Kurti flet për takimin me Vuçiqin: Në atë darkë, nuk kemi pasur gjellëra të ndryshme. Ka qenë barazia e palëve

19:27 | 5 Maj 2022
L G

Kryeministri Albin Kurti, ka folur sot për darkën “joformale” të një nate më parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Berlin.

Në një konferencë për media pas takimit me ministren gjermane të Mbrojtjes Christine Lambrecht, Kurti tregoi për temat e zhvilluara gjatë darkës së mbrëmshme në Berlin.

Ai tha se gjatë kësaj darke i ka mbrojtur interesat e shtetit.

“Kam mbrojtur interesat e shtetit. Gjithmonë duke e pasur dysheme dhe tavan ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem, me shumë përgjegjësi për detyrën që e mbaj, dhe në të njëjtën kohë me krenari për pozitën që më është besuar”, tha shefi i qeverisë në konferencën e përbashkët me ministren gjermane të Mbrojtjes.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk është kundër dialogut, por nuk ka dialog pa parime, shkruan arbresh.info.

“Ne nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Një nga parimet është barazia e palëve. Në atë darkë, nuk kemi pasur gjellëra të ndryshme. Ka qenë barazia e palëve dhe e kemi diskutuar temat në dritën e takimit të 13 majit mes kryenegociatorëve”, shtoi Kurti.

Ai shpreson që më 13 maj kur do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e dy vendeve Kosovë-Serbi, të zgjidhen çështja e tarave dhe mos-pagesës së energjisë elektrike në veri të vendit.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhjen reciproke të targave si dhe mos-pagesës së energjisë në veri dhe po ashtu për nevojën për të përshpejtuar zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në luftë”.

Po ashtu, ai tha se darka jo-formale e djeshme në Berlin ishte darkë pune e organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari Olaf Scholz, me ç’rast e falënderoj për kohën dhe mikpritjen e tij për t’i normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që ato të jenë të mira dhe fqinjësore”, përfundoi Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme