Google ADS

Kurti bëri homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu në 26-vjetorin e rënies së tij heroike

14:36 | 7 Maj 2024
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në Velani, në 26- vjetorin e rënies heroike të tij.

Me këtë rast, Kurti tha se nuk duhet harruar asnjëherë, se punën më të madhe, më të rëndë, më të vështirë, e kryesoren, e kanë kryer dëshmorët e kombit.

“Ai u vra në betejë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe në Bogiq, në vendi i cili ndodhet në kufi të Kosovës edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi. Pra një vend domethënës i cili është edhe në përputhje me idealet e Bahri Fazliut – Gzimit, për çlirim e për bashkim kombëtar”, u shpreh Kurti pas homazheve.

Duke kujtuar e nderuar figurën e Bahri Faziut-Gzimit, Kryeministri tha se, ai është jo vetëm dëshmor i kombit, por edhe veprimtar i shquar, edhe luftëtar çlirimtar edhe artist, këngëtar, instrumentist e poet i cili ka lënë shumë shkrime, ka lënë shumë poezi, të cilave nuk iu mbaron asnjëherë aktualiteti.

“Ato tregojnë qysh liria është më e vlefshme, më e shtrenjtë se sa jeta dhe se si për çlirimin e popullit kundër padrejtësive, robërisë, kundër okupatorëve, shtypësve e shfrytëzuesve, duhet organizuar rezistenca deri në ngadhënjimin përfundimtar të popullit, të kombit, të shoqërisë e të qytetarëve”, tha Kryeministri, shkruan Arbresh.info

Kryeministri Kurti në këto homazhe ishte i shoqëruar nga ministra e zëvendësministra të qeverisë, deputetë të Kuvendit, dhe anëtarë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Sot më 7 maj janë mbushur 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Bahri Fazliu-Gzimi.

Ai u vra në betejë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe në Bogiq, në vendi i cili ndodhet në kufi të Kosovës edhe me Shqipërinë edhe me Malin e Zi. Pra një vend domethënës i cili është edhe në përputhje me idealet e Bahri Fazliut – Gzimit, për çlirim e për bashkim kombëtar.

Bahri Fazliu është jo vetëm dëshmor i kombit por edhe veprimtar i shquar, edhe luftëtar çlirimtar edhe artist, këngëtar, instrumentist e poet i cili ka lënë shumë shkrime, ka lënë shumë poezi, të cilave nuk iu mbaron asnjëherë aktualiteti, sepse ato tregojnë qysh liria është më e vlefshme, më e shtrenjtë se sa jeta dhe se si për çlirimin e popullit kundër padrejtësive, robërisë, kundër okupatorëve, shtypësve e shfrytëzuesve, duhet organizuar rezistenca deri në ngadhënjimin përfundimtar të popullit, të kombit, të shoqërisë e të qytetarëve.

Andaj, edhe sot, me bashkëpunëtorë të Bahri Fazliut të asaj kohe, me familjarë të tij, me ministra të qeverisë sonë, me deputetë, me qytetarët, me aktivistë, vijmë dhe bëjmë nderime këtu, duke mos harruar asnjëherë se punën më të madhe, më të rëndë, më të vështirë, kryesoren, e kanë kryer dëshmorët e kombit. Edhe ne kemi punë të rëndësishme, por këto janë pjesa më e vogël e punës. Gjithsesi, në rrugën e njëjtë, të cilën e kanë shtruar ata, me gjakun e tyre dhe prej nga sot ne e kemi shtetin tonë dhe lirinë që gëzojmë.

Lavdi Bahri Fazliut-Gzimit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme