Kurti: Duke fuqizuar gratë në inxhinieri, fuqizohet shoqëria kosovare

21:17 | 16 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Në kuadër të javës që shënon fuqizimin e grave të reja në Inxhinieri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 50 vajzave të programit “EngineeringHER Future”.

Ai me këtë rast Kurti tha se duke u dhënë vajzave shansin për të kontribuar në STEM, hapen mundësi të reja për to dhe për mbarë shoqërinë.

Në këtë ceremoni Kurti ishte së bashku me zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe këshilltarin e tij për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu.

“Sot jemi bashkë në këtë ditë të veçantë për këto 50 vajza, që nga ky projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë përfituar aftësi dhe njohuri të nevojshme për hapjen e klubeve rinore të inxhinierisë në komunitetet dhe në shkollat e tyre”, u shpreh kryeministri.

Si rrjedhojë edhe e kemi futur si politikë të re qeveritare për vajzat dhe gratë në STEM, vazhdoi kryeministri, duke njoftuar se në vitin 2022 qeveria dyfishoi buxhetin për këto bursa në 2 milionë euro, derisa gjatë këtij mandati ka dhënë gjithsej 3,978 bursa për studime në fushat STEM brenda dhe jashtë vendit.

Paralelisht, në prill të këtij viti edhe është mbajtur konferenca e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, STEMinists, organizuar nën patronatin e kryeministrisë ku janë krijuar edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave dhe grave në këto fusha si dhe për mundësitë për zhvillim profesional.

Në këtë ceremoni ku krahas vajzave, të pranishëm ishin edhe prindër e ekipet e projektit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të tyre, kryeministri theksoi se kjo është një tregues i fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, me qëllim që të gjithë të sigurojmë progres më të madh arsimor, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës.

Fuqizimi i vajzave të Republikës së Kosovës në Inxhinieri është synimi parësor i projektit “EngineeringHER Future”, i cili është një nga projektet fituese të thirrjes publike në fushën e rinisë 2023 për individë, e hapur dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë, dhe Sportit./RTK/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme