E ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës është dialogu dhe njohja mes këtyre shteteve.
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel e sheh veten edhe si “lobistja e Kosovës në Evropë”.
“Nëse Kosova nuk dëshiron të humbasë perspektivën e saj evropiane, dialogu me Serbinë duhet të jetë prapë në listën e prioriteteve të Albin Kurtit dhe qeverisë së re”, thotë Viola von Cramon-Taubadel, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën. Gjatë fushatës elektorale kjo çështje është neglizhuar shumë me shpjegimet se Kosova ka nevojë për reforma të brendshme. Bashkimi Evropian, natyrisht që i mirëpret reformat, sepse ato janë vërtet të nevojshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendosjen dhe forcimin e shtetit ligjor, por edhe reformimin e ligjit zgjedhor, sistemin arsimor ose të kujdesin shëndetësor.
Por von Cramon-Taubadel pohon se nga perspektiva e Brukselit edhe dialogu ka një rëndësi të madhe: “Ne nuk mbështesim asnjë opsion ose – ose. Detyra jonë është të ndihmojmë në zbatimin e reformave, por edhe të sigurohemi se ekziston gatishmëria për dialog dhe për të arritur kompromise politike. Kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
Serbia duhet ta njohë Kosovën
Por për dialog kërkohen dy palë. Ndaj anëtarja e ekologjistëve gjermanë në Parlamentin Evropian ka një mesazh shumë të qartë edhe për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq: “Njohja e Kosovës është kusht për përparimin e mëtejshëm në negociatat midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Kjo i është thënë qartë Beogradit. Shpresojmë që kjo të ketë efekt në Beograd. Ka disa sinjale në atë drejtim. Presidenti Vuçiq një herë tha se një ditë do të ketë gjëra që Serbia do të duhet të gëlltisë, dhe të cilat nuk do t’i pëlqejnë. Tani pyetja është kur ky qëndrim do të jetë në gjendje të ketë mbështetjen e shumicës në vend”.
Këtë pozicion e përfaqëson edhe raportuesi i dytë i BE-së për Kosovën, Lukas Mandl, deputet austriak i Partisë Popullore (ÖVP). “Evropa e sotme e mirëqenjes dhe lirisë u krijua, sepse ne arritëm t’i kapërcejmë konfliktet irracionale midis grupeve etnike, kombeve, feve ose ideologjive. Ato kanë sjellë kaq shumë fatkeqësi në të kaluarën, sa që ne nuk do t’i lejojmë më askund në Evropë, pra as në Ballkan. Konfliktet e këtilla i përkasin të kalurës historike”, thotë Mandl.
Ai e sheh të ardhmen e Kosovës në integrimin e këtij vendi në Evropë dhe në bashkëpunimin me fqinjët e saj. Ai beson se Kosova mund të bëhet “Silicon Valley Europe” – vendi ka një popullsi shumë të re, këta njerëz duan të mësojnë dhe janë shumë të angazhuar në fushën e informatikës dhe teknologjive të reja.
Kur bëhet fjalë për disa nga pikëpamjet e mëparshme të Albin Kurtit, Von Cramon-Taubadel dhe Mandl kritikojnë “nacionalizmin populist” të tij të mëparshëm, por theksojnë se ai ka kohë që e ka kapërcyer këtë dhe është shndërruar në një politikan të moderuar. Kjo u pa gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore, ku tema e një “Shqipërie të Madhe” nuk luajti asnjë rol. Duke komentuar faktin se partia e Kurtit Vetëvendosje po hap degët e saj edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, von Cramon-Taubadel beson se kjo nuk është veçanërisht e rëndësishme dhe thotë se në këtë drejtim ajo është “e relaksuar”.
Roli i BE dhe SHBA
Por në këtë proces, të dy vendet kanë nevojë për mbështetjen aktive të bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha Bashkimin Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Të dy raportuesit janë shumë të qartë se BE ka dështuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, Parlamenti Evropian vazhdimisht e ka kërkuar këtë lkiberalizim, por disa vende, kryesisht Franca, po e bllokojnë këtë proces. “Kjo natyrisht që ka shkaktuar zhgënjim të madh. BE dështoi dhe kështu humbi besueshmërinë në mënyrë të konsiderueshme. Nëse duam të inkurajojmë Kosovën të shkojë drejt dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, ata duhet të përfitojnë diçka. E ata nuk kanë asgjë nëse Evropa është të paaftë për të bërë punën e saj, detyrat e saja të shtëpisë”, thekson Viola von Cramon-Taubadel.
BE shpreson se në këtë proces do ta ketë edhe mbështetjen e administratës së re amerikane. Në letrën e tij drejtuar Vuçiqit, presidenti amerikan e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara presin njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës nga njëra anë dhe vazhdimin e procesit të integrimit evropian nga ana tjetër. Sipas Mandl, kjo është e rëndësishme për shkak të rëndësisë gjeopolitike të rajonit, duke marrë parasysh se edhe Rusia, Kina, Turqia dhe Arabia Saudite po tregojnë interes për të. Në këtë kontekst, të dy Mandl dhe von Cramon-Taubadel, theksojnë se ideja e shkëmbimit të territorit midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka mbështetjen e BE. Pozicioni i BE është i qartë: kufijtë ekzistues duhet të respektohen në të gjithë Ballkanin.
Ambasada në Jerusalem (nuk) është problem
Përparimi i procesit të integrimit evropian i të dy vendeve, është në interesin e qytetarëve atje, por edhe në interesin e vetë Bashkimit Evropian. Vendimi i Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem sigurisht që nuk është vendim i lumtur, thotë von Cramon-Taubadel, sepse BE vazhdon të këmbëngulë në konceptin e dy shteteve si zgjidhja e vetme e qëndrueshme dhe e drejtë e çështjes palestineze. Por ajo thekson se “nga ana tjetër, është mirë që autoritetet e reja të Kosovës të respektojnë marrëveshjet dhe të zbatojnë vendimet e marra nga paraardhësit e tyre”. Kjo nuk ndodh gjithmonë në vendet e tjera në rajon. ”BE këtu ka mendime të ndryshme.
Si një shpjegim i mundshëm shtesë, dhe një rrethanë lehtësuese, von Cramon-Taubadel, e cila thotë hapur se veten e sheh si “lobuese për Kosovën brenda Evropës”, citon burime anonime të informuara mirë në Prishtinë të cilët thonë se Izrali i ka premtuar Kosovës një milion vaksina kundër virusit Corona në qoftë se ajo e vendos ambasadën e vet në Jerusalem. Ajo ka për këtë mirëkuptim të plotë, veçanërisht pasi BE nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë ate deri më tani.
Politika e vaksinimit në Serbi është “e rrezikshme”
Në të njëjtën kohë, dy reportuesit, për dallim prej perceptimit në opinionin evropian, nuk mendojnë se fushata e vaksinimit në Serbi është një histori pozitive. Viola von Cramon-Taubadel beson se implikimet gjeopolitike të procesit të vaksinimit në Serbi janë “injoruar” brenda BE, veçanërisht kur bëhet fjalë për vaksinën ruse Sputnik V. Nuk ka të dhëna të pavarura mbi efektivitetin e kësaj vaksine, e skandalet me doping kanë treguar shkallën e mundshme të manipulimit të shkencëtarëve në Rusi. “Edhe pse BE dërgoi më shumë pajisje mjekësore, mediat serbe flasin shumë pozitivisht për Rusinë dhe Kinën, e për BE flasin kryesisht me tone negative.
Kjo nuk është rastësi, pas këtyre gjërave qëndron një sistem i tërë. Por herët a vonë, Serbia duhet të vendosë se ku qëndron me të vërtetë”, thotë von Cramon-Taubadel. Edhe Lukas Mandl është i bindur se “politika e vaksinimit në Serbi nuk është e suksesshme, por e rrezikshme”, sepse përshtatet me përpjekjet nga jashtë për të provokuar konflikte brenda Bashkimit Evropian dhe kështu të shkaktojë përçarje në BE./DW/
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës