Pavarësisht se në çfarë vendi e rrethanash lindin, të gjithë fëmijët duhet t’i kenë mundësitë për t’u rritur në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, që u mundëson të përmbushin potencialin e tyre, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe 75- vjetorit të UNICEF-it, me moton “Fëmijët udhëheqin – Riimagjinojmë Kosovën të përshtatshme për fëmijë”.
Duke folur për sfidat e reja dhe të rrezikshme me të cilat përballen sot fëmijët kudo, në çdo vend të botës, kryeministri Kurti tha se pandemia e COVID-19 përveç se në shëndetin publik, solli pasoja shkatërruese edhe për fëmijët, të drejtat, mirëqenien e zhvillimin e tyre.
Ai theksoi se me gjithë ndikimin e pandemisë dhe recesionit shoqërues në disponueshmërinë e burimeve, është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet.
Kujdesi shëndetësor për fëmijët, edukimi i tyre dhe avancimi i të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale janë thelbësore në vetvete – por gjithashtu janë shtytës për shoqëri më të qëndrueshme e më të suksesshme, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Qeveria kërkon të sjellë ndryshime thelbësore.
“Gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejtë me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve. Fëmijët janë qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët”, tha ai.
Kryeministri Kurti bëri thirrje që sikurse sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë së bashku me fëmijët, që të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për çdo fëmijë.
Për këtë datë të rëndësishme për fëmijët dhe përvjetorin e 75-të të UNICEF-it folën edhe Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, z.Tomas Szunyog, Koordinatorja e KB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson dhe shefja e Zyrës së UNICEF-it, znj. Nona Zicherman.
Kryeministri Kurti dhe folësit e tjerë iu përgjigjën pyetjeve dhe interesimeve të fëmijëve të pranishëm në manifestim.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Ambasador Szunyog,
I nderuari ministër i Shëndetësisë Latifi,
E nderuara znj. Richardson,
E nderuara znj. Zicherman,
Të nderuar ambasadorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Austrisë,
E nderuara zëvendësministre Edona,
E nderuara zonjusha Era,
Të dashur fëmijë,
Zonja dhe zotërinj,
Jam i lumtur të jem këtu, që e kisha mundësinë t’i përgjigjem ftesës së sotme, e cila na ftonte që të imagjinojmë një “normalitet të ri” për fëmijët, që krijon mundësi e ndezë ëndrra.
Pavarësisht se në çfarë vendi e rrethanash lindin, të gjithë fëmijët duhet ta kenë mundësinë për t’u rritur në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, që u mundëson të përmbushin atyre potencialin.
Fëmijët kudo, në çdo vend të botës, sot përballen me sfida të reja e të rrezikshme.
Pandemia e COVID-19 përveç se në shëndetin publik, solli pasoja shkatërruese edhe për fëmijët, të drejtat, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.
Ndonëse pandemia dhe recesioni shoqërues kanë ndikuar në disponueshmërinë e burimeve, është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet.
Kujdesi shëndetësor për fëmijët, edukimi i tyre dhe avancimi i të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale janë thelbësore në vetvete – por gjithashtu janë shtytës për shoqëri më të qëndrueshme, më të suksesshme.
COVID-19 ndërthuret me pabarazitë sociale e ekonomike ekzistuese, duke pasur ndikim të madh te fëmijët sot. Por edhe tek e ardhmja e tyre.
Andaj edhe ftesa e sotme, na e rikujton domosdoshmërinë për rindërtim të shoqërive tona. Që bashkërisht t’i shtojmë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë për fëmijët në të gjithë vendin tonë, e për të lënë pas një botë për të cilën jemi krenarë.
Sot janë mbushur 62 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 32 vjet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve. Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: “Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës.” Këtë detyrim duhet ta respektojë Kosova, sikurse çdo vend tjetër.
Fëmijët nuk e zgjedhin vendin se ku lindin, e as nga kush udhëhiqet ai vend. Janë të rriturit ata që i marrin vendimet për ta.
Prandaj, krahas mbrojtjes nga të gjitha format e diskriminimit, ne duhet siguruar që demokracia nuk po i diskriminon.
Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë. 31% e popullsisë së Kosovës është nga 0-18 vjeç, pra gati 1/3 e popullsisë janë të mitur, e të cilët janë qytetarët tanë më të cenueshëm.
Është me rëndësi që t’i pyesim se çfarë mendojnë ata e të marrim parasysh atë që thonë, në hartimin e politikave për mbrojtjen e tyre.
Në fakt, fëmijët flasin vazhdimisht me të rriturit, me prindërit, mësuesit e kujdestarët e tyre.
Të rriturit nuk dëgjojnë gjithmonë në këmbim, megjithëse do të ishte shumë më mirë nëse do të dëgjonin. Bisedat e tilla reale, janë parakusht i politikës demokratike.
Prioritetet tona, sado të rëndësishme, nuk bën të na largojnë vëmendjen nga ëndrrat e fëmijëve. Ato për të cilat ne angazhohemi sot si individë e si shoqëri, do të trashëgohen nga fëmijët, prandaj që ne të rriturit duhet biseduar me ta, se cila është ajo e ardhme që duan t’ua ndërtojmë fëmijëve.
Dëshira për t’u dëgjuar është më e përhapura nga të gjitha dëshirat tona shoqërore. Secili nga ne duam që zëri ynë të dëgjohet, që roli ynë të njihet e që kontributi ynë të vlerësohet. E kjo nevojë është edhe më e shprehur te fëmijët dhe të rinjtë.
Qeveria jonë kërkon të sjellë ndryshime thelbësore në këtë drejtim. Gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve. Fëmijët janë qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët.
Pjesëmarrja e fëmijëve është element kritik i rindërtimit më të mirë. Pra konsultimi me fëmijët, të dëgjuarit e zërit të tyre dhe përfshirja e pikëpamjeve të tyre në këto procese.
Ndërsa ne, duhet te qëndrojmë pas planeve tona konkrete dhe zbatimit të tyre, për të mbrojtur fëmijët tanë, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët.
Dua t’ju falënderoj të gjithëve, për kontributin e çmuar, punën dhe përkushtimin tuaj për të drejtat e fëmijëve, dhe veprimet e juaja për të ndryshuar shoqërinë dhe botën tonë.
Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë, së bashku me fëmijët, që të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për çdo fëmijë. Le të punojmë që të arrijmë potencialin tonë më të madh si shtet, duke u siguruar që vajzat dhe djemtë tanë të mund të përmbushin potencialin e tyre.
Sot përkujtohen 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë ...
Moti në Shqipëri me diell, temperatura në rënie
Burimi: Ju nuk e keni Rovenën në grup për të pasur atmosferë
Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët
Emri i legjendës së Real Madridit është bërë trend në rrjete...
Si mund të ndikojë në Austri fitorja e Donald Trump?