Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varret e dëshmorëve të familjes Lleshi të rënë gjatë luftës së fundit çlirimtare në vitet 1998 dhe 1999.
Katër dëshmorë nga kjo familje, Mark Tunë Lleshi dhe Kolë Gjon Lleshi dhanë jetën në qëndresë kundër okupatorit më 7 gusht 1998, ndërsa pas pak muajsh, në 28 janar 1999, ranë në betejë edhe dy dëshmorë të tjerë nga kjo familje, vëllezërit, Prenë dhe Memë Lleshi.
Po nga kjo familje patriotike, Dedë Pashk Lleshi dha jetën në vitin 1944 duke luftuar okupatorët serbë.
Gjatë nderimeve për ta, në fshatin Vraniq të Gjakovës, kryeministri Kurti, tha se këta dëshmorë janë krenaria jonë, ndërsa puna jonë ka për të pasur vlerë vetëm nëse arrijmë ta përmbushim sado pak amanetin e tyre.
“Familja Lleshi, familja Jashari, familja Haradinaj, dhjetëra familje të tjera e qindra shqiptarë që sot i nderojmë si dëshmorë, janë shkëmbi ku mbështetet i palëkundshëm projekti jonë, projekti i nisur me Lidhjen e Prizrenit,” tha kryeministri Kurti.
Në këtë vizitë për homazhe në fshatin Vraniq të Gjakovës, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Agon Batusha.
Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara familje Lleshi,
E nderuara Lokja Hanë,
I dashuri Gegë,
E nderuara deputete dhe kryetare e grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari,
Të nderuar zyrtarë të Komunës së Gjakovës,
Të dashur prijës fetarë,
Motra e vëllezër, zonja e zotërinj,
Jemi këtu sot, për të bërë homazhe dhe nderim për një nga familjet që i ka dhënë shumë atdheut dhe kombit, familjes Lleshi nga fshati Vraniq i Gjakovës.
Katër dëshmorë i ka dhënë kjo familje në luftën e fundit çlirimtare, Mark Tunë Lleshi, 72 vjeçar dhe Kolë Gjon Lleshi, 31 vjeçar, dhanë jetën në qëndresë kundër okupatorit, më 7 gusht 1998 pra saktësisht 23 vite më parë. Pas pak muajsh, më 28 janar 1999, ranë në betejë edhe dy dëshmorë të tjerë nga kjo familje, vëllezërit, Prenë dhe Memë Lleshi.
Të katër dëshmorët e familjes Lleshi, Kosova i ka nderuar dhe do t’i nderojë gjithmonë. Shqiptarët, të të gjitha feve, të fshatit e të qytetit, të malësive e të luginave, të të gjitha krahinave, i janë bashkuar luftës për liri dhe kanë dhënë gjakun e jetën për kombin e për bashkimin. Jo vetëm në luftën e fundit, por edhe në luftërat e mëparshme. Po kjo familje patriotike kishte edhe Dedë Pashk Lleshin i cili e dha jetën në vitin 1944 duke luftuar okupatorët serbë.
Këta dëshmorë janë krenaria jonë. Puna jonë ka për të pasur vlerë vetëm nëse arrijmë ta përmbushim sado pak amanetin e tyre. Familja Lleshi, familja Jashari, familja Haradinaj, dhjetëra familje të tjera e qindra shqiptarë që sot i nderojmë si dëshmorë, janë shkëmbi ku mbështetet i palëkundshëm projekti jonë, projekti i nisur me Lidhjen e Prizrenit.
Heroizmi i tyre sot kërkon angazhimin, punën dhe ndershmërinë e secilit prej nesh.
Nder e lavdi e përjetshme për familjen heroike shqiptare, familjen Lleshi dhe dëshmorët e saj.
Lavdi!
/arbresh.info/
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...