Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kurti tha se Kosova ka bërë progres.
“Sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Kurti në një intervistë për DW.
I pyetur se çfarë kontributi mund të jap Gjermania, Kurti tha se ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës.
‘Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës”, tha Kurti, raporton Arbresh.info.
Kurti ka folur për kërkesën e vendeve të BE-së që Kosova të themelojë Asociacionin dhe për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që ka pasur kritika për qeverisjen në Kosovë.
“Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka deklaruar Kurti
Kurti tutje ka thënë se Serbia ka refuzuar draftin që ka propozuar ai në Ohër.
“Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet”, ka deklaruar Kurti.
Kurti foli edhe për çështjen e dinarit, ku tha se është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve.
“Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, ndërkohë për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet pa kurrfarë pasojash janë duke dialoguar në Bruksel dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve”, tha shefi i ekzekutivit.
Kurti ka folur edhe për raportin e fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe tha se Kosova ka progres të jashtëzakonshëm krahasuar me atë të vitit 2019.
“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, ka përfunduar Kurti./Arbresh.info/
Tavo: Do të japim certifikatat e AMTP-ve dhe legalizimin e s...
Hetimet për sulmin në Magdeburg, të dyshuarit i është caktua...
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...