“Kurti demaskoi dyfytyrësinë e Serbisë e cila flirton me Perëndimin dhe Rusinë”

10:05 | 31 Gusht 2023
L G

Pjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Forumin Strategjik të Bledit u fokusua veçanërisht në replikën e kryeministrit me homologen e tij serbe, Ana Bërnabiq, e cila tha se nuk bëhet fjalë për “dy shtete” kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, por për një, teksa shtoi se Kosova nuk është as pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe as nuk njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Deklaratë të cilës Kurti iu kundërpërgjigj dhe u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit në këtë Forum.

“Përkrahja në Kosovë për Bashkimin Evropian në Kosovë është 94 për qind, në Serbi është rreth 45 për qind. Ne i kemi vënë sanksionet kundër federatës ruse, Serbia jo, as që e mendon këtë.  Nuk e distancon vetën as nga Millosheviqi as nga Putini, prandaj nuk është e thjeshtë për ne”, tha Kurti, fjala e të cilit ndërpritet nga duartrokitjet e audiencës.

Tutje, ai tha se Kosova dëshiron normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por sipas tij, kjo është shumë e vështirë.

Ndërkaq shtoi se “Normalizimi në psikologji nënkupton mungesë konfuzioni mes realitetit dhe fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuojë fatkeqësisht”.

Kjo replikë e Kurtit, po vlerësohet pozitivisht edhe nga njohësit e çështjeve politike në vend.

Analistja politike, Afërdita Maliqi në një përgjigje për Arbresh.info, këtë replikë të Kurtit e quajti me vend e përmbajtjesore.

Ndërkaq, për pjesën tjetër të fjalimit, Maliqi e vlerësoi si “patetike”.

“Replika e Kryeministrit Albin Kurtit ndaj fjalimit jashtë kontekstit te Kryeministres serbe, ishte me vend, përmbajtjesore. Pjesa tjetër fjalime patetike, siç i ka zakon Kurti. Mendoj qe ne kemi nevoje për hapa konkret te Kurtit, për të ecur vendi përpara, dhe për te rregulluar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe për te shtensionuar situatën në Veri, para se te mbajmë fjalime populliste, qe kënaqin pjesën e tij te elektoratit.”, tha Maliqi.

Ukaj: Kryeministri Kurti, ja tha në sy Ana Bernabiq një të vërtetë të madhe për Serbinë

Ndërkaq, analisti politik, Fidan Ukaj duke iu referuar paraqitjes së kryeministrit Kurti në këtë forum, tha se Kryeministri kosovar tregoi një të vërtetë të madhe për Serbinë, për çka mori edhe duartrokitje nga audienca.

“Paraqitja e kryeministrit Kurti ne samitin e Bledit ishte brilante, ku ai e tha një të vërtetë të madhe për Serbinë. Serbia është i vetmi vend ne Ballkan e Evrope që nuk ka vendos sanksione ndaj Rusisë e nuk është distancu nga krimet e Millosheviqit, e këtë kryeministri Kurti, ja tha në sy Ana Bernabiq, kryeministre e Serbisë, e po ashtu këtë të vërtetë e dëgjuan edhe pjesëmarrësit në këtë panel, e audiencës pjesëmarrëse, për çka mori edhe duartrokitje nga audienca pjesëmarrëse ne këtë panel diskutimi”, u shpreh Ukaj.

Që u tha një e vërtetë për Serbinë, e vlerësoi edhe analisti politik, Gëzim Raci, i cili pohoi se u demaskua edhe njëherë dyfytyrësia e Serbisë e cila siç tha ai, flirton me Perëndimin dhe Rusinë.

Sipas tij, Perëndimi duhet ta ridefinojë qasjen ndaj Serbisë.

“Ishte paraqitje dinjitoze e Kosovës në këtë samit sepse edhe njëherë Kryeministri Kurti e foli një të vërtetë para një audience shume te rëndësishme sllovene dhe evropiane. U demaskua edhe njëherë dyfytyrësia e Serbisë e cila flirton me perëndimin dhe Rusinë. Është mirë që perëndimi ta ridefinojë qasjen ndaj Serbisë sepse nuk mund te pritet deri ne pafundësi me këto role te dyanshme qe po i luan Presidenti serb. Kosova mbetet partner serioz i perëndimit dhe nuk ka alternative te dytë përpos forcimit te aleancës strategjike me NATO dhe BE”, tha Raci në një përgjigje për Arbresh.info.

Sheholli: Kosovës i duhet një politikë që ia heq sanksionet e vendosura nga BE-ja

Si paraqitje patriotike, pjesëmarrjen e Kurtit në Forumin e Bledit e ka parë, drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.

Megjithatë, sipas tij, Kosovës i duhet një kryeministër që ia heq sanksionet e vendosura nga BE-ja.

“Paraqitja e kryeministrit Kurti në Forumin Strategjik të Bledit ishte solide në përmbajtje dhe patriotike për veshin dhe syrin e votuesve. Shtetit tonë i nevojitet kryeministër që ja heq sanksionet e vendosura nga BE shtetit tonë dhe kryeministër që aleatë kryesor e ka SHBA-të. Fjalimet shkojnë e vijnë, por sanksionet po mbesin, andaj kryeministri Kurti duhet të ngas makinën me shpejtësi 200 në orë nëse dëshiron që fjalimet e presidentit Makron mos të jenë pesimiste por optimiste.”, ka thënë Sheholli.

Në kuadër të margjinave të këtij Forumi, Kurti zhvilloi edhe takime, ndër ta edhe me emisarin e SHBA-ve, Miroslav Lajçak me të cilin paralajmëruan edhe takim të nivelit të lartë politik në shtator./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme