Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti në 19 vjetorin e bombardimeve nga NATO, ka thënë se atë kohë këto forca kishin tri shkaqe kryesore pse filluan bombardimet.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti ka përmendur edhe dy intelektualë në mesin e shumë personave që u vranë në Mitrovicë.
Sipas tij, Mitrovica ishte shënjestra e Serbisë agresore. Mitrovica është plaga jonë që s’është mbyllur, shkruan Indeksonline.
Lexoni postimin e plotë të Kurtit:
19 vjet më parë, aeroplanët e NATO-s sulmuan caqet e forcave serbe në Jugosllavinë e Milosheviqit. Besoj se bombardimet e NATO-s kishin tri shkaqe kryesore kur filluan:
1) Që të mos përsëritej Bosnja në Kosovë. Masakra e Reçakut e 15 janarit 1999 po tregonte se një Srebrenicë e re ishte bërë fort e gjasshme në Kosovë – kjo duhej parandaluar.
2) Që të mos përsëritej Kosova në Maqedoni. Zgjerimi i konfliktit në kushtet kur as nuk zgjidhet as nuk ndalet ai është dukuri e zakonshme – edhe kjo duhej parandaluar.
3) Dështimi i konferencës së Rambujesë. Milosheviqi përfundimisht refuzoi të nënshkruante marrëveshjen me palën kosovare ndonëse në dokumentin e ofruar Serbia përfitonte tejet shumë.
Në këto orë të vona të 24 marsit të vitit 1999, u vranë në Mitrovicë Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.
Latif Berisha ishte profesor universitar, poet, kryetar i LDK-së në Mitrovicë dhe anëtar i kryesisë në LDK, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, i angazhuar në vazhdimësi për ngritjen arsimore të popullit. Ai u vra në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicës.
Agim Hajrizi ishte ekonomist, sindikalist i paepur, kryetar i sindikatave komunale në Mitrovicë, kryetar i qeverisjes komunale në Mitrovicë në vitet e ’90-ta. U vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën dhe djalin 10 vjeçar.
Kadri Kadriu ishte poet dhe piktor, që besonte se kultura na sjell më pranë lirisë, ishte krijues i veprave artistike shumë të vlefshme. U vra dy javë para Latif Berishës e Agim Hajrizit, saktësisht më 11 mars 1999.
Këta tre intelektualë, veprimtarë të çështjes kombëtare e mbështetës të UÇK-së, u ndanë nga jeta të parët porsa filluan bombardimet e NATO-s në Mitrovicën që mbeti e ndarë me përfundimin e atyre bombardimeve.
Mitrovica ishte shënjestra e Serbisë agresore. Mitrovica është plaga jonë që s’është mbyllur.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...