Kurti: Forcimi i Kosovës dhe Bosnjës ndihmon Serbinë të mos i përsërisë krimet

19:05 | 6 Dhjetor 2024
Q L

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në sesionin e zgjeruar të Asociacionit të Intelektualëve “Krug 99” në Sallën e Kuvendit të Sarajevës.

Në fjalimin e tij, ai theksoi se Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili ishte planifikuar të mbahej në Neum, ishte anuluar, por ai nuk mundi ta anulojë vizitën e tij në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Ai u drejtua në gjuhën boshnjake dhe e nisi fjalimin duke cituar presidentin e parë të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Alija Izetbegoviqin.

Kurti theksoi se Bosnja dhe Hercegovina do të vazhdojë të ekzistojë si shtet dhe se ai kishte ardhur si mik dhe partner.

Ai e cilësoi marrëdhënien ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës të bazuar në njerëz dhe vlera.

“Sarajeva është më pak se gjashtë orë larg Prishtinës, por për të ardhur, unë dhe delegacioni im duhej të kalonim barrierën e kufizimeve të vizave. Unë sjell përshëndetje nga qytetarët e Kosovës, të cilët e shohin Bosnjën si vend mik. Ne ndajmë një histori të përbashkët dhe kemi një të ardhme të përbashkët evropiane. Kështu, ne implementuam në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për lirinë e lëvizjes bazuar në letërnjoftime, të arritur nëpërmjet Procesit të Berlinit”, theksoi Kurti.

Ai beson se Kosova i ka borxh Bosnjë-Hercegovinës, veçanërisht duke iu referuar periudhës së luftës në të dyja vendet.

“Bosnja dhe Kosova janë të lidhura përmes një të kaluare të dhimbshme dhe tragjike. Në shumë aspekte, Kosova i detyrohet Bosnjës. Në Bosnjë, ndërhyrja e NATO-s erdhi pas vitit të katërt të luftës, ndërsa në Kosovë pas vitit të dytë të luftës”, theksoi ai.

Kurti gjithashtu citoi një parathënie të diplomatit amerikan Derek Chollet në librin e ndërmjetësit kryesor amerikan për arritjen e paqes në Bosnjë, Richard Holbrooke.

“Miq të dashur, besoj se jemi dakord që në vend që të zemërohet, regjimi në Beograd duhet të turpërohet. Nuk mund të mos e përmend librin e Holbrookut me parathënien e Derek Chollet: ‘Nga distanca e kohës, ka shumë gjëra që mund t’i kishim bërë më mirë gjatë dhe pas Marrëveshjes së Dejtonit. Më vjen keq që pranova që serbët e Bosnjës të mbajnë emrin e entitetit Republika Srpska. Izetbegoviq kishte të drejtë kur tha se ishte një emër nazist. Duhej të kishim bërë më shumë për ta ndryshuar atë, për arsye praktike dhe simbolike’”, tha Kurti.

Ai theksoi gjithashtu se pushteti serb i mohon krimet e luftës në Bosnjë dhe Kosovë.

Sipas tij, “ky mohim tregon se ata do t’i përsërisnin këto krime nëse do të kishin mundësi”.

Kurti përfundoi fjalimin duke thënë se forcimi i Bosnjës dhe Kosovës “ndihmon Serbinë që të mos i përsërisë krimet”.

Në Sarajevë, Kurti zhvilloi një sërë takimesh, ndërkohë që vizita e tij u dënua nga politikanët e Republika Srpska. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme