Kurti: Do të vazhdojë përkrahja e shqiptarëve si pakicë kombëtare në Serbi që përballet me diskriminim sistematik

21:34 | 19 Dhjetor 2023
E.G

​Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot liderët politikë të Luginës së Preshevës që fituan në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të koalicionit “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon”

Prezent në këtë takim ishte bartësi i listës dhe Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri dhe nga Aleanca për Luginën, Ilir Sadriu, shkruan Arbresh.info.

Sipas njoftimit, Kurti i përgëzoi për rezultatin në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në betejën për pozitën e shqiptarëve të diskriminuar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Kryeministri e uroi për mandatin e ri deputetin e rikonfirmuar, Shaip Kamberi.

“Me këtë rast u theksua rëndësia e unifikimit të spektrit politik shqiptar, për të garantuar përfaqësimin politik e zërin shqiptar në parlamentin atje. Ky bashkim që erdhi në prag të zgjedhjeve e me qëllim të përbashkët ka dëshmuar se pluralizmi partiak rreth unitetit kombëtar është vlerë e shqiptarëve. “, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti konfirmoi se mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të vazhdojë e do të fuqizohet në përkrahje të shqiptarëve si pakicë kombëtare në Serbi, që përballet me diskriminim sistematik të institucioneve shtetërore.

Gjatë ditës së sotme, deputetin Kamberi e mirëpriti në takim dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i cili e uroi atë për rezultatin e arritur, duke theksuar nevojën për forcimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.​/Arbresh.info/

@arbresh_info Pamje nga takimi i Kryeministrit Kurti me liderët politikë të Luginës së Preshevës, në krye me Shaip Kamberin​ #fyp #viral #video #AlbinKurti #ShaipKamberi #Presheva #takim ♬ son original – arbresh.info

Të ngjashme