Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se përmes hekurudhës Prishtinë-Durrës, Kosova po lidhet edhe më shumë me Shqipërinë.
Përveç kësaj hekurudhe, Kurti ka thënë se edhe projektet infrastrukturore me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, kanë marrë kahjen e duhur, shkruan Arbresh.info
Kryeministri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se rrugët e Kosovës po i degëzojmë me rajonin.
Postimi i plotë i Kurtit:
Me Shqipërinë po lidhemi edhe më shumë përmes hekurudhës Prishtinë-Durrës. Tetova do të jetë edhe më afër falë rrugës së re Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes për mes malit të Vërtopit. Ndërsa banorët e Rozhajës dhe Plavës, do të mund të udhëtojnë më lehtë në drejtim të Pejës dhe Deçanit me projektet rrugore që e ndërlidhin Kosovën me Malin e Zi. Për të tri këto projekte infrastrukturore, tashmë kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe hapat e parë drejt realizimit të tyre kanë marrë kahje e duhur.
Teksa rrugët e Kosovës po i degëzojmë me rajonin, në Kosovë ka ende rajone që kanë nevojë të ndërlidhen për së brendshmi. Anamoravën po e lidhim me Prishtinën përmes autostradës Gjilan – Prishtinë, në të cilën mbi 75% të punimeve kanë përfunduar dhe tashmë kemi ndarë buxhetin për të filluar vitin tjetër me ndërtimin e autostradës nga Gjilani deri tek Dheu i Bardhë. Ndërtuam e asfaltuam rrugë në zona e fshatra në Veri të Republikës, ku për herë të parë po ndërtojmë e rinovojmë dhjetëra shtëpi të banorëve shqiptarë që janë dëmtuar nga lufta e fundit në Kosovë. Nënshkruam kontrata për mirëmbajtje përmes të cilave kemi mbuluar të gjithë territorin e Kosovës, me mirëmbajtje rutinë dhe mirëmbajtje investive. Në të kaluarën mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë euro për tri vite. Tani, me paramasa të ndryshuara, duke shtuar pozicione që e rrisin kualitetin e sanimeve siç janë rrjetat geogrid në shtresa të asfaltit dhe duke hequr pozicionet fiktive dhe ato të duplifikuara, e kemi zbritur në 38 milionë euro mirëmbajtjen. Me kontratat aktive për sinjalistikë, vijat e thjeshta gradualisht po zëvendësohen me termoplastikë që përveç cilësisë, kanë edhe afat e qëndrueshmëri më të madhe.
Pas përfundimit të procedurave të shpronësimit, punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë tash e disa muaj po vijojnë me intensitetin meritor. Për përfundimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, e cila ka filluar në vitin 2009 dhe është përcjellë me shumë shkelje dhe keq menaxhim, tashmë kemi përzgjedhur kompaninë mbikëqyrëse ndërkombëtare dhe jemi afër përzgjedhjes së kontraktorit i cili do të bëjë ndërtimin e rrugës. Gjithashtu, jemi angazhuar maksimalisht për gjetjen e zgjidhjes së problemeve pronësore në mënyrë që gjatë vitit të ardhshëm ta përfundojmë aksin rrugor Dollc – Gjakovë. Jemi në fazën para nënshkrimit të kontratave për rrugën Kijevë – Dollc dhe kemi ndarë buxhetin për të vazhduar vitin tjetër me segmentin nga Dollci e deri në Zahaq. Kemi filluar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës në Prizren e deri në hyrje të tunelit të rrugës Prizren – Tetovë si dhe ndërtimin e rrugës nga fshati Kërstec në komunën e Sharrit e deri në fshatin Zapod të Bashkisë së Kukësit. Jemi afër përfundimit të urës në Drelaj dhe kemi filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urave në Badoc e Rogovë të Hasit. Të gjitha këto janë bërë, e për më shumë gjatë qeverisjes tonë kemi ulur borxhin e shpronësimeve për 82 milionë euro.
Krahas rrugëve, po investojmë mbi 200 milionë euro për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Për krahasim, treni më i shpejtë aktualisht në operim në të njëjtën linjë është rreth 60km/orë.
Pavarësisht fokusit në investimet infrastrukturore, nuk na ka munguar asnjëherë vëmendja ndaj mjedisit. Në këtë drejtim kemi miratuar Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, e kemi funksionalizuar Këshillin për Ndryshime Klimatike dhe Sekretariatin. Morëm pjesë për herë të parë në COP27 e aprovuam Ligjin për Ndryshime Klimatike dhe zhvillimin e Planit për Energji dhe Klimë, për të adresuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Po ashtu, filluam dhe fushatën e rëndësishme të largimit gradual të qeseve njëpërdorimëshe të plastikës, të cilat i shkaktojnë dëme të shumëfishta ambientit./Arbresh.info
Kë do të largonte Leo nga shtëpia po të kthente Lelën?, ja c...
Dua Lipa fejohet me Callum Turner
Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar verikorean
Ministri Peci sot mban konferencën përmbyllëse për media
Kurti dhe Vitia përurojnë sot renovimin e sporteleve në Klin...
Prokuroria Themelore në Prishtinë sot mban konferencën përmb...