Kurti dhe Presidenti i KOK-ut mbollën “Pemën Olimpike 2024” në oborrin e ndërtesës së Qeverisë

23:47 | 4 Qershor 2024
E.G

Në shënim të Ditës Botërore të Sportit dhe Ambientit, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë sot u mboll “Pema Olimpike 2024”.

Sipas njoftimit, në ceremoni mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, dhe Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, shkruan Arbresh.info.

Në prag të Lojërave Olimpike Paris 2024, që mbahen nga data 26 korrik deri më 11 gusht, Kurti i uroi suksese boksierit dhe pesë xhudistëve të cilët do të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në lojërat.

“Me kaq banorë sa kemi, me vetëm dy pjesëmarrje në lojëra olimpike të kemi tri medalje olimpike. Jemi të pashembullt, të pandjekur, nga askush tjetër dhe urojmë që kjo të na motivojë tash edhe për sukseset e radhës për fitore të reja, në Paris nga fundi i korrikut deri në fillimin e gushtit”, tha kryeministri.

Në anën tjetër, Presidenti i Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi, e vlerësoi mbjelljen e “Pemës Olimpike 2024” si simbolikë me domethënie shumë të madhe që konsiston edhe në ruajtjen e mjedisit.

“Kjo është hera e parë që në oborrin e Kryeministrisë po mbillet kjo pemë dhe besoj kështu me këtë gjelbërim dhe këtë vullnet do të kemi edhe suksese në Lojërat Olimpike Paris 2024”, tha ai duke falënderuar Qeverinë e Kosovës e në veçanti Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahjen e vazhdueshme.

Mbjellja e “Pemës Olimpike” tashmë është shndërruar në simbolikë tradicionale e cila për çdo vit mbillet në oborret e objekteve të ndryshme të institucioneve të Kosovës.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin, porsa mbollëm pemën, këtu në oborrin e Qeverisë në prag të lojërave të ardhshme Olimpike që do të mbahen në Paris nga data 26 korrik deri më datën 11 gusht, dhe në të cilët Republika e Kosovës merr pjesë me pesë xhudistë dhe një boksiere. Ju urojmë suksese sa më të larta.

Kjo është pjesëmarrja e tretë e Kosovës në Lojërat Olimpike. Prej dy pjesëmarrjeve të mëhershme i kemi tri medalje edhe nëse e krahasojmë më popullsinë e vendit tonë dhe numrin e pjesëmarrjeve në lojërat olimpike Kosova është një rast i cili nuk ka tjetër në mbarë globin. Pra, me kaq banorë sa kemi, me vetëm dy pjesëmarrje në lojëra olimpike të kemi tri medalje olimpike. Jemi të pashembullt, të pandjekur, nga askush tjetër dhe urojmë që kjo të na motivojë tash edhe për sukseset e radhës për fitore të reja, në Paris nga fundi i korrikut deri në fillimin e gushtit, por më pastaj në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit do të jenë edhe lojërat Paralimpike ku gjithashtu Republika e Kosovës merr pjesë.

Unë e falënderoj Kryetarin e Komitetit Olimpik që kësaj radhe, herën e 14-të, kjo pemë tradicionale tashmë për çdo vit që mbillet nëpër objekte të ndryshme të institucioneve të Republikës nëpër oborret e tyre përkatëse tash do të jetë në oborrin e Qeverisë këtu tek Kryeministria./Arbresh.info/

Të ngjashme