Kurti: Jemi të vetëdijshëm për sukseset e jashtëzakonshme që kinematografia jonë ka dëshmuar gjatë dekadës së fundit

19:37 | 12 Tetor 2023
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën hapëse të Festivalit të Filmit Frankofon, “Portretet e Grave Emblematike të Kinemasë” që u mbajt në Kino Armata nën organzimin e Ambasadës së Francës në Kosovë.

Me këtë rast, Kurti u shpreh i gëzuar që ndodhej bashkë me të tjerët aty pranë dy kineasteve kosovare me arritje të jashtëzakonshme teksa hulumtohet portretizimi i grave në kinematografi gjatë Festivalit të Frankofonisë të këtij viti në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sukseset e jashtëzakonshme që kinematografia jonë ka dëshmuar gjatë dekadës së fundit. Lëvizja frymëzuese e njohur si Vala e Re e Filmit të Kosovës ka të përbashkët një fundament magjepsëse– filmat më të famshëm të vlerësuar me çmime janë realizuar nga gra vizionare” tha ai.

Emrat, siç shtoi ai, ndryshojnë nga Blerta Zeqiri, drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës, pastaj Blerta Basholli, prej filmit “Martesa” te filmi “Zgjoi”, e te Lendita Zeqiraj, e njohur për filmat e saj shumë lucid të zhanrit të shkurtër por edhe të gjatë, e Kaltrina Krasniqi, e cila portretizon një tjetër personalitet të gruas së fuqishme në “Vera Andrron Detin”, por gjitha janë dëshmi e pasurisë së talentit që posedojnë gratë e skenës sonë kinematografike.

Këtë vit, kryeministri theksoi se kanë prezantuar një ligj të ri për Kinematografinë, i cili është i mbushur me stimuj për të nxitur rritjen e kinematografisë, siç janë përfshirja e zbritjes së taksës për 30% për projektet ndërkombëtare që xhirohen në Kosovë (rabati), financimi i konsiderueshëm deri në 80% për projektet filmike dhe mbështetja madje 100% për regjisorët debutues, së bashku me themelimin e Rrjetit të Kinemave të Kosovës, d​uke mos harruar të përmend bashkëpunimin Kosovë-Francë, që është me interes të veçantë për të dy vendet tona, dhe i cili i ka sjellë rezultate kohëve të fundit duke korrur suksese edhe në festival të njohura ndërkombëtare./Arbresh.info/

Të ngjashme