Kurti: Eksporti i produkteve kreative ka arritur 713 miliardë

14:33 | 10 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë dhe bëri hapjen e konferencës për Ekonominë Kreative, me titull “Perspektiva në ndryshim: krijuesit në krye të ndryshimit ekonomik”, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kjo konferencë që trajton ekonominë kreative, po merr vëmendje institucionale çdo ditë e më shumë. Edhe pse si term shumë i ri, ky koncept ka një kohë që vërteton me shifra shumë serioze, që talenti krijues ndikon shumë në zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë, tha kryeministri.

“Sipas hulumtimeve të UNESCO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë), sektori i industrive kreative në ekonominë globale në vit, ka vlerë prej rreth 4.3 trilionë dollarësh. Në vit, gjenerohen rreth 30 milionë vende punë anembanë botës, duke punësuar grupmoshat 15 deri në 29 vjeç, më së shumti se cilido sektor tjetër. Kurse, sipas UNCTAD (Organizata e Kombeve të bashkuara për Tregti dhe Zhvillim), eksporti i shërbimeve kreative ka arritur shifrën e 1.4 trilionë dollarë në vitin 2022, duke shënuar ngritje prej 29% nga viti 2017. Në anën tjetër, eksporti i produkteve kreative ka arritur 713 miliardë, duke shënuar kësisoj ngritje prej 19%”, deklaroi kryeministri.

Në Kosovë, Industria Kreative kontribuon me 2.35% në Bruto Produktit Vendor të Kosovës dhe punëson 18,920 persona, që përbën 5.2% të të gjithë fuqisë punëtore. Ky sektor është sektori i nëntë më i madh për nga punësimi. Në përgjithësi, kjo industri ndahet në industri kreative bazë dhe sektorë të varur ose periferikë. Industritë bazë përfshijnë marketingun, arkitekturën, tregun e artit dhe antikuarëve, artizanatin, dizajnin, modën, filmin, softuerët, interaktivë të argëtimit, muzikën, artet skenike, publikimin, softuerët dhe lojërat kompjuterike, televizionin dhe radion. Sektorët periferikë lidhen me industritë kreative bazë dhe përfshijnë industri më tradicionale si prodhimi, shitja, pajisjet dhe instrumentet, elektronika, etj.

Kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po ndjek trendet e shteteve të zhvilluara, që kanë hartuar e adaptuar politika zhvillimore për ekonominë kreative, duke u siguruar që të krijohet hapësira dhe kushtet e nevojshme për zhvillim sa më të hovshëm të ekonomisë kreative.

“Aktualisht, është duke u hartuar strategjia për ekonominë kreative me një përfshirje të gjerë të institucioneve tona publike, natyrisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pastaj Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e pastaj me Zyrën për Planifikim Strategjik përbrenda Kryeministrisë, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo ndërmarrje mbështetet nga UNDP (Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara), nga British Council (Këshilli Britanik) dhe nga Universiteti i Lundit, me financim nga Ambasada e Luksemburgut dhe Ambasada Suedeze, e të gjitha këto i falënderojmë për partneritetin dhe bashkëpunimin e dëshmuar deri më tani” shtoi ai.

Ky sektor shihet si një shtyllë e rëndësishme e Strategjisë së Specializimit të Mençur të Kosovës, e cila po zhvillohet nga Zyra e Kryeministrit..

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri i falënderoi të gjithë panelistët pjesëmarrës sot, së bashku me moderatorët dhe uroi që përveç ndarjes së përvojave të mira, sot të flitet e të diskutohet përmbajtësisht edhe për rrugën që duhet ta shtrojmë para nesh në raport me sfidat dhe problematikat, ashtu që të krijojmë një ambient sa më mundësues e inkurajues e inspirues për zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë sonë të përbashkët kreative. Si folës në hapje të konferencës morën pjesë dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, Ambasadori i Dukatit të Madh të Luksemburgut, Eric Dietz dhe Kryesuesi i Këshillit Global për Ekonominë Kreative dhe Ambasadori i Kryetarit të Londrës për Ekonomi Kreative, John Newbigin.

Konferenca gjithëditore “Perspektiva në Ndryshim: Krijuesit në Krye të Ndryshimit Ekonomik” synon të zgjerojë dialogun mbi mundësitë dhe sfidat kryesore të zhvillimit të sektorit kreativ në Kosovë, si dhe të ndajë përvoja dhe ide për krijimin e një mjedisi që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme në industrinë kreative. Audienca e synuar për konferencën përfshin profesionistë dhe sipërmarrës krijues nga marketingu, dizajni dhe arkitektura, artizanati, moda, letërsia, kinematografia, industria e lojërave, artet vizuale dhe skenike, publikimi, televizioni dhe radioja. Gjithashtu, konferenca synon shoqatat e biznesit, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, studiuesit dhe entuziastët e rinj. Konferenca do të organizohet rreth tri tematikave kryesore: Ngritja e profilit ndërkombëtar të Kosovës; Fuqizimi i produkteve dhe shërbimeve kreative në Kosovë dhe Roli i qeverive në zhvillimin e një ekonomie kreative të qëndrueshme./Arbresh.info/

Të ngjashme