Kurti: Kemi rritur buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që të rrisim kapacitetet për FSK-në

17:18 | 4 Tetor 2021
Përparim Bublaku

Në një takim virtual, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kolonelin Ejup Maqedonci, bisedoi me pjesëtarët e Forcës së

Sigurisë së Kosovës, të cilët janë duke studiuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, në Mbretërinë e Bashkuar.

Pjesëtarët e FSK-së, nëntogere Doruntina Bërbatovci, nëntogere Flutura Salihu, kadet Valdrin Selimi, kadet Diar Statovci dhe kadet Shpëtim Halilaj e njoftuan kryeministrin për mbarëvajtjen e studimeve dhe performancën e tyre në akademinë e mirënjohur në Sandhurst.

Duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së oficerëve në Akademinë Ushtrarake në Sandhurst të Britanisë së Madhe, që njihet për traditën ushtarake dhe veçanërisht për nivelin e lartë të edukimit ushtarak, kryeministri vlerësoi punën e shkëlqyeshme dhe të suksesshme të pjesëtarëve në FSK-së në Akademinë Ushtarake Mbretërore.

“Edhe në të kaluarën oficerët tanë kanë treguar rezultate jashtëzakonisht të larta duke sjellë në Kosovë shpatën e Princit Charles dhe medaljet e çmimet më të larta të Akademisë. Kjo nuk ishte aspak e lehtë kur kemi parasysh konkurencën dhe nivelin e lartë të oficerëve britanikë dhe ndërkombëtarë në atë akademi”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se gjatë kësaj periudhe Qeveria e Kosovës ndër prioritetet kryesore ka pasur rritjen e buxhetit për ushtrinë.

“Vendimi për rritjen e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes ka synim që vendi ynë të ndërtojë kapacitetet e mbrojtjes, me qëllim që FSK të jetë e gatshme të mbrojë territorin e vendit tonë, të ruaj rendin kushtetues, të mbështesë autoritetet civile në rast krizash si dhe të jetë e gatshme për pjesëmarrje në operacione ushtarake ndërkombëtare“, tha ai.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës e falënderuan kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës dhe FSK-ja, si në aspektin e mirëqenies së pjesëtarëve atje, ashtu edhe për kujdesin dhe motivimin e vazhdueshëm./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme