Kurti: Integrimi në NATO më i lehtë se sa në BE

23:14 | 22 Mars 2022
L G

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjasat që Kosova të anëtarësohet në NATO në kohën e agresionit rus në Ukrainë janë më të mira.

Kosova e ka bërë të ditur qëllimin që të anëtarësohet në Aleancën euroatlantike dhe ka filluar me hapat e parë në këtë proces. Kurti thotë se anëtarësimi është i mundshëm në këtë kohë dhe se ai është më i lehtë se sa anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Integrimi në NATO është më i lehtë se sa në BE. Kur kemi parasysh invazionin dhe agresionin në Ukrainë, aq më e qartë bëhet se ne e kemi urgjente që sa më parë të avancojmë drejt anëtarësimit në NATO. Besoj që ne do t’i përmbushim kriteret për anëtarësim në NATO më shpejt, por Programi i Partneritetit për Paqe është stacioni i parë drejt NATO”, tha ai në RTK.

I pyetur nëse Kosova ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO, Kurti tha se sigurisht do t’i bëjnë të gjitha këto edhe formalisht, por se po përpiqen përmbajtësish të punojnë me lobim në mënyrë që të vijë dita kur edhe Kosova do të hyjë në Kartën e Adriatikut.

Tutje ai tha se Kosova është storie suksesi dhe se pranimi në NATO do ta përforconte këtë narrativë.

“Është e pakuptueshme që shteti më demokratik dhe më propërendimor në Ballkan të lihet kaq larg integrimeve euroatlantike. Njëmend NATO është në Kosovë. Njëmend e mbron Kosovën. Por edhe Kosova e mbron rrëfimin se intervenimi i NATO-s në Kosovës është sukses. Putin dëshiron të thotë se Iraku dhe Afganistani dështuan dhe Kosova është sukses i përkohshëm. Duke u anëtarësuar ne e mbrojmë NATO-n duke treguar se jemi storie suksesi”, përfundoi ai.

Të ngjashme