Google ADS

Kurti: Italia një mike dhe aleate e Kosovës

07:10 | 2 Qershor 2023
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në festën për nder të shënimit të Ditës Kombëtare të Italisë.

Kurti tha se ishin mbledhur për festën kombëtare të një vendi mik dhe aleat të Kosovës, ku nesër, më 2 qershor, në Romë dhe në të gjithë Italinë do të festohet Dita e Republikës në përkujtim të referendumit të mbajtur në vitin 1946, kur populli italian, duke ushtruar sovranitetin e tij, vendosi për formën e qeverisjes dhe shtetit.

Kosova e sheh Italinë si një mike dhe aleate, ka veçuar kryeministri dhe se Italia është partneri i dytë më i madh tregtar i Kosovës, pas Gjermanisë, sa i përket eksporteve dhe importeve ndërmjet dy vendeve, dhe tregtia jonë ka qenë vazhdimisht në rritje, sidomos në vitet e fundit.

Krahas partneritetit tonë ekonomik, Kryeministri Kurti nuk ka mundur të mos përmend një dimension tjetër shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve të Kosovës me Italinë, dhe ai është dimensioni i mbrojtjes dhe sigurisë. Italia, siç potencoi ai, ishte një vend i një rëndësie të veçantë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e cila shpëtoi jetën e qindra mijëra shqiptarëve që ishin shënjestër e sipërmarrjes gjenocidale të Serbisë gjatë regjimit të Millosheviqit.

Që nga ajo kohë, ushtarët italianë janë angazhuar si paqeruajtës në Kosovë dhe në shumicën e rasteve kanë mbajtur poste drejtuese në KFOR-in e NATO-s. Gjatë gjithë kësaj kohe ushtarët italianë të Ushtrisë së Karabinierëve janë dalluar në dy aspekte: në trimërinë dhe humanizmin e tyre.

Ai tha se vlera e ushtarëve italianë u dëshmua edhe të hënën, në 29 maj, në Zveçan, ku forcat e KFOR- it patën përballë një turmë ku ishin infiltruar elementë të dhunshëm, pjesërisht të ardhur nga jashtë Kosovës, e me synime kriminale, të cilët shpresoj që sa më shpejt të vihen para përgjegjësisë nga institucionet e rendit dhe të ligjit të Republikës së Kosovës.

“11 ushtarë trima italianë u lënduan, tre prej tyre rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për

jetën. Sot nuk është dita për të folur se cilët janë ata që sulmuan paqeruajtësit, megjithatë

një gjë duhet ta themi gjithmonë dhe kudo: ata që sulmojnë paqeruajtësit, sulmojnë paqen.

E di që ka një përpjekje për ta vënë fajin te forcat e KFOR-it apo te ato të Policisë së Kosovës, mirëpo as KFOR-i dhe as Policia e Kosovës nuk ka sulmuar dhe nuk ka prekur askënd, thjesht kanë kryer detyrën duke parandaluar trazirat e porositura nga jashtë e që nuk i interesojnë asnjë qytetari të Kosovës të cilësdo etnie ai qoftë”, tha kryeministri.

Ai shtoi se Kosova i falënderon ata djem dhe i dërgon përshëndetje të përzemërta familjeve të tyre, duke u dëshiruar shërim sa më të shpejtë.

Kryeministri ua ka uruar të gjithëve italianëve në Kosovë Ditën e Republikës, duke uruar po ashtu që kjo dashuri e përbashkët që secili popull ka për vendin e vetë, të shërbejë për të forcuar edhe më shumë miqësinë dhe partneritetin tonë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme