Kurti i kundërpërgjigjet Borrellit: KFOR-i ishte i njoftuar për stërvitjet e FSK-së, dezinformimi është i rrezikshëm, mos përhapni panik

21:52 | 23 Qershor 2023
K.B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për stërvitjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut.

Kurti ka thënë se ky është aktivitet i përvitshëm dhe se KFOR-i ka qenë i informuar, dhe se dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.

“Stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i@KSF_Kosova në Mitrovicën e Jugut janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka shkruar Kurti.

Sa i përket arrestimit të sotëm në veri, Kurti ka sqaruar se ai është arrestuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR’it, duke shtuar se “si kryeministër i një shteti demokratik kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve””

“Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në veri të Mitrovicës për sulm ndaj ushtarëve @NATO_KFOR në Zveçan më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve””, ka thënë Kurti.

Në fund, Kurti ka thënë se “përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme” vetëm ndez tensionet.

Ai e ka sugjeruar Borrellin që para se të reagoj të konfirmojnë burimet dhe të presin informacionet zyrtare nga institucionet e Kosovës.

“Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell është shprehur i shqetësuar për arrestimin e serbëve në Kosovë si dhe për marshimin e FSK-së në Mitrovicën e jugut.

Borell tha se pavarësisht takimit që u mbajt dje, situata vazhdon të bëhet edhe më e rrezikshme

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë’, ka shkruar ai në Twitter.

Sot gjatë ditës Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin N.O, i njoftuar me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it më datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore.

“Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar, N.O, i njohur me nofkat Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Kurse sa i përket marshimi të sotëm të FSK-së në Mitrovicë, ministri i Mbrojtes, Armend Mehaj ka thënë se ky marshim nuk ka të bëjë me situatën në veri të Kosovës.

Ai tha se marshime të tilla janë të rregullta dhe ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot.

“Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj. Ju lutem mos të bini iu besoni dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, ka thënë Mehaj./Arbresh.info/

lexo edhe:

Borrell: Shumë i shqetësuar nga arrestimet dhe marshimi i FSK dhe gjuha e Serbisë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme