Google ADS

Kurti: Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale, sot qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror

11:33 | 10 Maj 2023
L G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se para dy javëve, Komisioni i Granteve ka mbajtur një takim të rëndësishëm, në të cilin janë miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026.

“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes sonë sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35%. Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Sipas tij, rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim, raporton Arbresh.info.

“Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro. Në atë mbledhje, Komisioni i Granteve miratoi buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetit me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80%”, tha Kurti.

Në fillim të prillit, në një takim, ku ishin të ftuar të gjithë kryetarët e komunave, Kurti tha se hapën thirrjen publike për Komuna për masat e efiçiencës së energjisë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike.

Po ashtu, Kurti bëri të ditur se në maj të vitit të kaluar, nënshkruan “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, në kuadër të agjendës sonë të gjelbër.

“Javën tjetër, do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me Kryetarët e Komunave, të katërtin deri më tani, me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, që është edhe ministri i linjës, është në komunikim dhe dispozicion të përhershëm me krerët e komunave, pa dallim” tregoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta, të mbështetjes dhe gatishmërisë për bashkëpunim të afërt të Qeverisë me komunat.

Ai tha se ndryshe nga dikur kur niveli qendror bënte opozitë, sot niveli komunal po e bën atë.

“Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/

 

 

Të ngjashme