Kurti: Edhe një grua e vrarë nga një vrasës burrë, drejtësia të veprojë pa vonesa

17:52 | 12 Prill 2024
E.K

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar për ngjarjen e rëndë sot në Ferizaj ku mbeti e vrarë një grua në Qendrën për Punë Sociale. Ajo dyshohet se u vra nga ish-burri i saj, ndërsa u plagos edhe vëllai i saj i mitur.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka kërkuar nga drejtësia të veprojë pa vonesa duke thënë se efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia mbetet përherë e lartë.

Tutje, kryeministri tha se krimet e tilla po përsëriten, duke theksuar se përsëri është një grua e Kosovës e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia nga një vrasës burrë.

Postimi i plotë:

Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia.

Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje.

Ngushëllime familjes, të afërmëve dhe miqve të saj.

Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme