Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeverisja e mirë ka ndikim pozitiv edhe në aspektet kulturore e sociale, artistike e sportive të shoqërisë.
Sipas tij, kultura e sporti, ndërlidhen edhe me trashëgiminë e pasur që e kemi si shtet e komb, histori e dëshmi të larmishme, të cilat duhet t’i ruajmë e kultivojmë, shkruan Arbresh.info.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti renditi të gjitha të arriturar në fushën e Kulturës duke thënë se reformat e ndërmarra kanë prekur të drejtën e autorit, anti-dopingun, investimet e huaja në film, punëtorin rinor, licensimin për projekte konservimi dhe sfera të tjera.
“Vëmendjen e munguar më herët, e që tash ia kemi dhënë trashëgimisë, e dëshmon trefishimi i buxhetit vjetor për investime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe restaurimi i mbi 100 aseteve të trashëgimisë kulturore.”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se është përuruar Lokalitetin Arkeologjik që dëshmon se Prizreni është për tetë shekuj më i lashtë sesa është menduar fillimisht, si dhe për herë të parë po realizohen shpronësimet në lokalitete arkeologjike siç kemi bërë në rastin e Dresnikut dhe Ulpianës.
“Te kjo e fundit vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i perandorit Justinian, dëshmi e lidhjes së tij me Dardaninë, dhe dëshmi e identitetit dardan në antikitetin e vonë dhe mesjetë të hershme – pa dyshim një ndër zbulimet më të rëndësishme në arkeologjinë e vendit.”, ka shkruar mes të tjerash ai.
“Përkushtimi që kemi pasur për sportin e dëshmon programi 12 milionësh “Kosova, Shtet i Xhudos”; puna dhe investimet aktuale në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve; organizimi për herë të parë i Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos; dhe aplikimi i suksesshëm për organizimin historik të Lojërave Mesdhetare 2030, që u kumtua në shtator të vitit të kaluar nga Kreta e Greqisë.”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Kurti theksoi se janë ndarë mbi 15 milionë euro për Stadiumin e Qytetit të Gjilanit. Kanë filluar dhe po vazhdojnë punët në renovimin e Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Po ashtu, bëri të ditur se janë ndarë 4.5 milionë euro për rinovimin e tërësishëm të Stadiumit të Qytetit të Pejës “Shahin Haxhiislami”. Kanë filluar punimet për rinovimin dhe zgjerimin e Stadiumit të Qytetit në Shtime.
“Së shpejti fillon rindërtimi i tërësishëm i fushës së stadiumit të Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kamenica do të bëhet me stadium të atletikës, të parin të këtij lloji në vend. Jemi duke e zbatuar planin investiv pesë vjeçar në infrastrukturën e futbollit që përfshin gjithsej 27 stadiume anekënd vendit.”, tha mes të tjerash ai.
“Prishtina mirëpriti Manifestën 14, ngjarjen më të madhe kulturore dhe artistike në vend. Themeluam institucionin e Operës së Kosovës. E ajo solli në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqjen më të madhe operistike të luajtur ndonjëherë te ne.”, ka shtuar mes të tjerash kryeministri.
Ndërkaq, Kurti tha se kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë në kinematografi – 12 milionë euro për prodhim të filmit dhe kinematë.
“Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me disa shtete, si mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.”, njoftoi ai.
“Për të nxitur të rinjtë që të angazhohen e merren sa më shumë me art e sport, kemi filluar programet “Arti në Shkolla” dhe “Sporti në Shkolla”. “Arti në Shkolla” gjatë këtij viti do të zgjerohet në 30 komuna të Kosovës dhe të përfshijë 50 mijë nxënës. Në kuadër të programit “Sporti në Shkolla” po marrin pjesë mbi 13 mijë nxënës brenda vitit. Basketbolli, shahu, xhudoja, skijimi dhe ngjitja në mal (hikingu) tashmë janë bërë pjesë e integruar e kalendarit jashtëkurrikular arsimor.”, tha ai.
“Hapësirat kulturore e sportive po shtohen e rinovohen. Kultura, arti dhe sporti, po kultivohen e ruhen si pasuri kombëtare. Sepse talentet zhvillohen, por edhe duhen mbështetur përmes qeverisjes së mirë.”, përfundoi kryeministri Kurti./Arbresh.info/
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...
Ish-koloneli për armatimin: Banjska qe e përgatitur, aksione...
“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati nda...
Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ish...
Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentag...