Nxënësit fitues të garave në nivel vendi dhe atyre në nivel ndërkombëtar, u bashkuan sot në një ceremoni kremtimi nën praninë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët i ndanë fituesve mirënjohje e shpërblime simbolike.
Duke vlerësuar të arriturat e të rinjve tanë, kryeministri Kurti tha se këtyre fitoreve u shtohet edhe më shumë vlera, duke qenë nga fushat e matematikës dhe fizikës.
“Këto rezultate nga gara me bashkëmoshatarët tuaj nga vende të ndryshme të botës, janë dëshmi për potencialin që ju e keni. Andaj ushqejeni këtë potencial vazhdimisht e realizojeni plotësisht talentin, dhe imagjinatën, dhe kreativitetin tuaj”, u shpreh ai.
Që nga marrja e mandatit, e pandalshme mbetet mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxënësit dhe studentët.
Ndër hapat e ndërmarrë në këtë fushë, kryeministri veçoi arsimin dual në 12 profile, 21 shkolla e 14 komuna; arsimin falas në nivelin e lartë publik; si dhe ndarjen e bursave për notë mesatare të lartë, bursave të tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, bursave për studentët e komuniteteve e ata me aftësi të kufizuara, si dhe bursave për vajzat në fushën STEM.
“Në vitin 2023, në këtë vit në të cilin ngadalë po e përmbyllim në këto ditët e fundit të vitit, ndamë 1,647 bursa Bachelor dhe Master për studentët me notë të lartë mesatare; 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM; 55 bursa për studentët e komuniteteve; 28 bursa për studentë me aftësi të kufizuara; 43 bursa për studentët e doktoratës që studiojnë jashtë në 500 universitetet më të mira; dhe 100 bursa për profilet deficitare”, shtoi kryeministri.
Para nxënësve e prindërve, ai përmendi se hapat e tjerë në krijimin e kushteve optimale për mësim janë edhe miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, pra për edukim të obligueshëm e cilësor nga mosha 0-6 vjeç, dhe Projektligji për Tekste Shkollore ku përcaktohen normat dhe standardet për tekste të sakta dhe kompetente për nivelin parauniversitar.
Në anën tjetër, Qeveria javën e kaluar miratoi buxhetin më të madh të arsimit që ka pasur Kosova ndonjëherë, me rreth 409 milionë euro, fakt që dëshmon prioritizimin dhe përkushtimin e pa kursyer për nxënësit në çdo fazë të jetës parashkollore, shkollore e universitare.
Ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve simbolike për fituesit e garave në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar, u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuar zëvendësministër Taulant Kelmendi,
Të nderuar prindër,
Të dashur nxënës,
Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi që jemi bashkë sot, në një ditë kremtimi të sukseseve të nxënësve tonë brenda dhe jashtë Kosovës. Këtyre fitoreve u shtohet edhe më shumë vlera, duke qenë nga fushat e matematikës dhe fizikës, që janë lëndët shkencore bazë për zhvillimin e nxënësve në shkollë.
Këto rezultate nga gara me bashkëmoshatarët tuaj nga vende të ndryshme të botës, janë dëshmi për potencialin që ju e keni. Andaj ushqejeni këtë potencial vazhdimisht e realizojeni plotësisht talentin dhe imagjinatën dhe kreativitetin tuaj.
Në shërbim të kësaj, që nga marrja e mandatit, mbështetja e Qeverisë sonë për nxënësit dhe studentët është e vazhdueshme dhe e pandalshme:
– Në vitin 2021 i patëm ndarë 1,799 bursa për studentët elitarë; 1,365 bursa për vajzat që studiojnë në STEM – shkencë, teknologji, inxhineri, dhe matematikë; dhe 16 bursa për studentët që studiojnë në top 150 universitetet më të mira në botë;
– Në vitin 2022 ndamë 1,383 bursa për vajzat në STEM; 86 bursa për studentët e komuniteteve; dhe 18 bursa për studentët në top 150 universitetet në botë;
– Ndërkaq në vitin 2023, në këtë vit në të cilin ngadalë po e përmbyllim në këto ditët e fundit të vitit, ndamë 1,647 bursa Bachelor dhe Master për studentët me notë të lartë mesatare; 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM; 55 bursa për studentët e komuniteteve; 28 bursa për studentë me aftësi të kufizuara; 43 bursa për studentët e doktoratës që studiojnë jashtë në 500 universitetet më të mira; dhe 100 bursa për profilet deficitare.
Njëkohësisht, kemi në vëmendje të veçantë grupet e cenueshme të cilat meritojnë kujdes e stimulim të shtuar, siç janë nxënësit dhe studentët e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, dhe nxënësit e studentët me aftësi të kufizuara.
Ne si Qeveri po angazhohemi për nxënësit dhe studentët e të gjitha niveleve, për të krijuar kushtet optimale që ju të mësoni e të ecni përpara:
-Për parashkollorët kemi miratuar Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme për edukim të obligueshëm e cilësor nga mosha 0-6 vjeç, meqenëse edhe në kuptim të formimit të karakterit të njeriut, por edhe të arritjeve profesionale më vonë, fëmijëria e hershme nuk është gjithçka, por është shumëçka.
– Kemi përcaktuar normat dhe standardet për tekste të sakta dhe kompetente për nivelin parauniversitar, duke miratuar në Qeveri Projektligjin për Tekste Shkollore.
– Për herë të parë në Kosovë, në nivelin e mesëm të lartë, kemi përfshirë arsimin dual, mësim dhe praktikë pune bashkë me ministren Nagavci, me zëvendësministrin Kelmendi, me zëvendës ambasadorin gjerman dhe me GIZ-in gjerman, ishim në Swiss Diamond edhe në hotel Sirius, për të parë se si lidhet shkolla me punën. Pra arsimimi dhe aftësimi profesional me një vend pune për atë diplomë në tregun e punës, ku në shkollë punojnë e në punë mësojnë.
Gjithashtu në këtë arsim dual, i cili po zbatohet me 920 nxënës, në 12 profile, 21 shkolla e 14 komuna, për herë të parë i kemi nxënësit e shkollave profesionale që janë të gatshëm për tregun e punës, me të kryer maturën.
– Nga viti akademik 2021/2022, i kemi bërë studimet falas, pra studentët kanë shpenzime për jetesë e banesë, mirëpo jo për fakultetin në universitetin publik të Republikës së Kosovës. Në nivelin universitar, pra i kemi liruar 43 mijë studentë të universiteteve publike nga pagesa e studimeve në Bachelor dhe Master. Vetëm për doktoraturë duhet të paguajnë, Bachelor-i dhe Master-i në kuptimin e studimeve janë falas.
Javën e kaluar e miratuam buxhetin më të madh të arsimit që ka pasur Kosova ndonjëherë, me rreth 409 milionë euro, 17.3% rritje në buxhetin 2024 në krahasim me këtë vit 2023 që ngadalë po e lëmë pas, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit, shkruan Arbresh.info
Është e padiskutueshme që ne e konsiderojmë prioritet arsimin, por për këtë na duhet bashkëpunim i fortë me mësimdhënësit dhe prindërit.
Të dashur prindër,
Jemi të përkushtuar për të ofruar mbështetje pa rezervë, e pa kursim për nxënësit tanë e për fëmijët tuaj. Në çdo fazë të jetës parashkollore, shkollore e universitare. Mbështetje për çdo vajzë dhe djalë që të mësojnë e të punojnë drejtë dhe mbarë, duke u angazhuar bashkë për rritjen e fëmijëve, për ngritjen e të rinjve, e të angazhohemi kësisoj për rritjen dhe ngritjen e Republikës sonë.
Urime të gjithëve për këto suksese, paçi të arritura e fitore gjithmonë, e gëzuar edhe festat e këtij fundviti.
Ju faleminderit!/Arbresh.info/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?