Google ADS

Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë KRU “Hidroregjioni Jugor”, diskutuan për arritjet dhe zhvillimet e ndërmarrjes

15:39 | 26 Dhjetor 2024
E.K

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan Ndërmarrjen e ujit KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, për t’u njoftuar nga afër për performancën e KRU “Hidroregjioni Jugor” dhe për të parë përparimin në zbatimin e projekteve që po përkrahen nga Qeveria.

Gjatë takimit u diskutuan arritjet dhe rëndësia e ndërmarrjes për zhvillimin ekonomik dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Kryeministri Kurti u njoftua në lidhje me projektet dhe investimet e ndërmarrjes, përfshirë zhvillimin në infrastrukturë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, zgjerimin e shërbimeve cilësore dhe treguesit e performancës financiare në rritje.

Së fundmi, KRU Hidroregjioni ka përfunduar lidhjen me ujë të pijes për fshatin Gërnçar për 15 mijë familje, me 100 mijë euro investim nga Ministria e Ekonomisë. Kurse me përkrahje prej 102 mijë euro po ashtu nga Ministria e Ekonomisë, ndërmarrja po zbaton projektin për rehabilitimin dhe zgjerimin e ujësjellësit në Bllacë të Suharekës. Ndërkaq, KRU Gjakova është duke realizuar edhe investimet për furnizim me ujë të pijshëm në fshatrat Hoçë e Madhe, Zoçishtë dhe Opterushë të Rahovecit me grant prej 500 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë, projekt i cili pritet të përfundojë në qershor të vitit 2025, dhe që ndikon në përmirësimin e shërbimeve për konsumatorët e Hidroregjionit Jugor.

Po ashtu, ndërmarrja publike Hidroregjioni Jugor është në përfundim të rehabilitimit të rrjetit të kanalizimit në Prizren me grant prej 5 milionë euro nga KfW, gjë që mundëson shfrytëzim më efektiv të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Prizren, projekt i inauguruar në vitin 2021, i bashkë-financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Përveç zhvillimit të projekteve të mëdha infrastrukturore dhe sigurimin e furnizimit me ujë për banorët e regjionit, për herë të parë KRU “Hidroregjioni Jugor”, ka realizuar inkasim në shkallë 104.6%.

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli falënderuan punonjësit e KRU “Hidroregjioni Jugor” për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e rajonit./Arbresh.info

 

Të ngjashme