Google ADS

Kurti jep detaje nga vizita zyrtare në Greqi

16:52 | 18 Korrik 2023
K.B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje nga vizita e tij zyrtare në Greqi.

Kurti ka thënë se në margjinat e edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i mbajtur në Kretë, në takim me ish-kryeministrin e Greqisë, George Papandreou, e ka njoftuar për të arriturat e Kosovës dhe planet e qeverisë për zhvillimin dhe reformat për Fondin Sovran dhe Arsimin Profesional.

Ai poashtu e njoftoi për drejtësinë sociale e ligjore dhe për historinë e luftës në të tashmen e paqes, për të kaluarën prej aktivisti e opozitari te fqinjësia e mirë e Kosovës që refuzohet nga Serbia.

“Në bashkëbisedimin me ish-kryeministrin e Greqisë, George Papandreou, që shërbeu si hapje për dy panelet dedikuar Ballkanit, tregova për të arriturat e Kosovës dhe planet e qeverisë sonë, për zhvillimin dhe reformat, për Fondin Sovran dhe Arsimin Profesional, për drejtësinë sociale e ligjore dhe për historinë e luftës në të tashmen e paqes, për të kaluarën time prej aktivisti e opozitari te fqinjësia e mirë e Kosovës që refuzohet nga Serbia”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se ky simpozium i sivjetëm është titulluar “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus?”, ku në panele të veçanta me prezantime të mençura e diskutime të thella sipas Chatham House Rules, janë trajtuar tema e çështje të shumta: nga agresioni rus i papërfunduar në Ukrainë te pasojat e pamatshme të pandemisë Covid-19, nga demokracia dhe ligji në Ballkanin Perëndimor te siguria dhe burimet në Mesdheun Lindor, nga rritja ekonomike e gjelbër te përshpejtimi i Inteligjencës Artificiale, nga autonomia industriale evropiane te raporti i Evropës dhe ShBA-ve me Jugun Global, nga demokracia pjesëmarrëse dhe fushatat politike te një humanizëm i ri për shoqëri të pavdekshme.

“Filli që përvijohej në debate e shqyrtime anonte kah guximi i përbashkët teksa ëndërrojmë të ardhmen me numra jubilar vitesh, si dhe mbetej te shpresa gjersa të gjithë shqyrtojmë rreziqet e mundshme në vijim”, ka shkruar Kurti në Facebook./Arbresh.info/

/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme