset në mënyrë të përhershme në Mitrovicën veriore”, ka shkruar Kurti, në një shkrim të gjatë në profilin e tij në Facebook.
Kurti, ka shkruar tutje se sikur të instalohej “Zajednica” e Serbisë në Kosovë, atëherë do të fitonim dy lloj shqiptarësh dhe dy lloj serbësh.
“Shqiptarët shumicë në Kosovë jashtë ‘Zajednicës’ dhe ata pakicë që mbeten në ‘Zajednicë’; serbët shumicë në ‘Zajednicë’ dhe serbët pakicë që mbeten jashtë ‘Zajednicës’. Pra, do të kishim qytetarë serbë të rendit të dytë (jashtë ‘Zajednicës’ dhe brenda Kosovës) dhe qytetarë shqiptarë të rendit të dytë (brenda ‘Zajednicës’ e disi jashtë Kosovës). Sepse, në Kosovë ka banorë serbë në mbi 75% të komunave të shtetit tonë e jo vetëm në 10 komuna sa do t’i kishte ‘Zajednica’; dhe, as 75% nuk do të ishin serbë në territorin e ‘Zajednicës’”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, “Zajednica” ka një mospranim unanim në Kosovë.
“Kundër saj u zhvilluan protestat e peticioni më i madh ndonjëherë pas luftës. Shumica dërmuese e pakicës serbe në Kosovë, pra qytetarët e vërtetë dhe jo instrumentet e Serbisë, as nuk e dinë çfarë do të thotë dhe as nuk besojnë se iu duhet ky organizimi ‘Zajednicë’. Gjithnjë e më shumë ka familje, gra e burra serbë të Kosovës që janë të acaruar nga kjo temë e cila për ta është krejt abstrakte dhe ka marrë gjithë vëmendjen përkundër problemeve të vërteta sociale e ekonomike që ata kanë si shtetas të Kosovës, sikurse edhe shqiptarët”, ka thënë Kurti.
Dialogu gjashtëvjeçar për normalizim nuk e bëri as normalizimin e dialogut, thotë më tej deputeti i Kuvendit të Kosovës.
“Serbia nuk është shtet normal sepse e konsideron Kosovën si të saj dhe nuk është ballafaquar me krimet e saj nga e kaluara. Kosova nuk është shtet normal sepse e ka Mitrovicën të ndarë dhe mjerimin social gjithandej. Marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë gjithsesi vazhdojnë të mos jenë normale. Edhe kalendari i dialogut po ashtu nuk ishte normal teksa varej aq shumë nga frika e Thaçit prej gjykatës speciale dhe ambicia e Vuçiqit për anëtarësim të Serbisë në BE e për bosnjëzim të Kosovës. Dialogu 2011-2017 pati dy dëme kryesore për neve: formimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, dhe, marrëveshjen për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, nuk ka kuptim të nisë dialogu i ri pa tri faza paraprake:
1) Vlerësimi zyrtar shtetëror i dialogut 2011-2017 dhe gjendja e zbatimit të marrëveshjeve, si dhe dërgimi i Marrëveshjes Thaçi-Daçiq në Komisionin e Venecias;
2) Diskutime të hapura dhe demokratike (me UP dhe AShAK, organizatat studentore dhe sindikatat e punëtorëve, Trepçën, PTK-në dhe KEK-un, kryetarët e komunave, komunitetin e biznesit, shoqatat e familjeve të të pagjeturve, pakicat kombëtare etj.) dhe debate në Kuvendin e Kosovës (me komisionet parlamentare dhe në mbledhje plenare) mbi parimet, kërkesat, kushtet dhe formatin e dialogut të ardhshëm;
3) Formimi i konsensusit nacional që shprehet me aprovimin në Kuvendin e Kosovës të ekipit, mandatit dhe strategjisë për dialog, si dhe me aprovimin me referendum të marrëveshjes përfundimtare.
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...