Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 20 vjetorin e Betejës së Koshares.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se, ‘duhet t´ua shpjegojmë më të rinjve rëndësinë e asaj beteje, ku luftëtarët tanë e thyen me vullnet politik e ushtarak kufirin shqiptaro-shqiptar’.
“Njëzet e një vite më parë, brigada 138 e UÇK-së, nën komandën e Agim Ramadanit, nisi Betejën e Koshares, një nga momentet e lavdishme të luftës së Kosovës për çlirim e bashkim. Duhet t´ua shpjegojmë më të rinjve rëndësinë e asaj beteje, ku luftëtarët tanë e thyen me vullnet politik e ushtarak kufirin shqiptaro-shqiptar, kufirin e imponuar nga Jugosllavia, i cili e ka ndarë për thuajse nëntë dekada kombin tonë përgjysmë, ka ndarë familje e individë, komunitete e ekonomi, por nuk ka arritur të ndajë kulturën, gjuhën dhe aspiratat tona”, ka thënë Kurti.
Kryeministri theksoi se sakrifica e tyre sublime e përshpejtoi Kosovën në rrugën e çlirimit dhe faktorët ndërkombëtarë perëndimorë, respektuan dëshirën e shqiptarëve për liri.
“Në atë betejë ranë shumë dëshmorë, shqiptarë nga Kosova por edhe nga trojet e tjera. Ra, në krye të detyrës kombëtare edhe komandanti, Agim Ramadani. Por, gjaku që derdhën dëshmorët e martirët, nuk shkoi kot. Sakrifica e tyre sublime e përshpejtoi Kosovën në rrugën e çlirimit dhe faktorët ndërkombëtarë perëndimorë, respektuan dëshirën e shqiptarëve për liri. Aleatë të mëdhenj, ShBA, NATO, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia e Franca e shumë vende të tjera ishin bashkuar në ndërhyrje, në ndihmë të luftës sonë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, disa njerëz të papërgjegjshëm që duke dashur të përfitojnë prej luftës rrezikuan ta përlyejnë kujtimin e saj.
“I kujtojmë me nderim dëshmorët e Koshares, dhe nuk ua harrojmë idealin. E veteranëve të asaj beteje e të betejave të tjera, iu premtojmë se do ta mbajmë luftën të pastër dhe ashtu do t´ia përcjellim gjeneratave të ardhme, sepse ideali i asaj lufte është themeli politik i jetës sonë. Pa luftën, vetëm mbijetonim, edhe atë jo të gjithë, e sigurisht pa liri e me dinjitet të shkelur. Me luftën, ne sot mund të jetojmë. Ata pak njerëz të papërgjegjshëm që duke dashur të përfitojnë prej luftës rrezikuan ta përlyejnë kujtimin e saj, fatmirësisht janë pak dhe nuk mund të dëmtojnë më”, tha më tej.
“Lavdi luftëtarëve të Koshares, lavdi ushtarëve të UÇK-së. Ata na sollën lirinë. Le të jenë shembull udhëheqës për ne, si qeveri, si opozitë e si popull, në betejat tona moderne e paqësore, që synojnë zhvillimin dhe forcimin e shtetësisë, ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës, derisa ta arrijmë barazinë mes shqiptarëve dhe kombeve të tjerë në rajon”, përfundoi Kurti.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...