Kurti dhe Rizvanolli morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të 220 kontratave të punëtorëve të rinj në KEK

14:13 | 6 Janar 2025
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të 220 kontratave të punëtorëve të rinj në Korporatën Energjetike të Kosovës, në Termocentralin Kosova B.

Fjalën e tij, Kurti e filloi me falënderime dhe mirënjohje për të gjithë të angazhuarit pas sulmit në kanalin Ibër – Lepenc, derisa pos sfidave ai përmendi edhe sukseset, me ç’rast në dy vitet e fundit në KEK janë pranuar në punë 525 punonjës të rinj, ndërsa sot KEK-ut iu shtuan edhe 220 të rinj në Divizionin e Qymyrit, shkruan Arbresh.info.

“Me shtimin e punonjësve në prodhim, e sigurojmë operimin e KEK-ut edhe për dy dekadat e ardhshme. E askush më mirë se ju vetë nuk e dini këtë gjë, se çfarë rëndësie ka edhe për KEK-un edhe për mbarë Kosovën, dhe se sa i rrezikuar ka qenë operimi pikërisht nga mungesa e punëtorëve në prodhim”, vazhdoi kryeministri.

Ndërkaq, ministrja Artane Rizvanolli, deklaroi se KEK-u do të vazhdojë të luaj rol kyç në sektorin tonë energjetik dhe për këtë është tejet e rëndësishme që të kemi punonjës të cilët i operojnë këto teknologji. Ajo shprehu kënaqësinë të jetë e pranishme në këtë fillimvit, të cilin e cilësoi se do të jetë viti më i rëndësishëm për KEK-un në dy dekadat e fundit.

Përveç rolit kyç të KEK-ut në menaxhim të krizës energjetike dhe në prodhim, kryeministri Kurti veçoi edhe disa të arritura të tjera, siç është përfundimi i dilatimit të bojlerëve në Bllokun B sipas planit (2023); nënshkrimi i kontratave për modernizim të TC Kosova B që do të fillojë në prill; bashkëpunimi me Shqipërinë: këmbimi prej 250Gwh, me ç’rast janë kursyer 50 milionë euro për Kosovën; ruajtjen e sigurisë së furnizimit – blerja e energjisë me buxhetin e ndarë nga Qeveria; si fitimi rekord në vitet e fundit prej 105.7 milionë euro.

“Ndërkohë në këto vitet e fundit, e kishim edhe realizimin me fitim rekord prej 105.7 milionë euro, i cili mundëson investimin në rehabilitimin e TC Kosova A, dhe meqë jemi në këtë temë, menaxhmenti na ka premtuar se tenderi për rehabilitimin e bllokut A3 do të shpallet gjatë këtij muaji”, tha ai duke shtuar se në vitin 2025 nis edhe projekti i parkut solar 100 MW në KEK.

Në fund të ceremonisë së nënshkrimit të kontratave, Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli shpërndanë kartelat për punonjësit e rinj të KEK-ut, derisa të gjithëve iu uruan një vit të mbarë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,

I nderuari kryesues i bordit, Valdrin Krasniqi,

I nderuari ushtrues i detyrës së Kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gerguri,

Të dashur punëtorë të KEK-ut,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Së, pari më lejoni që t’i uroj mirëseardhje u.d. së Kryeshefit, drejtorit tonë, Bekir Gerguri, por dhe Drejtorit të Njësisë për Ndërmarrje Publike, Valon Prebrezës, pas aksidentit të cilin e kanë pasur në mëngjesin e 30 nëntorit të vitit që lamë pas, pas sulmit në kanalin Ibër – Lepenc, përderisa po ktheheshin në shtëpi.

Me këtë rast, faleminderit të gjithëve që kaluan atë natë në KEK dhe ditët në vijim u angazhuan maksimalisht, ashtu që blloqet të mos ndalen asnjë minutë si pasojë e atij sulmi të dështuar nga i cili ne edhe njëherë dolëm fitimtarë.

Të dashur punëtorë,

Herën e fundit në këtë sallë jemi takuar para diç më shumë se dy vitesh, atëherë kur e kremtuam Vitin e Ri 2023 dhe ndërkohë mund të themi që kemi pasur shumë sfida, por njëkohësisht edhe shumë suksese:

– ka përfunduar dilatimi i bojlerëve në Bllokun B, sipas planit (2023);

– është nënshkruar kontrata për modernizim të TC Kosova B, që do të fillojë në prill.

Dhe në dy vitet e fundit janë pranuar në punë 525 punonjës të rinj në KEK, ndërsa sot KEK-ut po i shtohen edhe 220 të rinj në Divizionin e Qymyrit. Me shtimin e punonjësve në prodhim, e sigurojmë operimin e KEK-ut edhe për dy dekadat e ardhshme. E askush më mirë se ju vet nuk e din këtë gjë, se çfarë rëndësie ka edhe për KEK-un edhe për mbarë Kosovën, dhe se sa i rrezikuar ka qenë operimi pikërisht nga mungesa e punëtorëve në prodhim.

KEK-u ka luajtur rol kyç në menaxhimin e krizës energjetike, jo vetëm në prodhim, por edhe:

– në rekord bashkëpunimi me Shqipërinë: këmbimi prej 250GWh, me ç’rast janë kursyer 50 milionë euro për Kosovën;

– dhe gjithashtu, në ruajtjen e sigurisë së furnizimit – blerja e energjisë me buxhetin e ndarë nga Qeveria, për çfarë ju falënderoj dhe shpreh mirënjohjen tonë si Qeveri e Republikës.

Ndërkohë në këto vitet e fundit, e kishim edhe realizimin me fitim rekord prej 105.7 milionë euro, i cili mundësojë investimin në rehabilitimin e TC Kosova A, dhe meqë jemi në këtë temë, menaxhmenti na ka premtuar se tenderi për rehabilitimin e bllokut A3 do të shpallet gjatë këtij muaji!

E viti 2025 në të cilin posa hymë është shumë i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër, sepse nis projekti i parkut solar 100 MW në KEK.

I nderuar menaxhment dhe bord i KEK-ut, ministre e Ekonomisë, punëtorë të dashur,

Na priftë e mbara të gjithëve bashkë në këto projekte. Urime punëtorëve të rinj që po fillojnë punën.

E meqë kjo është vizita e parë që bëj për këtë vit në një ndërmarrje në përgjithësi, e posaçërisht tek ato publike: ju dëshiroj një vit të mbarë secilës, secilit dhe familjeve e miqve tuaj

Çdo të mirë!/Arbresh.info/

 

Të ngjashme