Me rastin e manifestimit të 5- Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në shënimin e kësaj dite, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila u mbajt në qytetin e Prizrenit.
Në këtë organizim, prezent ishin edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, Erxhan Galushi, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe komisioneri për Gjuhën, Slavisha Madenoviq.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që është në mesin e tyre në shënimin e kësaj dite të rëndësishme siç është Dita Botërore e Gjuhës Rome- 5 Nëntorit.
Ai tha se është krenar që kontribuojnë për këtë gjuhë, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me mekanizmat institucionalë për të drejtat gjuhësore duke theksuar se në të gjithë botën ekzistojnë vetëm tri komuna ku gjuha rome është në përdorim zyrtar.
Ai nënvizoi se një prej tyre është në Maqedoninë e Veriut, ndërsa dy të tjera janë në Kosovë: Graçanica dhe qyteti i Prizrenit në të cilin është mbajtur edhe manifestimi i kësaj dite dhe date të rëndësishme.
Siç theksoi kryeministri, Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet për edukimin e brezave të rinj dhe rritjen profesionale, e që janë investuar 200 mijë euro në qendra mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe kanë ofruar 500 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme. Më pas kryeministri potencoi se janë ndarë fonde për 100 bursa edhe për studentët e këtyre komuniteteve në fakultet.
“Në vitin 2022, ne kemi trefishuar numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë trajnuar në Qendrat tona të Aftësimit Profesional, dhe 35 biznese fillestare nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian kanë marrë grante nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këtë vit, edhe 35 biznese dhe fermerë nga këto komunitete kanë marrë grante. Ne kemi bashkëpunuar me policinë për ta siguruar rekrutimin më të madh të komuniteteve në raundin e fundit” tha kryeministri drejtuar të pranishmëve.Kryeministri Kurti, tha se ndihet i lumtur për rastet kur përdoret gjuha rome në nivel qendror, ai me këtë rast veçoi se për herë të parë në gjuhën rome është përkthyer Strategjia për Romët dhe Ashkalitë, po ashtu edhe Strategjia dhe Plani për të Rinjtë, po përkthehet në gjuhën rome dhe atë turke, përfundoi kryeministri”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Kryeministrit, shkruan Arbresh.info
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se që një gjuhë të mbahet gjallë me dokumente zyrtare, duhet të jetë e tillë edhe në përdorim të përditshëm, për komunikim mes fqinjëve, për ndarjen e lajmeve familjare, për ҫaste lumturie, për artikulimin e ëndrrave, për dashurinë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara zëvendëskryeministre për Cështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi,
Të nderuar deputetë,
I nderuari, z.Erxhan Galushi. deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës,
nderuari, z.Sylejman Elshani, Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
I nderuari Komisioner për Gjuhën, z.Slavisha Mladenoviq,
Të nderuar qytetarë romë,
Zonja dhe zotërinj,
Llaqi rat! Dobro veče, dhe mirëmbrëma.
Historia e gjuhës rome është e gjatë, sikurse që është edhe rruga përplot sfida për mbijetesën e saj. Si Republikë e Kosovës, ne jemi krenarë që kontribuojmë për këtë gjuhe, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me mekanizmat tonë institucional për të drejtat gjuhësore. Në të gjithë botën ekzistojnë vetëm tre komuna ku gjuha rome është në përdorim zyrtar. Një prej tyre është në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq dy të tjerë janë këtu në Kosovë: Graçanica dhe qyteti i bukur i Prizrenit, në të cilin jemi bashkë sonte.
Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet për edukimin e brezave të rinj dhe rritjen profesionale. Kemi investuar 200 mijë euro në qendra mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, dhe po ofrojmë 500 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme. Gjithashtu kemi ndarë fonde për 100 bursa edhe për studentët e këtyre komuniteteve në fakultet.
Në vitin 2022, ne kemi trefishuar numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë trajnuar në Qendrat tona të Aftësimit Profesional, dhe 35 biznese fillestare nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian kanë marrë grante nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këtë vit, edhe 35 biznese dhe fermerë nga këto komunitete kanë marrë grante. Ne kemi bashkëpunuar me policinë për ta siguruar rekrutimin më të madh të komuniteteve në raundin e fundit. Pra pjesëmarrje më e madhe edhe në ekonominë private edhe në institucionet publike. Këtë muaj kemi organizuar Ditë të Hapura për të inkurajuar të rinjtë nga komunitetet jo shumicë për të pasur edhe punë dhe karrierë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe në agjencitë e sigurisë.
Për këto dhe mundësi të tjera ofruara nga Qeveria, që mund të jenë me interes për komunitetet ҫdo dy javë dërgohet një buletin nga Zyra e Kryeministrit me një përmbledhje, dhe ky informacion i rëndësishëm krahas gjuhës shqipe dhe serbe, dërgohet edhe në gjuhën turke dhe rome.
Jam i lumtur për rastet kur përdoret gjuha rome në nivel qendror. Strategjia për Romët dhe Ashkalitë është përkthyer për herë të parë në gjuhën rome dhe tani edhe Strategjia dhe Plani për të Rinjtë po përkthehet në gjuhën rome – dhe në gjuhën turke – si pjesë e nismës sonë për një konsultim sa më të gjerë për këtë iniciativë.
I falënderoj aktivistët e gjuhës, avokuesit politik, Komisionerin për Gjuhët, si dhe partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e tyre.
Përkundër rëndësisë që një gjuhë të mbahet gjallë me dokumente zyrtare, duhet të jetë e tillë edhe në përdorim të përditshëm, për komunikim mes fqinjëve, për ndarjen e lajmeve familjare, për ҫaste lumturie, për artikulimin e ëndrrave, për dashurinë. Dhe për këtë nuk na duhen vetëm ligjvënës dhe komisionerë, politikanë dhe aktivistë – na duhen edhe poetë!
Andaj, për këtë arsye, është kënaqësi për mua të jem këtu sonte në një natë kushtuar jo vetëm gjuhës rome, por poezisë rome. Dhe unë kam zgjedhur poezinë e titulluar “Guha” nga Kujtim Paçaku, për ta lexuar para jush:
Gjuha
Gjuhë që e njeh
Varfërinë
Lumturinë
Dhembjen
Gjuhë që Vdekjes i ka dalë përballë
Këngën duke mos e ndalur kurrë
Rrugëve të botës ka bredhur me shekuj
Nga burimi
Asnjë hap pa u larguar
Aq shumë herë e vrarë
E rrëzuar, e shkelur, e prerë, e copëtuar
E djegur, e mbyllur, e thyer, e mbytur
E dëbuar, e humbur, e shtrembëruar, e ngushtuar
E përbuzur, e ndaluar, e hedhur poshtë …
Gjuha ime Rome
Ende është e gjallë!
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...