Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet t’i takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Takimet do të mbahen në Davos të Zvicrës, ku të dy do të jenë të pranishëm në Forumin Ekonomik Botëror.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Sano, duke konfirmuar për RTK-në këto takime sqaroi se megjithatë nuk pritet të ketë takim trepalësh.
Sidoqoftë pjesëmarrja e të gjithëve në këtë forum nga analistët në Prishtinë po shihet si mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga ndërmjetësi i BE-së për rikthim të palëve në tavolinën e bisedimeve.
“Bashkimi Evropian nuk takon palët, nëse nuk ka përgatitur paraprakisht se çfarë do të diskutohet. Për momentin nuk ka një temë të hapur. Prandaj, çfarë do të ndodhë realisht në Davos, është se palët do të paraqesin qëndrimet e tyre. Serbia do të ankohet se Kosova nuk e respekton marrëveshjen që ka të bëjë me Asociacionin, ndërkaq në anën tjetër Kosova do të tregojë se si Serbia vetëm para pak kohësh ka ndërmarrë veprime agresore ndaj Kosovës”, ka deklaruar analisti Dorajet Imeri.
Sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale mes palëve, Imeri nuk është optimist se do të arrihet këtë vit.
Sipas tij, kjo mund të ndryshojë vetëm nëse këmbëngulin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pra, nëse SHBA-ja është e interesuar sikur para katër vitesh, atëherë me Grenell, ku palët ishin para një momenti ‘merre ose leje’, nëse SHBA-ja dëshiron mund të ndodhë një marrëveshje. Por, me këtë dinamikë, me këto palë të përfshira për momentin, nuk besoj që edhe ky vit që jemi do të prodhojë ndonjë rezultat tjetër”, ka nënvizuar Imeri.
Takimi i fundit Kurti-Vuçiq në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, që pati përfunduar pa rezultat.
Ndërkohë, Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i 54-ti me radhë, këtë vit ka për moto rindërtimin e besimit. Ai nis të hënën dhe përfundon të enjten.
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë