Google ADS

Kurti jep detaje për vizitat e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, falënderon diasporën për mikpritjen

10:17 | 2 Mars 2024
K.B

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka dhënë detaje për vizitat e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Kurti tha se fillimisht është mirëpritur nga diaspora, të cilët i falënderoi për mikpritjen dhe bashkëbisedimin.

Ai përmend edhe takimin me kryeministrin irlandez, Leo Vardakar, me të cilin kanë biseduar për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda ishin destinacionet e radhës të vizitave tona zyrtare.
Vizitën që e nisëm në Londër e përmbyllëm në Dublin, ku ishte kënaqësi të kthehem pas 20 vjetëve. Aty fillimisht u mirëpritëm ngrohtësisht nga diaspora jonë në Irlandë, të cilët i falënderoj për mikpritjen dhe bashkëbisedimin. Të nesërmen u mirëpritëm nga Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ministri i shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe vizituam Universitetin e Qytetit të Dublinit (DUC) për mundësi të reja të bashkëpunimit”, shkruan Kurti.

Kurse për vizitën në Londër, Kurti mori pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, ku bën të ditur se kanë folur për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor.

“Ndërkaq në Londër, i shoqëruar dhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ishim pjesëmarrës në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024. Në panelin diskutimi mes krerëve të gjashtë shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, folëm për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor. E në kuadër të këtij samiti, nënshkruam me BERZh-in memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë, dëshmi kjo e përkushtimit, maturisë e punës sonë të vazhdueshme në thithjen e fondeve nga institucione ndërkombëtare financiare”, shkruan Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme