Në pamundësi për të qenë i pranishëm në ceremoninë e dorëzim-pranimit të flamurit shtetëror nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, te ekipi olimpik që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Olimpike, Tokio 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua sportistëve nëpërmjet një video-mesazhi.
Kryeministri Kurti i tha ekipit të Kosovës se përgjegjësia që mbajnë me vete në Tokio është shumë e madhe, sepse do të përballen me shtete qindra herë më të mëdha se Kosova dhe traditë shumë më të gjatë në sport.
“Në mitologjinë greke, mali Olimp konsiderohej shtëpia e perëndive, e krijuar nga vetë perënditë olimpike. Sipas legjendës, Titanët, që ishin perënditë e vjetra, luftuan me perënditë e reja – me Olimpianët. Në atë luftë, që u zhvillua për të fituar kontrollin e botës, fituan të rinjtë – Olimpianët”, tha kryeministri Kurti në video-mesazhin e dërguar nga Athina e Greqisë, ku po qëndron në vizitë zyrtare.
Ai u tha sportistëve se rezultatet e deritanishme na bëjnë të gjithëve krenarë dhe përkundër që do të jetë vetëm pjesëmarrja jonë e dytë në një Olimpiadë, na e keni mundësuar që të besojmë edhe më shumë në performancat tuaja.
Duke i falënderuar për kontributin dhe duke i uruar suksese secilit, kryeministri Kurti i tha ekipit reprezentues se ndonëse fizikisht nuk do të mund të jetë së bashku me ta në Tokio, ai dhe e gjithë Kosova do të jenë me zemër afër tyre.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti
E nderuara Presidente Vjosa Osmani,
Të nderuar ministra të qeverisë sonë,
Të nderuar sportistë, trajnerë dhe punëtorë sportivë,
Në pamundësi të jem sot aty me ju, po ju drejtohem nga vendi i origjinës së Lojërave Olimpike antike dhe nikoqire të Lojërave Olimpike moderne – nga Greqia, nga Athina.
Ndodhem këtu për dy konferenca ndërkombëtare dhe një sërë takimesh zyrtare.
Të dashur sportistë dhe trajnerë,
Sot po e festojmë pasionin, punën dhe sakrificën tuaj për përfaqësimin e Kosovës në sport. Disa prej juve ju kam takuar personalisht dhe përkushtimi juaj në punë është shembull edhe jashtë sportit.
Nuk është vetëm aftësia apo talenti juaj në sport që duhet të na inspirojë të gjithëve – është angazhimi dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm, përpjekjet që ju i bëni ditë për ditë për të ngadhënjyer.
Sot, do të pranoni flamurin e shtetit me të cilin do të përfaqësoni Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Rezultatet që i keni arritur deri tani, na bëjnë krenar secilin prej nesh, dhe përkundër që po shënojmë vetëm pjesëmarrjen e dytë në Olimpiadë, na keni mundësuar të besojmë edhe më shumë në performancat tuaja.
Përgjegjësinë që mbani me vete në Tokio është shumë e madhe. Do të përfaqësoni çdo qytetar të Kosovës përball shteteve qindra herë më të mëdha se Kosova dhe me traditë shumë më të gjatë në sport.
Në mitologjinë greke, mali Olimp konsiderohej shtëpia e perëndive, e krijuar nga vetë perënditë olimpike. Sipas legjendës, Titanët, që ishin perënditë e vjetra, luftuan me perënditë e reja – me Olimpianët. Në atë luftë, që u zhvillua për të fituar kontrollin e botës, fituan të rinjtë – Olimpianët.
Njësoj, edhe ne, shënuam historinë tonë me medaljen e artë të xhudos në Rio 2016 dhe e treguam gatishmërinë dhe përkushtimin që e kemi në sport. Andaj, nuk është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ajo që sot po e festojmë, por është fitorja juaj në të cilën të gjithë ne shpresojmë.
Ndonëse nuk do të jem i pranishëm në Tokio për t’ju përkrahur nga afër, më lejoni që në emër të çdo qytetari të Kosovës t’ju falënderohem për mundin që e keni bërë dhe kontributin që e keni dhënë.
Dhe të ju them se e gjitha Kosova do të jetë mbrapa juve, duke ju përcjellur nëpërmjet televizionit dhe duke ju përkrahur nga larg, por me zemër.
Shumë suksese secilit prej jush. Ju faleminderit./arbresh.info/
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...
“Komorani dhe Tirana”, Vullneti ngacmon Drilonin për Sarën