Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka duke numëruar të arriturat në fushën e shëndetësisë tha se niveli në të cilin e kanë gjetur këtë fushë ishte tejet shqetësues.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se siguruan 2.2 milionë vaksina, shkruan Arbresh.info.
“I siguruam 2.2 milionë vaksina që nuk i gjetëm kur e morëm detyrën, me shpejtësi rekorde u vaksinua mbi 60% e popullatës së rritur, dhe tejkaluam kështu pandeminë e Covid-19 edhe falë betejës vetëmohuese të stafit shëndetësor. Prej atëherë, kemi kaluar nga paradigma e menaxhimit të shëndetit publik në atë të përmirësimit dhe të avancimit të shëndetësisë.”, u shpreh ai.
“Ndamë 100 milionë euro më shumë për shëndetësi, 60 milionë euro për listën e re të barnave esenciale dhe 6.5 milionë euro më shumë për barna për sëmundje të rralla. Pra, në 60 milionë nga 24 milionë sa ishte para ardhjes sonë në qeveri, e në listën e barnave esenciale u shtuan mbi 70 barna të reja për trajtimin e shumë sëmundjeve.”, shtoi Kurti.
Më tej kryeminitsri ka thënë se kanë pesëfishuar buxhetin për vaksina për parandalim dhe kanë siguruar vaksina të reja të rëndësishme siç është ajo e HPV që parandalon kancerin e qafës së mitrës.
“Paraprakisht kemi investuar në depo moderne të vaksinave dhe automjete për ruajtjen e zinxhirit të ftohtë.”, u shpreh ai.
“Me shtimin e inspektorëve shëndetësorë dhe farmaceutikë, për tri vjet i kemi trefishuar kapacitetet inspektuese.”, shtoi ndër të tjera ai.
Më tej, shefi i qeverisë tha se pesë klinika janë në rinovim të tërësishëm: Klinika e Onkologjisë, ku po dyfishojmë numrin e shtretërve; Klinika e Gjinekologjisë, Klinika e Urologjisë, Klinika e Kardiokirurgjisë dhe Klinika Emergjente.
“Për herë të parë po instalohen filtra modern steril në sallat operative që në mënyrë të theksuar do të ulin numrin e infeksioneve intrahospitalore – një problem ky prej dekadash në klinikat tona. Kemi funksionalizuar tri Rezonanca Magnetike (MRI) për më pak se një vit. Një në Spitalin e Pejës, një në Klinikën e Pediatrisë dhe një tjetër në Spitalin e Prizrenit. Për 20 vite, kanë qenë vetëm dy.”, bëri të ditur shefi i qeverisë.
“Kemi shtuar shërbime të reja dhe moderne sidomos në Gjinekologji. Ka përfunduar riparimi i Objektit të Pediatrisë në Mitrovicë dhe Institutit Special në Shtime si dhe rinovimi i përgjithshëm i objektit ekzistues të Transfuzionit të Gjakut, Njësia Regjionale Gjilan. Është bërë adaptimi i infrastrukturës për Fertilizim të Asistuar Mjekësor, në vlerë prej 1.5 milion euro. Investime janë bërë edhe në institutet paraklinike dhe në Morg. Kemi investuar në aparatura moderne në të gjitha spitalet dhe QKUK, me qëllim që të ulim përherë e më shumë listat e pritjes dhe numrin e qytetarëve që kërkojnë trajtim jashtë vendit.”, shtoi ai.
Shefi i qeverisë përmendi edhe kornizën ligjore në fushën e shëndetësisë.
“Krah për krah me investimet, shkon dhe vëmendja për nismat legjislative e zgjidhjen e problematikave përmes kornizës ligjore. Ligji i miratuar për çmimin e barnave do të ulë substancialisht shpenzimet e qytetarëve dhe institucioneve në blerjen e ilaçeve. Me ligjin e ri për paga specialistët në shëndetësi kanë pagat më të larta në rajon. Konkurset për shkollim specialistik i kemi hapur sipas nevojës dhe kërkesës e në bazë të planifikimit për vitet e dekadat në vijim. Në më pak se një vit, numri i specializantëve të rinj do të arrijë në 588, ku kemi përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm të mjekëve shqiptarë jashtë Kosovës, me theks të veçantë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Ligji për Sigurimet Shëndetësore është në fazat e konsultimeve publike, kurse për këtë vit janë paraparë 7 milionë euro investime në Sistemin Informativ Shëndetësor.”, u shpreh mes të tjerash Kurti.
Kreu i ekzekutivit theksoi se në mbledhjen e 194-të të qeverisë morëm vendim për mbulimin e plotë të shpenzimeve nga trajtimi mjekësor i invalidëve të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike, kur këto të fundit nuk ofrojnë këto shërbime.
“Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar një plan të veprimit për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore në institucionet shëndetësore publike që këto shërbime të ofrohen në të ardhmen.”, tha ai.
“Është bërë shumë, duhet edhe më shumë. Jemi në rrugë të mbarë të transformimit të shëndetësisë.”, përfundoi kryeministri Kurti./Arbresh.info/
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor