Google ADS

Kurti gjatë vizitës në Gjilan takohet me kryetarin Hyseni, bisedojnë për të arriturat dhe projektet e komunës

13:57 | 1 Dhjetor 2023
E.K

Ditën e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e filloi me një vizitë në Komunën e Gjilanit, ku takoi kryetarin, Alban Hyseni, dhe me të cilin bisedoi për të arriturat e projektet e komunës.

Kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që vizitonte sot Gjilanin, duke kujtuar punët që janë nisur e të cilat kanë përfunduar tashmë.

‘’Vizita ime e fundit te Kryetari i Komunës së Gjilanit, këtu në zyrën e tij, ishte me 10 tetor të vitit të kaluar, pra 2022, ku atë ditë, së bashku me kryetarin Alban Hyseni dhe me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, Ali bin Hamad Al Marri dhe me Drejtorin e “Qatar Charity”, z. Esam Dabab, e patëm vënë gurthemelin bashkë, të mjekësisë së Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbëria” në Gjilan’’ u shpreh kryeministri.

Qendra tashmë ka nisur punën dhe nga 6 tetori qytetarët kanë filluar të marrin shërbime nga ajo. Gjithashtu, çerdhja në fshatin Miresh së shpejti do të jetë e përfunduar, gurthemeli i së cilës pati filluar më 13 tetor të vitit 2022.

Me këtë rast, kryeministri përmendi tri projekte gjigande të cilat janë tejet të rëndësishme për Gjilanin. ‘’I pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro. Procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. I dyti është unaza rrugore e qytetit, me përafërsisht 26 milionë euro, i cili tashmë është buxhetuar për vitin e ardhshëm 2024. Dhe i treti është bulevardi, me rreth 20 mijë metër katrorë hapësirë publike, me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, i cili ka një kosto përafërsisht prej 12 milionë euro dhe gjithashtu është buxhetuar për vitin e ardhshëm’’, shtoi ai.

Gjatë kësaj vizite në Gjilan, kryeministri Kurti do të ndjekë nga afër punimet që po bëhen në rrugën “Hamdi Kurteshi”, dhe po ashtu do të marrë pjesë në përurimin e Parkut “Banja”, në Gjilan.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se e ka njoftuar nga afër kryeministrin për projektet që i kanë përfunduar dhe realizuar, në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mirëqenies sociale e të arsimit ndër të tjera. ‘’ Kemi bërë renovimin e shumë shkollave në komunën tonë. Një prej atyre ndoshta që vlen të theksohet me rëndësi të veçantë është Shkolla e Mesme Teknike e komunës tonë, ku kemi rreth 12 profile të ndryshme nga mekatronika, shkencat kompjuterike, deri tek hidroinstaluesit, instaluesit e ngrohjeve qendrore, profile të tjera që janë inxhinieria e kështu me radhë. Atje kemi investuar rreth 1 milion euro, ndërkaq numri i nxënësve është dyfishuar vetëm në dy vitet e para në krahasim me numrin total që e kemi gjetur për tri vite të nxënësve’’ tha ai./Arbresh.info

Të ngjashme