Kurti falënderon ushtarët bullgarë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it

09:07 | 20 Nëntor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse për Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, shprehu mirënjohjen e tij ndaj diplomatit Gudjev që përfaqëson Republikën e Bullgarisë, një vend që është jo vetëm mik i sinqertë, por edhe partner strategjik i Republikës së Kosovës, transmeton Arbresh.info.

“Gjatë viteve që kemi punuar së bashku, me përkushtimin tuaj, kemi arritur të avancojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve tona”, tha kryeministri.

“Gjatë mandatit të ambasadorit Gudjev, në Kosovë janë realizuar pesë vizita të zyrtarëve bullgarë, përfshirë Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe janë organizuar 21 vizita të zyrtarëve të Kosovës në Bullgari, përfshirë këtu takimin e kryeministrit Kurti me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev”, thuhet në komunikatën për media nga ZKM.

Teksa përmendi marrëveshjet e arritura në mes të dyja vendeve, kryeministri tha se Bullgaria ka qenë avokuese për ne sa herë që e kemi kërkuar, prandaj sinqerisht falënderojmë autoritetet përkatëse për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe të dëshmuar për Kosovën. Në veçanti falënderoi ushtarët dhe oficerët bullgarë që kanë shërbyer dhe shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

“Ambasadori Gudjev po përfundon misionin e tij diplomatik, por miqtë që ai ka bërë këtu do të zgjasin përjetë. Do të na mungojë dhe jam i sigurt se do t’i mungojë edhe Kosova. Prandaj, shpresoj të jetë mysafir i rregullt në vendin tonë, të cilin mund ta konsiderojë si shtëpinë e tij të dytë. Me këtë rast, më duhet të falënderoj jo vetëm Shkëlqesinë e Tij për gjithçka që ka bërë, por nëpërmjet tij, vendin që ai përfaqësoi në mënyrë të admirueshme në Kosovë”, tha në fjalën e tij kryeministri Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme