Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka sqaruar për publikun qëndrimin e kësaj partie karshi dialogut me Serbinë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Vetëvendosje ka përgatitur atë që deri më tash, siç ka thënë, i ka munguar qeverive të Kosovës, shkruan arbresh.info.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Një prej temave të rëndësishme që trajtohet me të drejtë nga mediet dhe publiku i gjerë në diskutimet e përditshme është ajo e qasjes së qeverisë së re, pra qeverisë sonë, ndaj procesit të dialogut. Për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta që kanë ardhur prej qytetarëve, por edhe prej gazetarëve, si dhe për të mos iu lënë vend keqinterpretimeve apo keqkuptimeve, me bashkëpunëtorët e mi në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ne kemi përgatitur atë çka deri më tash i ka munguar qeverive të Kosovës: një platformë mbi dialogun.
Pra, cili është dialogu që do të bëjë qeveria e re? Cili është dialogu që i nevojitet Kosovës? Si do të mund t’i arrijmë synimet tona politike karshi këtij procesi? Për këto ju ftoj ta lexoni platformën tonë, të zbërthyer në nëntë pika.
Platforma e parimeve të përgjithshme të dialogut
1) Me qeverisjen e LV do të fillojë menjëherë dialogu me të gjitha pakicat kombëtare në Kosovë, që do të jetë edhe dialog me serbët e Kosovës, dialog i hapur, demokratik dhe shoqëror, prej poshtë-lart, për zhvillim. Dialogu i deritashëm me Serbinë ishte dialog i mbyllur e diplomatik, prej lart-poshtë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Të gjithë serbët as nuk janë të njëjtë me njëri-tjetrin dhe as nuk janë vetëm serbë, ashtu sikurse edhe të gjithë shqiptarët nuk janë të njëjtë dhe nuk janë vetëm shqiptarë. Përmes këtij dialogu ata do të shihen si qytetarë të Republikës, në profesionet që i kanë e klasat shoqërore që u përkasin. Do të flasim drejtpërdrejtë me inxhinierin, fermerin, arkitekten, studenten, zdrukthtarin, mjeken, taksistin, frizeren etj. për zhvillim, për shtim prodhimi e shërbime cilësore, për kamatat e bankave dhe efikasitetin e gjyqësorit, për aftësimin e punëtorëve dhe të drejtat e punëtorëve, për tregun dhe tatimet. Le të bashkëpunojmë e të organizohemi në sindikata punëtorësh e shoqata biznesesh. Institucionet shtetërore do të jenë në shërbim të tyre. Kështu ndërtohet besimi dhe largohet frika e cila është mbjellur për të ndarë e përçarë. Pakicat kombëtare do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre sipas standardeve evropiane. Por, shumica e problemeve në Republikën tonë janë ekonomike e sociale.
2) Dialogu i vjetër, ai i viteve 2011-2017 ka katër muaj që është ndërprerë. Ai dialog nuk duhet rifilluar verbërisht. Në të ka pasur shumë investim me pak dobi e jo pak dëme. Nga ai dialog Kuvendi i Kosovës ka qenë ose i përjashtuar ose i keqpërdorur. Produkti më famëkeq i tij ka qenë Marrëveshja e 25 gushtit 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (‘Zajednica’), e cila është nënshkruar në Bruksel gjersa Kuvendi ishte në pushim! Na nevojitet një Komision Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar dhe vlerësuar marrëveshjet e deritanishme me Serbinë si dhe për zbatimin, përkatësisht moszbatimin, e tyre. Pra, na duhet një pasqyrë e plotë për marrëveshjet nga Energjia te Telekomunikacioni, nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave, nga policia e gjyqësia në veri te përfaqësimi diplomatik i ndërsjelltë, nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri te denominimi antikushtetues i Republikës së Kosovës (fusnota). Ndërkaq, Marrëveshja e Parë e Parimeve Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 do të dërgohet te Komisioni i Venedikut. Për të gjitha këto, Qeveria jonë do të kërkojë ndihmën dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Komisionin Evropian, posaçërisht me Zyren e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, znj.Federica Mogherini.
3) Qeveria e re do ta bëjë prioritet zhvillimin ekonomik që sjell punësim, luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit institucional përmes gjyqësorit të drejtë, dhe, politikat sociale që zbusin pabarazinë në shoqëri. Shteti i Kosovës duhet fuqizuar dhe nuk mund të lejojmë që agjenda jonë shtetërore të jetë kryekëput e zënë nga dialogu me Serbinë. Të ashtuquajturit ‘normalizim marrëdhëniesh’ asnjëherë nuk i është definuar qartë e saktë kuptimi. Jo vetëm që me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, politikanët dhe diplomatët e ndryshëm shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtarë mendojnë gjëra të ndryshme, por normalizimi i deritashëm i marrëdhënieve është zhvilluar në dëm të normalizimit të vetë shtetit të Kosovës. Kosova ende nuk është shtet normal për shkak të Mitrovicës së ndarë dhe papunësisë enorme. Mirëpo, Serbia është shtet jonormal për shkak se kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj kriminale. Prandaj, para se të nxitojmë drejt dialogut, na nevojitet një periudhë së paku njëvjeçare për normalizim të Kosovës, për të hedhur hapat e parë drejt zhvillimit dhe shtetndërtimit, për punësim dhe drejtësi.
4) Përveçqë nuk dihet qartë domethënia e normalizimit të marrëdhënieve, dialogu gjashtëvjeçar midis Kosovës e Serbisë ka pasur edhe premisa të gabueshme. Kosova më shumë ka qenë temë e dialogut sesa palë në dialog, kurse Serbia ka qenë më shumë përcaktuese e agjendës sesa reflektuese për rrethanat e reja rajonale. Dialogu i këtillë asimetrik edhe e ka shpërfillur parimin e reciprocitetit edhe i ka përjashtuar temat e rëndësisë jetike si psh. të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale, plaçkitjet gjatë okupimit, dëmet e luftës, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc etj. Ne kemi nevojë për nisjen e një dialogu me BE-në mbi atë se çfarë dialogu duhet të bëjë Kosova me Serbinë. Dështimet e njëpasnjëshme që ka sjellë dialogu në këto gjashtë vitet e fundit vijnë edhe nga nxitimi për fillimin e tij pa përgatitje paraprake, pra pa e patur njëherë një dialog mbi dialogun. Duhen diskutuar premisat dhe procedurat, procesi drejt qëllimeve të synuara. Dialogu që e ka qëllim veçse vetveten në rastin më të mirë arrin ta spostojë edhe ca dështimin, por sigurisht që në fund do të dështojë.
5) Shteti i së Drejtës që synojmë ne nuk duhet të përballet me krimin e organizuar e korrupsionin institucional vetëm në jug të Ibrit por edhe në veri të tij. Në shkurtin e vitit 2000 afër 12.000 shqiptarë janë dëbuar prej veriut të Mitrovicës pasi që 11 prej tyre u vranë nga strukturat shtetërore serbe. Shqiptarët ende nuk lejohen të kthehen në pronat e tyre ndërkaq Serbia vazhdon kolonizimin me lagjen ‘Kodra e Diellit’ në Zveçan si të ishim në kohën e Milosheviqit. Vrasje të tjera si ajo e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt mbeten të padënuara dhe kriminelët vazhdojnë të shëtisin të lirë. Nuk mund të ketë dialog me askënd për falje apo shpërfillje të krimeve por veçse veprim të institucioneve të ligjit.
6) Fillimi i normalizimit të shtetit të Kosovës do t’i bënte mirë edhe Serbisë sepse ajo do të niste të çlirohej prej apetiteve të saj mbi Kosovën. Po ashtu, ky normalizim jo vetëm që shpejt do të përkthehej edhe në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por do krijoheshin kushtet edhe për përparimin e dialogut Kosovë-Serbi në një nivel të ri, në atë të fqinjësisë së mirë, sipas praktikave evropiane. Fundja ky duhet të jetë edhe synimi, si dhe detyra zyrtare e Komisionerit Johannes Hahn për politikën evropiane të fqinjësisë dhe negociatat për zgjerim. Pra, duhet të kalojmë nga normalizimi i padefinuar i marrëdhënieve te fqinjësia e mirë dhe integrimi evropian. Në dritën e integrimit dhe anëtarësimit në BE demokratizohen dhe zhvillohen Kosova dhe Serbia, e më pastaj do të normalizohen, përkatësisht evropianizohen ato. Integrimi dhe anëtarësimi ynë në BE nuk do të thotë se ne do të zhvendosemi nga vendi ynë për në BE, por që do ta ndërtojmë BE-në si vlerë dhe vizion brenda nesh e nga vetja jonë.
7) Procesi i Berlinit i nisur në vitin 2014, vazhdoi me samitin e Vjenës në vitin 2015 dhe atë të Parisit më 2016, ndërsa stacionin e radhës e ka në Trieshte të Italisë pas dy javëve. Ky Proces synon të mundësojë bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe infrastrukturor të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor ende të paanëtarësuara në BE. Po ashtu, këto gjashtë shtete lidhen më shumë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj. Sigurisht që ky Proces është menduar për ta kompensuar ndaljen së paku pesëvjeçare të zgjerimit të BE-së në zgjerimin e saj të parlajmëruar nga presidenti Jean Claude Juncker me të marrur detyrën e tij. Përveçqë ky proces është shans që të aplikojmë për projekte e programe zhvillimore, njëkohësisht ai është mundësi që të parandalohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës (dhe Shqipërisë). Asgjë nuk po i bën Greqia Maqedonisë tash e një çerek shekulli çka do të na bëjë neve Serbia po u anëtarësua qoftë dhe një ditë të vetme përpara nesh. Ne do të takohemi me kryeministrin e Serbisë dhe besojmë se forumi i duhur për këtë është pikërisht Procesi i Berlinit, tryeza e gjashtë shteteve në të cilën do të shpërfaqej iracionaliteti i kërkesave të Serbisë ndaj Kosovës. Në tryeza të tilla ne si qeveri e Kosovës do të shkojmë të koordinuar me Shqipërinë, por edhe me Bosnjen, Malin e Zi e Maqedoninë. Serbia e ka thënë se e do Jugosllavinë e re aty, por bashkë me Shqipërinë ne kemi mjaftueshëm mend e dije, ndjenjë e vetëdije kombëtare, për të mos e lejuar atë gjë. Suksesi i Procesit të Berlinit varet nga zhvillimi i përbashkët me parimet e barazisë së shteteve dhe respektit reciprok të sovranitetit e kufijve ndërkombëtar të tyre. Tendencat për krijimin e një hapësire për hegjemoni ekonomike të njërit prej shteteve nuk sjellin paqe të qëndrueshme për BE-në por rritje të skajshme të pabarazive çfarë e kemi parë në Jugosllavi.
8) Në muajin maj, Presidenti i porsainauguruar i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë. Këtë iniciativë të tij ai e ka arsyetuar me nevojën e anëtarësimit të Serbisë në BE duke thënë se ky ndryshim ‘nuk ka të bëjë para së gjithash me Kosovën’. Sido që të jetë, Serbia synon ta ndryshojë Kushtetutën e saj dhe në të ardhmen e afërt do të ketë një rregullim të ri juridik e shtetëror. Sa ka të bëjë kjo me Kosovën dhe a do ta ndryshojë Serbia edhe fjalinë e dytë në preambulë ku thuhet se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë, mbetet të shihet. Mirëpo, ne duhet ta shohim paraprakisht se çfarë drejtimi po marrin ndryshimet kushtetuese në Serbi sepse kjo reflekton në raportin tonë me të dhe në çfarëdo dialogu me të. Ndryshimet kushtetuese në Serbi, si për të mirë po ashtu edhe për të keq, ndikojnë në fqinjësinë tonë dhe atë që emërtohet si normalizim marrëdhëniesh. Serbia gjithsesi duhet të ndryshojë për hir të vetvetes dhe Ballkanit, paqes e sigurisë. Raporti me të varet nga kahja e ndryshimit të paralajmëruar. Shenjat e kësaj kahjeje do t’i lexojmë me vëmendje gjatë vitit 2017.
9) Dialogu me Serbinë i zhvilluar në të kaluarën jo vetëm që nuk e ka pasur transparencën e nevojshme publike dhe llogaridhënien institucionale por ai edhe është privatizuar e personalizuar nga krerët politikë e shtetërorë. Madje, e gjithë kjo deri në masën që nisja dhe rezultatet, ecja dhe ndalesat e dialogut filluan të bëhen të shpjegueshme me motivet personale të akterëve. Për pasojë, dialogu i privatizuar midis Kosovës e Serbisë te ne i bëri punët e jashtme punë të brendshme e punët e brendshme punë të jashtme. Jo vetëm Kuvendi i Kosovës por e gjithë shoqëria dhe institucionet e ndryshme jopolitike duhet të jenë të përfshira në dialogun tonë të brendshëm për dialogun e jashtëm me Serbinë. Qeveria jonë do të kërkojë dhe do të angazhohet për të ndërtuar një konsensus nacional e shoqëror, institucional e publik, për raportin tonë me Serbinë në të tashmen dhe në të ardhmen. Nuk mund të lejojmë më që Serbia të hyjë mes nesh e midis nesh. Pozita dhe opozita mund të ballafaqohen për aq shumë çështje politiko-administrative e socio-ekonomike por jo edhe për Serbinë, qëndrimin tonë karshi saj dhe raportin tonë me të.
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit