Kurti i bindur se Vetëvendosje do të fitojë me 12 komunat në balotazh

12:29 | 9 Nëntor 2021
A. B.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i pranishëm në hapjen e fushatës në Prishtinë.

Me këtë rast, kryeministri mbajti një fjalim , ku numëroi të gjitha qytetet që do t’i fitojë Lëvizja Vetëvendosje, shkruan portali arbresh.info

Postimi i tij i plotë:

Pjesë nga fjalimi im në tubimin e hapjes së fushatës në Prishtinë:Me Mimozën në Gjakovë, Mytaherin në Prizren, Shpejtimin në Besianë, Albanin në Gjilan, Qemajlin në Shtime, Kadriun në Dardanë, Halilin në Kastriot, Jetonin në Kaçanik, Visarin në Rahovec, Arsimin në Viti, Enverin në Fushë Kosovë, e me Arbenin në kryeqytet, do të punojmë bashkë për më shumë, e do të qeverisim bashkë për më mirë.
(…)
Të votojmë sepse ne e duam qytetin tonë. Ne e duam Prishtinën si vendin e kulturës, e të shprehjes së kulturës në çdo akt që bëjmë. Ne duam një qytet të plotë asgjë më pak. Mendoni një qytetar të plotë, mendoni një komunë të suksesshme. Për çfarë ka nevojë qytetarja e qytetari, gruaja dhe i riu, fëmija dhe i moshuari, artisti dhe mësuesi, shkencëtari dhe inxhinieri, mjeku dhe infermieri, sportisti dhe gazetari, zejtari dhe punëtori, tregtari dhe blerësi, funksionari dhe bujku, nxënësi dhe studenti, punonjësi civil dhe ai publik. Po t’i mendojmë të gjitha nevojat, atëherë do ta kemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh qytetar i plotë i komunës së Prishtinës. Një qyteti të plotë, një kryeqyteti të mirëfilltë.
(…)
Qytetet tona vazhdojnë të jenë të hirta e me ajrin që shihet; ato duhet të bëhen të gjelbra e me trafikun që rrallohet. Fshatrat tona vazhdojnë të boshatisen e të harrohen; ato duhet t’i gjallërojmë me prodhimtari dhe agro-turizëm.
(…)
Vota për komunën ka të njëjtën peshë e drejtohet nga të njëjtët parime sa edhe vota në zgjedhjet e përgjithshme. Edhe votimi për Komunën është votim për shtetndërtim. Asgjë nuk duhet të bëhet për protagonizëm, por vetëm për jetën e mirë e të lehtë të qytetarëve. Andaj ne kemi zgjedhur një njeri të thjeshtë e të ditur në menaxhim, me profesionin më të lidhur me përkujdesjen dhe me jetën, i veprimit dhe i komunikimit më të sjellshëm. Sepse komuna është sjellja e thjeshtë dhe e ditur me qytetin.
(…)
Na duhen sheshe që e mbajnë dinjitetshëm historinë dhe monumentet e dëshmisë. Lagjet duhet të nxjerrin në pah estetikën e tyre dhe lipset të qarkullojmë mes tyre lehtësisht. Sport e shëndet, kulturë e talent, gjithandej tërë kohen.
Projektin për bërjen e Prishtinës që e filluam në vitin 2013 do ta vazhdojmë aty ku e lamë. Sepse, qytetarët akoma i kanë të freskëta punët e mira që u bënë nëpër qendrat e mjekësisë familjare, për dyfishimin e çerdheve, për vendosjen e rendit dhe të rregullit, për eliminimin e privilegjeve dhe pabarazive, dhe kthimin e besimit në insitucionet lokale.
(…)
Eh pra, vota për komunën nuk është e ndarë nga veprimtaria qendrore qeverisëse. Vota për komunën është integrale. Sepse komunën ne e mendojmë si integrale, në histori dhe në të tashmen, në të përditshmen dhe të ardhmen. Komuna nuk është vetëm publikja e lagjes por edhe qeliza e Republikës.
E, dr. Arbeni posedon tre elemente që e bëjnë atë të ndryshëm dhe më të suksesshëm nga të tjerët – ekspertiza, këmbëngulja dhe njerëzorja. Këto tri elemente e bënë atë drejtorin më të suksesshëm që ka njohur Prishtina, ministrin më të dalluar dhe më të përkushtuar në historinë e Kosovës tonë, dhe do ta bëjnë kryetarin më të mirë që ka pasur Prishtina ndonjëherë.
(…)
Të rinjtë janë lëvizja, të moshuarit janë urtësia, gratë janë emancipimi ynë, e edhe burrat duhet t’ju bashkangjitën këtyre të gjithëve. Ishin gratë, rinia dhe diaspora që bënë ndryshimin e thellë në Kosovë në shkurt, tani përsëri janë gratë, rinia dhe diaspora por edhe të moshuarit që do t’i transformojnë qytetet dhe fshatrat tona në nëntor.
Unë nuk ju kërkoj gjë tjetër veç votës masive dhe ndjenjëns së përgjegjësisë për kryeqytetin e Republikës dhe për komunat e Kosovës. Ne ju propozojmë një program konkret dhe të qartë dhe të zbatueshëm, por edhe një udhëheqës të thjeshtë e të ditur e punëtor. Votoni sepse komuna është e jona, sepse Republika është e jona, kryetari është i yni, qytetarët janë tanët, trashëgimia, shëndeti, arsimi, industria, kultura janë për ne dhe janë vepër e jona, dhe ne të gjithë e secili, bashkë, jemi të të gjitha këtyre dhe të të gjithëve.
Dita është e diel. Data është 14 nëntor.
Numri është 144. E, emrin të gjithë ne e dimë dhe e duam kryetar, ai është Arben Vitia.
Ju faleminderit. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme