Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha dy hapa që do të t’i ndërmarrë që do t’i ndërmarr shteti, janë aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, dhe për këtë ai tha se Kosova llogarit mbështetjen e Gjermanisë.
Këtë deklaratë Kurti e bëri pas takimit me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz në Berlin, shkruan arbresh.info.
“Kosova është tregim suksesi prandaj edhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si shtet tejet i rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe akter i rëndësishëm në botë. Pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian në mënyrë që edhe ato t’ju bashkohen 22 shteteve njohëse dhe në këtë mënyrë të pamundësojmë krijimin e narrativave të dëmshme dhe ekuivalencave false. Gjithashtu, dy hapa që do të t’i ndërmarrim janë aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, ku llogarisim mbështetjen e Gjermanisë”, tha Kurti./arbresh.info/
Fjalimi i plotë i Kurtit:
I nderuar Kancelar Scholz, zonja dhe zotërinj,
Faleminderit Kancelar Scholz për ftesën dhe pritjen tuaj të ngrohtë në këtë vizitë të parë timen dhe të delegacionit tonë në Kancelari si Kryeministër e qeveri e re e Republikës së Kosovës.
Gjermania është vend mik dhe aleat strategjik për Kosovën. Dy vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, të demokracisë dhe të barazisë në mundësi për të gjithë.
Me Kancelarin kemi shfrytëzuar mirë këtë kohë për të diskutuar tema të rëndësishme për dy vendet tona, por edhe për kontinentin tonë me të cilin është i lidhur fati ynë i përbashkët.
Temë e parë ishte natyrisht ajo e luftës në Evropë, pra e invazionit dhe agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë të cilin Republika e Kosovës e dënon ashpër dhe e ka dënuar që në ditën e parë. Mbi bazën e kapaciteteve tona jemi solidarizuar me popullin dhe shtetin e Ukrainës duke vendosur sanksionet në linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kemi ofruar strehim dhe kushte për punë për 20 gazetarë të Ukrainës dhe muajin e kaluar (me 17 prill) i kemi ofruar mirëseardhje Lyudmila Makey e cila është gazetarja e parë e cila është strehuar në Kosovë. Po ashtu kemi ofruar mundësinë që të strehojmë deri në 5,000 refugjatë dhe kemi hequr vizat për qytetarët e Ukrainës.
Imazhet e bombardimeve dhe djegieve, masakrave e të përdhunimeve në Ukrainë nga forcat ruse, populli ynë i përjeton rëndë sepse i ka jetuar thellë nën lëkurë para 23 viteve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit, i cili u ndal vetëm falë bashkimit të botës demokratike me ndërhyrjen e NATO-s.
Kancelarin e njoftova gjithashtu edhe për progresin e Kosovës në një vit qeverisje dhe rezultatet që kemi arritur në zhvillimin e ekonomisë, por edhe në përmirësimin e të gjithë indikatorëve të demokracisë, të cilët e kanë kthyer shpresën tek qytetarët e Kosovës por edhe kanë bërë Kosovën fanar shprese për mbarë Ballkanin Perëndimor.
Në Kosovë demokracia funksionon, opozita i fiton zgjedhjet, mediet janë të lira dhe qytetarët e Kosovës nga etnitë pakicë gëzojnë të drejta të garantuara kushtetuese të cilat janë më të mirat në Evropë.
Në këtë vit qeverisje kemi bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe kemi pasur sukses në luftimin e kontrabandës, krimit dhe korrupsionit. Po ashtu kemi filluar reformat në administratë dhe në sektorin e drejtësisë dhe së fundmi kemi hapur edhe Gjykatën Komerciale për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis bizneseve në kohë rekorde. Të gjitha këto do të ndihmojnë për një ambient më të mirë të të bërit biznes në Kosovë.
Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë, por edhe mes dy popujve tanë.
Këtu në Gjermani ne kemi numrin më të madh të mërgatës jashtë vendit. Siç e tha edhe kancelari Scholz, rreth 400,000 qytetarë të Kosovës jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe ata janë një urë e mirë mes dy vendeve tona, pasi janë të mirë-integruar dhe janë punëtorë të zellshëm. Shumë nga ta kanë shprehur interesimin që të investojnë edhe në Kosovë, prandaj edhe unë e ftoj Kancelarin që ai të vijë në Kosovë me një delegacion të gjerë investitorësh dhe të shohin mundësitë e investimeve të cilat Kosova i ofron e që janë të shumta, qoftë në fushën e përpunimit industrial, të energjisë së ripërtëritshme, turizmit malor, pastaj industrisë minerare dhe rialokimit përmes asaj që quhet nearshoring. Kosova ka një fuqi të re punëtore dhe tejet të talentuar dhe mundësi tejet të mëdha e të mira.
Kosova është tregim suksesi prandaj edhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë si shtet tejet i rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe akter i rëndësishëm në botë. Pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian në mënyrë që edhe ato t’ju bashkohen 22 shteteve njohëse dhe në këtë mënyrë të pamundësojmë krijimin e narrativave të dëmshme dhe ekuivalencave false.
Nga Kancelari Scholz kërkova që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Në korrik, pra edhe dy muaj, bëhen 4 vite prej se Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë dhe ka konstatuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Tash është koha të thuhet se mjaft është mjaft dhe kjo çështje të vendoset për vendimmarrje në Këshillin e BE-së, pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë dhe është radha që BE-ja ta bëjë të veten.
Gjithashtu, dy hapa që do të t’i ndërmarrim janë aplikimi për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, ku llogarisim mbështetjen e Gjermanisë.
Biseduam edhe për Bashkëpunimin Rajonal. Për Kosovën Bashkëpunim Rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por përshpejtim. Ne mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe mirëpritëm përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re. Po ashtu ne mbështesim Tregun e Përbashkët Rajonal i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të BE-së, është gjithëpërfshirës, i ka katër liritë prandaj edhe nuk mbështesim iniciativa tjera paralele.
Për Kosovën është e rëndësishme që në këtë proces qytetarët të jenë përfituesit përfundimtarë, saktësisht siç e tha edhe kancelari Scholz. Barazia e palëve dhe trajtimi i barabartë është i rëndësishëm, kurse njohja e dokumenteve është qenësore për të zbatuar çfarëdo marrëveshje që arrihet.
Në lidhje me dialogun me Serbinë e njoftova Kancelarin se Kosova është pro-aktive dhe konstruktive në dialog, duke sjellë edhe propozime në linjë me vlerat e BE-së.
Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër.
Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund.
Ne jemi të përkushtuar që të ecim shpejtë, të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë shumë.
Ju faleminderit kancelar Scholz dhe jam shumë i gëzuar që do të ju mirëpres në Prishtinë.
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...