Google ADS

Kurti bëri homazh në Marec dhe Makoc: Angazhimin për drejtësi për viktimat, ndëshkim për kriminelët

16:27 | 18 Prill 2023
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës, në shënim të 24-vjetorit të rënies heroike të 27 dëshmorëve dhe vrasjes së 16 martirëve.

Kurti tha se bëhet fjalë për një betejë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ia futi tmerrin forcave armike serbe, të cilët më pastaj në fshatin Makoc, e shfrynë mllefin e tyre nga humbja e kësaj beteje mbi civilët e pafajshëm e të pambrojtur.

Ai tha se si institucione të Republikës, si politikanë përfaqësues, si qytetarë të këtij vendi u jemi përjetë mirënjohës e falënderues, por gjithashtu shprehim zotimin tonë edhe për kujtime e përkujtime institucionale, por gjithashtu edhe për angazhimin për drejtësi për viktimat e për ndëshkim për kriminelët.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se nga Mareci, kryeministri bëri homazhe në Makoc, në masakrën më të madhe në komunën e Prishtinës, ku ndërmjet datave 19 dhe 23 prill, u vranë gjithsej 115 civilë, fëmijë e pleq, që është një dëshmi e radhës së gjenocidit të Serbisë, që u mundua ta shfarosë popullin shqiptarë nga trojet e veta stërgjyshore.

Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe aktivistë të tjerë./Arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme